Ikën retë; qielli u shfaq përsëri
Me yje stolisur gëzon dhenë,
Zemra ime, thellë në gji,
Në një det hidhërimesh mbytet.
Unë së shkuarës nuk i hedh
Një vel për të mbuluar
Me atë gjithë kujtimet e saja,
Unë kthej kokën nga mali e nga deti
Që retë e zbukuruan;
Duke ecur shkoj kohën
Dhe kujtoj ëndërrat e para;
Bukuritë e fushave, që mallin
Ma zgjonin dhe zemrën ma mbushin
Me shpresa të reja, jo më
I dëshiroj si atëherë
Kur më rrethonte hareja.
Atëherë kjo botë
Ish si dashuria për mua; i zhytur
Unë rrija në atë gëzim të madh.
Fryti veriu me borë e shi,
Nga Serra e Kristes egër gjëmoi;
Edhe rrufeja ra këtej
Kodrave dhe lulet këputi,
E dogji edhe mua të zinë;
Gëzimet dhe hareja më ranë
Te lumi që m’i mori,
Dhe qëndrova si trungu që rri
Në pyllin përkundrejt
Diellit: i zi qëndrova.
Rrojta si guri i lumit
Që s’pyet se kush e çan.
Asnjë dashuri në gji
S’më lulëzoi dhe në mendje
Asnjë mendim s’më lëmoi
Kurmin tim. Vetëm ditën tjetër
Një yll i bukur m’u çfaq.
S’ish një yll, por ish një vashë
Faqebardhë, e helmuar,
Me dy sy të dhëmshuruar.
Shpirtin gjaku ma turbulloi
Si ujët e detit që një erë
E fortë e rreh dhe e përplas.
E zemra ime sakaq u zgjua
Dhe u përpëlit me mall;
Sytë m’u mbushën me lot,
Që rrodhën sumbulla-sumbulla.
O yll, unë thashë, që i vetëm
Në qiell rri e më se të tjerët
I trishtuar dukesh! Kushedi
Mos je ylli i vashës së mjerë
Që më tronditi zemrën?
O vashë, si yll, që e harruar
Jetën e shkon me hidhërim,
Mos në zemrën e mirë ti ke
Plagë që nukë shërohet
O yll, o yll, kujtimëthin
Gjithnjë më sjell ndërmend
Të asaj vashës së mjerë!
O vashëzë, posi yll,
Ne jemi shokë, të ndodhur
Bashkë në mjerimet e dheut…
Po të dija pse qan, do ta shkulja
Këtë zemër nga gjiri e do ta jepja
Me gjithë dëshirë e hare.
Të bashkuar dy zemra s’trëmben,
Gjithë të këqijat i largojnë.
Po ti, vashë, s’më dëgjon, se larg
Tani më rri! Dhe ty
Unë kot të flas, këndoj e qaj,
Duke pritur me dëshirë
Të më vish në ëndërr, o mall.
Dheu, ku pa dritën jeta ime e zezë,
Qe për mua si një pyll i thellë
Plot me gjemba e pa një dritë.
Fati i zi mua më ndoqi shumë,
Të gjitha shpresat m’i zhduku,
E më humbi çdo gëzim,
Edhe të shkretë më bëri
Djalërinë pleqëri.
E kështu gjithë i mjeruar
Nuk ua vura veshin përpëlitjeve
Të asaj vashe të kthjelltë
Që vërtet më donte shumë.
Dhe m’erdhi keq që nuk munda
Të shihja të bëheshin të lirë
E të shkëlqenin nën rrezet
E diellit katundet e qeshur
Të Arbërisë sonë me njerëzit
Fatbardhë nëpër shtëpirat.
* * *
Si fluturon koha!
Dhe ja Si ikin në këtë natë yjet…
Dhe hënëza, e dalë nga retë
Përkundrejt, si e mallëngjyer,
Me butësi shkëlqen e vren!
Katundëthi im i qetë mbi dhé
Rri si i mbuluar nga afshi
I jetës dhe i zhytur në gjumë.
