Shkrepën malet një ditë e u qé treguar
Si dielli i Shqipërisë plot me re:
U tromaks turku e mbeti i helmuar
Kur madhërinë tënde vuri re.
Krejt bota ktheu syt’ për të shikuar
Se mos në malet tona shkrep rrufé,
Se mos raca burrërore tue lëftuar
Mirr fronin që i përkiste asaj mbi dhé
Oh, sa shpresa të kota! Si u ndërrove?
Me të rrema e me gjak ndeze atë zjarr
Që dogj lirinë në tona luadhe.
Ti burra e gra gjakose e shkatërrove
Rrodhën lotët përdhe si rrëké e madhe:
Me nëmë e turp u fute ti në varr.
Zef Serembe