Më të bukurës që është në Strigar

Nga katundi u largova posi i bjerrë,
Vajta në luftë e u gjeta i vetmuar:
Atje, larg nga ty, rrinja zemërçjerrë,
Midis të huajve u gjeta i shkretuar:

E zëmra ty keq fort të dëshironte
Edhe pika më ra se s’të takonte.

Gjaku rridhte në truall si ujë kroi
Dhe fare jetën time s’e mendova,
Mbi mua vapa e madhe e bora shkoi,
Me nxitim tërë honet i kaptova

Dhe dënuar si hutaq në gjithësi
Për ty mendonja plot me dashuri.
Përnatë, tash që u mblodha në shtëpi,

Te dera jote si bilbili këndoj.
O faqemollë, o vash‘ me synë e zi,
Ta shkoj jetën me ty un‘ dëshiroj,
O mollë e ëmël, që në degëz rri,
O gozhdëz ari, që më vjen në gji.

E pse më bën të qaj me psherëtime?
Vërtet, zemër nuk ke, o ti moj vashë?
Mbaje, se lule e rrallë ësht‘ zëmra ime,
Dhe mirë e di se tyja krejt ta dhashë.

Shumë e keqe më duket mua kjo jetë,
Po jetova pa ty me të vërtetë.
O vashëz faqekuqe, qysh aherë

Unë po qaj me lot e me dënesë,
Se pa ty e ndjej veten krejt të mjerë,
Nuk di ç’ësht‘ paqa dhe po rroj pa shpresë,
Dhe vetëm varri do më jetë i lehtë,
Kur i harruar do të jem në jetë.

Pjesa e radhës
Zonjës lule