Tash gjithçka është e kthjellët dhe e bukur.
Nga mali ikën disa re
Që ajëri i shkund dhe i shtyn.
Dhe drita përhapet dhe rri
Mbi gjithçka që krijoi Zoti ynë.
Dhe në këtë kohë rri gjindja e flë!..
Harron hidhërime e dëshirë,
Ama, nuk e njeh këtë bukuri.
Oh, deti që shtrihet i gjërë
Si sheh që hënëza e mirë
E vesh me dritën e bardhë!
Oh, sa mendime të bukura
Trimash, që shkuan e vanë,
Më zgjon në mendje e në gji!
Dhe më hidhet zemra përpjetë
Dhe pret orë e çast; dhe vren
Kohën e stolisur me bukuri
Të djalërisë që fluturoi.
Psherëtij dhe nga sytë
Rrjedhin lotët që venë
Te puhia që rrotull ngrin.
Që ku gjindem sot të mundesha
Të ngrihem lart e më lart
I rrëmbyer nga dashuria e qiejve!
Sikur të mundesha, oh, që nga ku gjendem
Të shkoja shpejt e lehtë,
E gjithnjë lart e më lart,
Atje ku yjet hedhin valle,
Aq sa ta harroja këtë botë,
Ku gjithë të ligat janë!
Oh, sikur të frynte e lehtë
Dhe e ëmbël një puhi
Nga deti i qetë e i gjërë.
Në këtë orë të mirë
Gjirin të më lëmojë
Dhe gjithë shpresat e mia
Me hare të m’i stolisë!
* * *
Po i vetëm jam … Edhe ecij
Rrugë më rrugë pa gjetur
Pushim, duke kujtuar
Mallin që shkoj e vate,
Ky është sheshi e kjo shtëpiza
Që gëzoheshin një herë
Pse kishin më të bukurën
Lulëze të kopshtit tonë.
Si oshtinte aherë qielli
me muzikë e tringëllima
Të shokëve të mi që më
Nuk janë, të dërmuar nga jeta!
Gjithçka mori fund dhe koha
Humbi krejt te hiçi.
Kush më kujton më mua? Dhe sot
Kush më dëgjon mua të zinë?
Andej, që përtej përrenjve,
Më vjen si një vajtim i hollë,
Shumë i ëmbël, i mjeruar,
Që në qetësinë e madhe
Të kësaj nate të thellë
Më hidhërin më përsërit
Gjithë lotët që derdha.
Është vajtim , është harmoni:
E sjell, e shpie ajri
E në atmosferë na humbet.
O vashëzë, me ata sy
Dhe të kaltër dhe të thellë
Kështu si qielli i mirë!
Thuamë tani ku je
Ti që nga unë largoje
Retë e dendura që ngriheshin
Dhe mua të zinë rrethonin?
Ku prehë në këtë kohë
Të qetë e plotë mëri?
Dhe pse ju nuk ndriçoni
O mure, që mua të bukurën
Më fshihni dhe vetëm hëna
Brenga mund të shtjerë një sy?
O vashëzë! Oh të mund
Të bëhesha ajo dritë
Që të vesh çdo mëngjes
Kur ti shtratin e le
Me gaz dhe lumturi
Aqsa neve na duket
Sikur është duke lindur dielli
Nga deti Jon i gjerë!
Oh, po të puthja ato buzëmërxhanë,
Dhe ata sy si yje në atë ballë
Të ëmbël posi rrezja
E qiellit të zbukuruar,
Ku mbijnë e rriten
të gjitha shpresat tona!
S’do kisha gajle aherë
Po të më dilte përpara qefini
I vdekjes që më ngrin;
Se aherë unë do ta shihja
Pa helm e pa mëri,
Bile me gaz në buzë,
Jetën që po më zhdukej,
Kështu siç shihet dielli
Që bukur perëndon
Dhe skuq qiell e dhe,
Dhe i përgjigjen dritaret
Me shkrëptimë gjatë e gjerë.
Zef Serembe