Pas të vjelavet

Retë q’ajri nuk i lë
Derdhin pika shiu sot.
Rrush s’ka më, trishtim na zë.
Vate vjeshta e nuk na thot’
T’ecim fushës përsëri
Plot me shpresë e lumturi.

Tani lisit gjethi i bie,
Tjerrin vashat në shtëpi.
Dimri i egër vjen dhe shtie
Nëpër udhët qetësi.
Kudo shoh më s’gjej hare.
S’kanë më zogj ato fole.

Gjithnjë i vetëm, gjithnjë i shkretë
Vashën time pa vështruar,
Tundem, shoh ëndërr, më vret
Malli i zjarrtë dhe i helmuar:
Asnjeri s’më thotë te veshi:
“Vasha jote rri te sheshi”.

Çiften marr për gjah përhera,
Çdo mëngjes unë jashtë dal,

Shkoj ndër pyje e ndër humnera,
Ndër përrenjtë atje në mal
Hyj në shpellat sa më fshehtë
Dhe largohem nga kjo jetë.

Vasha ëmbël dalëngadalë
Mendje e zemrën m’i ndal,
Brenda vetes m’derdh një diell
Dhe hare te zemra sjell.
Më bën malli shend e verë
Dhe më sjell një pranverë.

Sjell ndër mend unë kur këndonim
Nëpër pyje ca ferrcakë,
Kur te lumi plaçkat shtronin
Gratë e bardha si zambakë,
Kur te çukat plot lulzim
Shkonin çunat me gëzim.

Unë në paqe atëherë rri,
Dritë e ndjej unë këtë jetë,
Brenga s’kam, veç lumturi;
Mbushur me mall të vërtetë
Vete e vij; kur bie borë
E mbaj zemrën në dorë.

Edhe kur mali gjëmon,
Ikën gjindja e zogjtë qajnë
Era e ngrirë më lëmon.
Shiu e bora që më lajnë
Bëjnë që t’mblidhen në shtëpi.
Gjithshka bëhet terr i zi.

Brenda nga ballkoni shoh
Aq shumë hapësirë
Edhe zemra të rëndë do
Ku një vashë bredh e lirë.
Bubullima veç gjëmon
Dhe nga ëndrrat më zgjon.

Tundet dheu dhe hapsira
Oshëtin shumë e më shumë.
S’duhet deti e në shtëpira
Gjindja bën të dytin gjumë.
Rri i qetë unë dhe rënkoj
Ku jam tash e ku pushoj.

Eja, vashë, dhe gëzomë
Tash që kam aq drithërimë
Dhe më këngë qetësomë
Përpëlitje dhe rënkime.
Me sy mbyllur, në shtrat shtrirë
N’ëndërr shoh un’çdo dëshirë.

Më dëgjo aty ku rri:
“Te një shpellë e shkretë dje
Gjeta plot me bukuri
Një gjel t’egër që atje
Seç thërriste ditë e natë
Nusen q’ja vrau një shtrëngatë”.

E mora e ta lë në dorë:
Mua të ziu më përngjan,
Si unë është pa fuqi, i gjorë
Dhe un’qaj si ai zog që fshan
Se pa mall rri në kafaz
Dhe e çon jetën me maraz.

Vashë, dikur në Piluri
Bëra ca shkarpa të holla
Me ata sy t’ëmbël më shih,
Ma trego faqen si molla
Buzën në gaz vëre tani
Thuaj një fjalëz dhe… teshtij.

Ndaj riqet e korkoletë,
Vij ku bën kërthija ti:
Pas të vij un’qetë e lehtë
Faqet t’shoh me dashuri.
Të të puth një herë, jo më
Se një këngë do të zë.

Dëgjo, vashë, jehona flet
Te përroi nga rrahu i fshehtë,
Rreth e qark kënga buçet,
Me hare mbushet kjo jetë.
Qielli i butë na bën dëshmi
Që lindi një dashuri.

Po vonohet… I kumbisur
Un’ mbi pushkë, rri e kujtoj
Çast’n e shenjtë të vithisur
Tok me atë që dëshiroj.
Jeta është një zonjë e rrallë
Që u harrua nëpër valë.