Sonte qielli u stolis
nata e tërë u llamburis
Gjindja fle, nata është e qetë
veç i ziu unë jam i paqetë.
Vashëz që te gjumi rri
zgjohu e shih me vrejtje ti
se ç’do thotë këtë natë.
Muza me këtë serenatë:
"Koha vjen, vjen dhe shkon
bashkë me mua kush gëzon?
Lart te qielli kush më sjell?
Kush më hyn te zemra thellë?
Është kjo e fundit natë
që t’këndon dashnori i ngratë,
Tani nisem unë i shkreti,
thuaj: “Shpirt, të prift shëndeti!”
N’Shkavuni anija arriu, ja, po nisem unë i ziu.
“Duall me diellin, vjen te sheshi!"
zëri yt më rri te veshi,
Dha nga sheshi i bekuar
shoh katundin e larguar
Shoh katundin, mallin tënë
mall i fortë, që s’ka të thënë
Shëndet lodrave e shtëpisë
edhe gjithë vajzërisë.
Edhe ty të falem, lule,
që nga zemra kurrë s’u shkule
Ty të falem, buzëkuqe
që je si bora në ato male,
që ndër ato vasha plot hire
lulëzon si trandafile
Sa t’u luta, të vështrova
aq me sy t’u përgjërova!
Bota e tërë më mëshiroi
zemra jote nuk rënkoi
Shoh katunde, vende shoh
vasha si bora kudo.
Zemra mbushet me pshërëtime
t’i dërgon, vashëza ime.
I shikoj trimat kaluar
vallet duke kënduar
Edhe un’ kërcej e bredh,
mendjen veç tek ti e hedh
E kjo zemër të kujton
tek ti vjen dhe pushon
Të kujton moj mes-hollë
me ato faqe porsi mollë
Me ato buzë e synë e zi
me ato flokë plot shkëndi
Dhe të shoh si në atë ditë
kur te sheshi bëje dritë.
Zef Serembe