Pasi Bomba na vdiq, Bomba që na vu në kryq
Edhe Nxhiku tutje u flak Sapo i dhanë dy shuplakë.
N’ato ditë e n’atë mot
Qenë sy që derdhën lot
Qenë vasha e nëna qenë
Që e shkulën krejt gërshenë.
Tash na erdh një mbret bujar,
Ndrit si dielli shkëlqimtar.
Erdh Viktori, shpatë e mirë
Që e bën popullin fatmirë.
Dhe me forcë dhe fuqi
Ngre Tringjyrshin n’Itali
Jep kushtrimin e thërret:
Vemi atje ku gjithkush pret
Që të zbojnë armiqtë tanë
Që na zhveshin, që na vranë.
Garibaldi është atje,
Shpie flamurin tutje,
Edhe sytë zgurdullon
Porsi orl armikun vështron
Këmishkuqi, trim me fletë,
Skënderbeut tonë i ngjet,
Se kur rreptas shpatën nxjerr
Si rrufeja djeg e vret.
Na thërret ai aher’
Të luftojmë tok me nder.
Burra e trima do ai
Që kanë gjak e shpirt në gji.
T’i shpjerë në Lombardi,
Të shkojnë në Veneti.
Që të huajin ta dëbojmë,
Alpet tona t’i lirojmë.
Te kjo natë dolëm tani,
Rrugë më rrugë me harmoni.
Ejani, trima arbëreshë,
Ç’do t’ju them, merreni vesh:
Garibaldi kur mbi kalë
Shpalos flamurin në mal
Dielli i bukur, i shkëlqyer
Shpërndan retë e hapen dyer,
Shihni atëherë si ky dhé
Vlon i tëri plot hare.
Radha e trimave na ra
Si rrufeja rrah më rrah.
Garibaldi ata i nis
Dhe në luftë i qeverit.
Yrysh, pra! Të fluturojmë
Në betejë të sulmojmë!
Skënderbeu tani gëzon
Në Parajsën ku pushon.
Shpresa sheh jemi e qemë
T’Arbërisë ku, oh! s’u lemë…
Të bëjmë udhën në pak mot
Se na ndih i madhi Zot.
* * *
Shkojmë, shokë, duke kënduar,
Vashat duke i kujtuar
Se të zezat rrinë në shtëpi,
Derdhin lot për ne tani.
Kur te Alpet ne do shkojmë,
Këngë lufte do fillojmë.
Ja, fanfara na gëzon,
Ja, edhe topi na shurdhon.
Kush me pushkë e, kush me shpatë
Zëmë e lozim n’atë shtërngatë.
Po marshojmë si luftëtarë,
Duke shtënë, duke vrarë.
Qielli mbushet plot me tym,
Pluhuri ngrihet mjegullim.
Dhe për gjëmën tundet dielli
Dhe gjëmon i tërë qielli.
Gjylet bien e shkëmbi çahet,
Zemra jonë e fortë mbahet.
Flaka e madhe vrik shpërthen,
Grushtat si breshëri bien!
Kujt këmbë e dorë të tërë,
Kujt i shqitën veç një llërë.
Kujt ia depërtuan gjinë,
Kujt ia humbën bukurinë.
Mur çeliku - përparojmë,
Kalorin shkelim e shkojmë.
Gjithëherësh lart te qielli
Nëpër retë shkëlqen dielli.
Bie daullja me hare,
Gjak i ushtarit rrjedh rrëke.
Gjithë flamurët valojnë,
Lart në qiell fluturojnë.
Lufta jonë plot lavdi
U fitua: sheshi e di.
Të këndojmë të gëzuar
Përball’ armikut të poshtruar.
* * *
E kush qesh, kush mallkon,
Kush ha bukë e kush këndon.
Frikacakut porsi hienë
Rreth e rrotull sytë i venë;
Tash, që u thye e vate armiku
Thot’ se i bukur ësht’ rreziku!
Flamurtari, dorëgjati,
Rri si trungu i madh te shpati
Goxha pallë ka në brez,
la merr era flokët e zes.
Plaku i pari po afron,
Ballin drita ia gëzon.
Dy liktorë i mban pranë
Që simbol i Romës janë.
Thotë e n’gas vë buzën e tij:
“Shkojmë n’udhë të Zotit, bij!”
Gjith’ sa jemi kthehemi prapë,
S’kemi gajle se bën vapë.
Le të kthehemi të gëzuar
Se në fshat kemi munguar.
Atje vashat tona janë
Që fuqi në luft’ na dhanë.
Udhë e gjatë bëhet lehtë,
Si shtëpisë djeg malli i nxehtë.
Kush rri i qetë, kush këndon
Dhe të vrarët i lëvdon.
* * *
Kur fshatit pranë i shkojmë
Zbrazim pushkët dhe vallzojmë
Kur afrohet zallahia
Që përhapet nga ushtria
Zënë këmbanat me hare
Të na përshëndesin ne.
Edhe vashat lozonjare
Venë perdet në dritare.
Në katund të armatosur
Shtiem kuajt e krekosur.
Në dritaret çdo vashë e re
Trëndafila hedh nga ne.
Lulëkuqe e rrodhostanë,
Pastaj një këngë ia dhamë.
Shohim vuzë dhe ato faqe
Që dikur aq na kënaqën.
Na gëzojnë ata sy
Se na shohin me ëmbëlsi.
Zemër e buz’ prekin me dorë
Ato vasha si dëborë.
Dhe na thonë ashtu pa zë
Se na duan sa s’ka më.
Zef Serembe