Vashë, pa më dëgjo, nga gjumi zgjohu,
Më në fund koha mallin nuk e ftohu,
Një këngë sonte do këndoj për ty
Që mu nga fundi i zemrës mua m’u shfry,
Në qetësinë e ksaj nate fatmirë,
E nën dritën e hënës me dëshirë,
Dhe po qé se vërtet mirë më do,
Dëgjom, o vashë, e ti mos u helmo.
Për ty një ditë mua m’u duk ky dhé
Plot me kënaqësi e me hare,
Se malli yt, o vashë, mua më ndriste,
Edhe ma shporri terrin që më priste.
Të dy nga malli ishim shend e verë,
Posi vjollca në barëra të tjerë,
Ditët që shkuan të bardha tash kujto
Dhe tok me mua prapë i dëshiro.
Oh, sa mirë të desha e sa të dua,
Se, vashë, vetëm ti më pëlqen mua!
Nuk qé që më rrëmbeu bukuria,
Nuk ma fitoi shpirtin begatia,
Po zëmra jote trurin mua ma zdrodhi,
Ma ngrohu gjakun, shpirtin tim ma vodhi,
E po që se ndopak edhe më do,
Kthe fytyrën nga malli e ngazëllo.
A e mban mënd sa shpejt zilia u zgjua,
Se si jeta fatmirë u turbullua?
Për mallin ne të dy shkuam sa she,
Sa gjëmba! E dielli qeshte atje mbi ne,
Nga qielli i kaltër tek ajo pranvera
Që i pa zëmrat tona kaq të mjera.
Po qé se, vashë, edhe ti më do
O yll i Afërditës, mos më harro!
Zëmër të hapur të sillja ndër duar,
Se në brenga aq të shumta s’kisha shkuar
Të parat llahtarime më s’i ka
Kjo e mjera zëmër që si gur u tha.
Vjen shiu e bora, vjen e fryn puhia,
Te kjo zëmër si mjegull hyn mëria
Ti zgjohe e ngrohe, o vashë, dhe në e do,
Mbaje për sot e mot dhe e trashëgo.
Dhe i harruar rrija te kjo jetë
Pas aq përmbytjesh që më bën’ të shkretë,
Po sa të pashë ty paqa m’u pre
Dhe si n’ethe të forta gjaku u nxeh.
Ti rri e qetë, o vashë, un’ në mjerime,
Ti rri në gaz dhe un’ psherëtime,
E po qé se vërtet mirë më do,
O moj e bardha flutur, mos harro.
Ditën kujtom, kur vete, o vashë, e vjen,
Kur rri, kur qesh, si edhe kur shërben,
Mendom natën kur ti vete edhe flë,
Se n’ëndër un’ të vij e të them gjë,
N’ëndër të them sa të desha e të dua,
Mallin e madh që përsëri m’u zgjua.
E ç’të them n’ëndër ti, o hirëplote,
Mos e harro kurrë, e shkofshin ditë e mote.
Për ne ngryset kjo jetë pak nga pak,
Dhe era sevdanë e thellë tej e flak,
Kudo që ndodhem, vashë, të kujtoj,
Dhe me mënd ku je ti un’ fluturoj,
Se në zëmër nj’altar ngrita për ty
Dhe në ferr jam po s’të pashë me sy;
E po që se vërtet mirë më do,
Dëgjom, o vashë, edhe mos u helmo.
Zef Serembe