Për vdekjen e Pjetër Irjanit

E fluturove e shpejt vetëm na le
Tamam si drita e diellit që pushon
Më parë se të fshihet tek një re;
Shkove si era që helme frushullon,
Botën shkreton dhe ngrin çdo gjë në jetë
E rrëzon mu në vijë e lule e fletë.

S’ishe plak kur për zi ra ajo kambanë,
Që ty të qante me vajtime e lot,
Miqtë e gjiria mburrje më nuk kanë,
U iku hareja për shumë vjet e mot,
Kur te varri të vunë e kurrë më
S’do tringëllijë i qeshur i yti zë.

Ti burrë i burrave qé, se përherë
Me fjalë e punë u nderove në tokë,
Se s’kishe gajle dhe e prisnje pa u ndjerë
Burgun apo ndonjë dënim me kokë.
O gjaku i Gjergjit t’Madh, gjithnjë në ballë
Posi drangua që me pëndë e pallë.

E të bekuan arbreshët me mall,
Se shpresën ti ua zgjove përsëri,
Prapë të ktheheshin te i shenjti zall,
Gjakun t’ja falnin nenës Shqipëri;
Ti s’pate faj në s’vajti te limani
Flamuri ku u mblodh vdekur kont Urani.

Pak shokë kish si ti dhe asnjeri
S’ndjente zjarrin që pate në krahruar:
Askush s’ta shkoi dot në urtësi
Dhe askush nuk pati shpirt aq të zhvilluar,
Se shqiptarët s’i donje shërbëtorë,
Po vëllezër të lirë e punëtorë.

E mbete në katund e në shtëpi
Si një yll që midis reve ndrin lebet,
një yll që shtie dritën n’errësi
Edhe drejton atë q’është në det,
Me atë dritë ti zëmrën na gëzove,
Edhe epokën e madhe na e afrove.

Udhën e drejtë rrahve ti pa drojë,
Rrezikove vëllezërit, gjiritë;
Mbi dhé kurrë vullneti s’të ndryshojë;
S’deshe të ligat, as përkëdhelitë;
Për Arbërinë donje ngadhnjim plot,
Për gjakun tënd që ujë s’bëhet dot.

Dhe sot, ja pranë varrit ku pushon
Trupi yt, se në qjell shpirti të rri,
Me nderim qaset gjindja e të bekon,
Të sjell me mall kujtime edhe lavdi,
Lule të sjell dhe i derdh lotët rrëke,
Se u dogje tërë jetën për atdhe.

Nga varri yt besimi ne na vjen,
Besimi që ngjall shpresën dhe fuqinë:
Dhe shpirti yt së larti na dëften
Burrat tanë që atje në Senat rrinë,
Kur për Atdhenë, si në paraverë,
Më e bukur çelet jeta e më e gjerë.

Zoti Pjetër ahere rreth me dritë
Te vallja e Perëndisë na pret ne
Me atë gojën e ëmbël si një ditë,
Siç te kjo jeta e mjerë dikur qé:
Ahere s’perëndon se djejet rrinë
Dhe Zoti sheshit pushton gjithësinë.