Mori qyqe, mori qyqezë
çfarë këndon mbi atë çukëzë?
Plakat thonë se kur këndon
vitet njerëzve u numëron.
Duke bërë “kuku” a s’më thua
sa vjet jetë më presin mua?
“Kuku!” “Një?” Moj qyqe e shkretë,
plaç! Do rroj tërë një jetë.
* * *
Mori qyqe, mori qyqezë
kë këndon mbi atë çukëzë?
Po të fal unë bukë e qepë,
veç më thuaj fati ç’më jep.
Do ta kem fatin e bardhë
Të marr të bukurën shtojzovallë?
Apo dhëmbëzezën mua do ma japë fati për grua?
Qyqja e urtë s’tha asnjë fjalë.
Do të thotë: Ke fat të rrallë!
* * *
Qyqja këndon përmbi përrua.
Rri te lisi përmbi krua.
Gra e vajza ven’ e vinë,
flasin, shajnë ashtu si dinë.
O, sa mirë shkohet mbi dhé,
pa ndërtuar një fole:
Vezët le, pa turp, ngaherë
te foleja që bëjnë të tjerë
Dhe thërret: “Kuku! Kuku!
Bijt e mi, ku jeni ju?”
Zef Serembe