Luftëtar nisu, se Kreta të pret
Ku liria gjëmon e trondit dhenë,
Flamujt, duke shkëlqyer n’ajër venë,
Ishulli skuqet dhe me topat flet.
O sa lufta, o sa gjak! Sa vjete shkuan
Që ndënj vejushë e mjerëza Greqi:
Ata, që i muarrën dije e bukuri,
të mjerën Nënë gjer më sot harruan.
Po fati u ndërrua, se pushka sot
Me llahtar gjithë Evropën po mbulon
Dhe turku po kthen krahët duke qarë;
U kthye edhe një herë koha e parë,
Deti zbardhon dhe pa një re gëzon
Dielli që i qesh grekut q’ësht në lot.
Zef Serembe