Era po frynte sot,
Un rrija i helmuar
Shën Kollit duke shkuar
Pa fare ndonjë shpresë.
E zëmra ime e mjerë
Mënt pëllciste në gji,
Se s’kisha lumtëri,
As fare ndonjë besë.
Ç’të bëja? I qet’ mendoja
Vjetet që shkuan e vanë,
Që helme shum’ më lanë
Pa t’ëmbël një kujtim.
Rrija ulë, isha i ngrirë,
I veshur si një plak,
Me trupin si në lak,
Me shpirtin në vajtim.
Po, ja, me bje në sytë
Një vashës shumë e bukur,
Si trëndafil e skuqur,
Edhe afër Malli i ri.
Vinte e ndillte një rosë,
Thirrte: “Rosë ku je?”,
I thashë un’ me hare:
“Të falem, bukuri”.
Qeshi e vate. Unë e ndoqa.
Vej si hënëza me dritë.
U gëzova se i ngjitë,
Dritëmadhes paraverë.
Buza ish si lule mali,
Syri si yll ndriçonte,
Balli i saj të kujtonte
Qiellin siç ësht’ në verë.
Un rrija pa u dridhur
Si një gur në vetmi
Për ty, o dashuri,
Zemra m’u flakërua.
Hodha tej çdo mendim,
Tërë helmet i zbova,
Se ish Malli mësova,
Jeta m’u ngazëllua.
Tani, vashë, mbi mua
Sytë me mall m’i shtjer
Dhe zemrën mos ma ther,
O ti, “Rosë ku je”.
Si pllumba pendëbardhë,
Fluturojmë anembanë,
Si pllumba që s’u ndanë
As në qiell, as përdhe.
Të zënë dora-dorës,
Gjithë helmet i largojmë,
Me të puthura rrojmë,
Moj syzezë fatmirë.
Erdhi koha e martesës,
Dielli-Zot na bekon
Dhe drita që lëshon
Bëhet e dlirë.
Zef Serembe