Shumë të madhe një hare,
Un’ në zëmërë po ndjej sot,
Më gëzon gjithçka mbi dhe,
Kam hare dhe jo më lot.
Pranë djellit të gëzuar
T’Arbëreshëve të mjerë
Një yll i ndezur ka ndriçuar
Që së largu natën sterë.
Rri atje edhe na ruan,
Edhe udhën na e tregon.
Dhe mbi brengat që na shkuan
Dritë hedh që na gëzon.
Dhe kur posa u tregua
Era mbeti, shpejt e qetë,
Edhe kënga kur u zgjua
Ndezi mallin për në jetë.
Anemban’ malli vërshoi,
E u ndal te kta arbreshë,
Drita jote na bashkoi,
Tru e zemër, Perëndeshë.
Di si rrinim na të shkretë?
Posi gjyhëza pa gojë;
Hodhëm rrënjë ne në jetë
Askush s’desh të na dëgjojë.
Skënderbeu shkoi si shqotë,
Pasi çau errësinë,
Historia jonë e thotë,
Se përmbysi Turqërinë.
Shkoi, po tufani sosi.
E me topa e me zjarr:
E një mjegull na pllakosi
Se Arbëria ra në varr.
Asokohe gjëmuan malet
Plot me thirrma e bubullima,
Mbushën sheshet, shkuan zallet,
Qielli u err me drithërima.
Sa të zeza, ç’lemeri!
Oh, sa lufta ndër luadhe!
Vëndet na mbetën në zi,
Gjaku shkoi rrëke e madhe.
Shkoi e vate: edhe qëndroi
Lart në qiell posi një re.
Edhe arbreshin e qëlloi,
Si mizor e shtriu përdhe.
Sa e gjatë ajo tirani,
I vëllai harroi vëllanë,
Shqipëria s’pat fuqi,
Se bijtë ndihmë dhanë.
Shkuan, po, katërqind vjet,
Që i harroi dhe fati vetë,
Gjaku shihet, po nuk flet
Lart e poshtë te kjo jetë.
Shkuan vjete, u rrit pastaj,
Djalëria lavdiplotë,
U vesh me mburrjen e saj,
Dhe shkëlqeu te kjo botë.
Dhe sikush me llahtarime
Svtë ktheu nga sheshet tënë
Edhe pa me drithërime
Luftat që ndër ne u bënë.
Bubullinte gjatë e gjerë,
E u përhap i madhi zjarr,
E Xhavella o Sul i mjerë,
Për Greqinë u fut në varr.
Kolkotroni ato ditë
Ish vërshim që vdekje sillte;
Deti u skuq pra kur në pritë
Bubullina armiqtë i ndillte.
Po me luftat e Boçarvet
U hap fama e vërtetë:
Marku, i pari i palikarvet,
Mori udhënë përpjetë.
Tok me shokët u la në lumë,
Po rreth kryqit i shtrëngoi,
Armiq dogji e preu shumë
Aq sa grekun e shpëtoi.
Tash, ti Grek, të rrema mbledh,
Që të ngrihesh plot me lavdi,
Emrin tonë pse na vjedh?
Pse kurorën na e vjedh ti?
Nderin lër që na përket,
Zgjatna dorën si gjiri
Shko! Luftuam vjet e vjet.
Kundra turkut për liri.
Po tani dolli në botë,
Zonja që na bën të ndjerë,
Rrok kalemin që të thotë,
Dhe nga ne rrenën të nxjerrë.
Ktu, te kjo e mjera jetë,
Në kto male ku jetojmë,
Zonjë, emri juaj vetë,
Ësht’ si era që gëzojmë.
Rinia jonë po lëvdon,
Emrin tënd, o Perëndeshë,
Se drejt fare ti shënon,
Historinë ndër arbreshë.
Në katund ti rri e qetë,
Rri në fusha a në shtëpi,
Shikon detin, punon vetë,
Pret të shkosh në Shqipëri.
Trimat tanë, o Zonjë, presin
Kruja luftat sa të zerë
E daullet të thërresin
Edhe kënga sa t’i ngrerë.
E ti, e madhe Perëndeshë,
Qiell ku kthejmë sytë ne,
Gjegj ç’të thot’ një nder arbreshë,
Që ti zjarr fisnik i dhe:
"Hapna udhën ti me dorë,
Zërin ngri, jepna fuqi,
Qofsh fener për ne ti prore
Që të shohim n’errësi!
Mos kurse të mirën fjalë
Te katundi ynë i mjerë
Që ta kesh posi një djalë
Arbëreshin tënd me vlerë.
Për ne agimi i shënjt je ti,
Pëllumbesha e Shqipërisë,
Je një unazë, q’jep fuqi,
Je si Ylli i lirisë.
Kur veriu të fryjë atje
Dhe shqiptarët do t’i zgjojë.
Të ndezin luftën e re
E Kastriotin ta gëzojë.
Unë veç do jem i mjerë
Te katundi im i vetmuar,
Me mendimin që më therë
Dhe me zëmrën të helmuar.
Shkoj në luftë, ku thërret
Gjaku yn’ në Shqipëri,
Ku edhe toska e gega i let
Tok lëftojnë përsëri.
Edhe kur shuhet zjarri,
Mblidhen flamujt në shtëpi
Dhe Shqipëria q’ish te varri,
Do gëzojë lumtëri.
Do të duam ahere shumë,
Zonjë e Madhe Perëndeshë,
Më që mos të bjem’ në gjumë,
Në mermer duhet t’na jeshë.
Dëndur nga kufiri i huaj
Ngre dikush ndonjë pusi,
Jetë e nder që të na shuaj,
Të na hedh në robëri.
Emri yt aher qëndron
Simbol shprese dhe guximi,
Asnjeri kështu s’harron
Ç’është burri, ç’është trimi.
Ahere me këtë dorë,
Sikur qielli të më ormisi,
Do të vija një kurorë,
Perëndeshëm, degash lisi.
Zef Serembe