Dallëndyshe shtegëtare

Dallëndyshe shtegëtare,
Që kumbise në ballkon
Dhe ja merr këngës qyqari
Kur mëngjezi zbardhëllon,
Ç’më thua ti m’at gojë ndryshe,
Moj shtegtare dallëndyshe?

Gjithë e vetme në harrim,
Nga yt shoq e lënur sot,
Mos qan vallë vajin tim,
O vejush’ me helme plot?
Qaj e qaj me at’ gojë ndryshe,
Moj shtegtare dallëndyshe.

Por si un’ nuk je e shkretë
Ti ke pendë e fluturon,
Shpatit ecën dhe çan retë,
Vërshëllen, erën gëzon,
Dhëndrin tënd me at’ gjuhë ndryshe
Duke ndjellur, dallëndyshe

Po unë, oh! Mua më ndryn
Rreth e qark ky burgu i zi,
Ku një rreze djelli s’hyn,
Ku edhe era s’jep freski,
Nga edhe fjala ime ndryshe
Mezi t’vjen, moj dallëndyshe.

Ja, sot erdhi vjeshta e parë
Dhe gatite të më lesh,
Nga zhurishtet duke u ndarë.
Detet, malet, ku do vesh,
Përshëndetmi, o dallëndyshe,
Me atë gjuhë që ke ndryshe…

Çdo mëngjes, në të gdhirë,
Tek i hap sytë me lot,
Nëpër akuj, në të ngrirë,
Unë besoj se qan ngamot,
Dhe vajton me at’ gjuhë ndryshe,
Fatin tim, moj dallëndyshe.

Shpejt një kryq në paraverë
N’atë shesh ti do shikosh,
Dallëndyshe, kur si erë,
Mbi atë do fluturosh,
Thuam “Pushim!” at’ gojë ndryshe,
Moj shtegtare dallëndyshe.

Pjesa e radhës
Qyqezës