Këngë malli

Më rri e zëmëruar e s’di ç’ke
O e t’humburit Parajs’ molla më e mirë,
Ç’të bëra vallë i shkreti e ashtu më le
Sa jetën po shikoj pa asnjë hirë?

Oh, këto ditë i shkova me hidhërim,
Se s’t’i pashë të qeshur ata sy
Që shpirtin mua ma mbushnin me ngadhënjim
Dhe ma rrihnin me mal zemrën në gji.

Dhe ballin e qëndisur rrezesh dielli
Më te dritarja jote nuk e pashë,
Edhe buzën merxhan si lule qielli
Pothuaj e humbe fare ti, moj, vashë.

Gjirin e kam plot mall, zëmrën plot zjarr,
E trutë po më vlojnë ndër mendime,
S’gjej dot pushim, as paqe dot nuk marr,
Ti, vashë, ma dërmove jetën time.

U shtrita unë i mjeri në shullë,
Shëtita n’errësirë për çdo natë,
Ndër dushqe u ula i ziu që të flë,
Më rrinte Malli pranë si lëngatë.

Mëndja ime nga ty s’më hiqej dot,
Zëmra më zjente fort me dashuri,
Era trupin ma rrihte bot e bot,
Jeta qante mbi mua me zymti.

Mishtë e trupit si dylli mua m’u shkri,
Damari i trimërisë krejt mu shua,
Dhe këshilla më jepte çdo njeri
E ndizte ferrin q’ish brënda te mua.

Po pa dëgjo ç’të thotë zëmra ime:
“Prangat do çaj që më bënë të shkretë,
Do rrok tani un shpatë e armatime,
Posi petrit do shkoj në luftë vetë.

E n’ardh lajmi se vdiqa unë i mjerë,
Për mua të zinë thuaj një fjal’ me mallë,
Dimre mbi dimre shkojnë dhe pranverë,
Gjithë jeta lulëzon, un’ s’do jem gjallë.

Tërë gjak një shami tyja të vjen,
Ku brënda lidha ca plagë për mort,
Është mendimi që malli të dëften
Mallin që një herë, vashë, e doje fort.

Vashë, malli i ksaj bote ahere shkon,
Kurmi im i mbuluar te varri rri,
Mbi të një qiparis hije lëshon,
Një qiparis që ndal e borë e shi.

Atje, harruar nga bota, i mjeri flë.
Shkojnë ditët me radhë e mot e mot,
Dhe asnjeri në mëndje s’më mban
Dhe asnjeri nuk derdh dy pika lot.

Ti, vashë, që të desha posi sytë,
Kur zgjohe çdo mëngjes rehat-rehat,
Posa hyn dielli aty n’ato shtëpitë,
Dërgom këtë kujtim brënda në shtrat.

I mjeri ai! Dikur qé shend e verë,
Kur rrinte në katund plot trimëri.
Shkoi për jetë si re, shkoi posi erë,
Dhe tani fle në një vënd që nuk e di.

I rrahur si nga shiu e nga dëbora,
Një britmë del nga varri e më qërton…
Pa dashur e lëndova unë e gjora!
Pa dashur? Pse kjo brengë më mundon?

Për mua qyqen një flakë ai trim i shkretë
Mbajti në gji për vjet e vjet… Ai i zi
Mbase për mua më nuk deshi jetë
E ku i mblodhi eshtrat nuk e di.

Tani ku je? Me erën që fryn vetë,
Të fala të dërgoj e shumë lot,
Lule çoftë në varr puhia e lehtë,
Bilbili aty këndoftë mot për mot.

Ndaj, e mbytur’ nga dallgat e tjera,
Që ngrihen nga kjo jetë e turbulluar,
Vija e të qaja, o mall, e unë e mjera,
Zëmrën e lija atje ku ke pushuar.

Kur era mërmërit posi një herë
Fjalët që më dërgonte mua malli,
Më vjen te varri si një paraverë,
Më duket varri i ëmbël posi zalli.

Pjesa e radhës
Më të bukurës që është në Strigar