këngëtori:
Parmbrëmë pashë një yll un’ me gëzim,
M’u trondit zëmra me shumë ëmbëlsi,
Më ngrihej shpirti lart në fluturim
Dhe gjith ky dhé mu duk plot lumëri.
Në më do mirë ti me të vërtetë,
Folëm, o buzëkuqe, o sy-ulli.
Gjallë në do të mbash mua të shkretë.
Kthe nga unë ata sy me dashuri.
I keq si zjarri, zëmrën e brengosur
Malli ma shpoi edhe isha i pafaj:
Të pashë, o vashë e njomë, i vëndosur,
Për këtë faj më vjen të vdes prandaj.
shokët:
Kush sevdanë kërkon qoftë i mallkuar,
I humptë gazi, si këtij iu buar.
këngëtori:
Rrofsh e pafsh mirë, vashëz kanakare,
Ti, gocë je’ si hëna ndër të tjera,
Bukurinë që ke se kanë fare
As trëndafilat tek na çel pranvera.
Dhe kur nga deti Jon agimi del
Dhe faqja jote përkundrejt tregohet,
Tërë lulet që Zoti Ynë çel
Zbehen dhe dheu shkëlqen edhe gëzohet.
Kur erdhe te ky dhe, erdhe si dielli,
Që për së pari hedh dritën në jetë,
E kujt i flet, o vashë, i hapet qielli
Dhe malli ja prek zëmërën vërtetë.
shokët:
Vashëz, mos ke për zëmër një thëngjill?
S’e sheh se po vënitet si kandil?
këngëtori:
Edhe pardje, si i marr nga malli i mjeri,
Të të shoh desha ty unë, moj vashë,
E forta dashuri zëmrën ma theri
Kur ato faqe si zambak të pashë.
Ninat në mes të syve si dy hënë
Me të madhe shkëlqenin angështi;
Dhe nuk e di se si trutë m’u bënë.
M’u errën dhe më ra si vilani.
Dhe, sapo m’erdhi fryma, tërë lot
Bukurin’ tënde, o vashëzë, këndova:
“Çupë me rreze dielli, o sy hirplot.
Me qetë s’ndrin në terrin që kalova”.
shokët:
O vashë, mos harro djalin e mjerë,
Se shpejt si bari i djegur do të bjerë.
Zef Serembe