Urimi

Ju lani teshat, vasha, te ky lumë
Edhe lart plot me gaz ju ngrihet zani,
Në paqe koha e lumtur ju qesh shumë
Dhe zëmrën tuaj me gëzim e lani.

Gazet i mbajshit fort, bija, në gji,
Se fluturake është jeta edhe shkon,
E vjen mjegull e shi, borë e stuhi
Dhe hapet varri… Varri nuk harron…

Gjith’ shkon e vete te kjo botë e shkretë,
Kujtimi e shpresa humbasin, shkojnë hidhrimet
Me ato që deshëm për vjete ne vetë.

“Ditë të bardha”, o vasha, ja urimet,
Se ku më shpje tufani shkonj për jetë
Dhe kthehen te katundi psherëtimet.