Kush mundet têsh me diftue mnerimin e pikllimin qi pat Prênda? Ajo njofti kunatin e vet e nji Shllakc tjeter, t’cillët kishin dalë me e kerkue qyysh t’paren natë, e e kishin lypë me êmen edhè afer shpellet kû ishte pasë kênë mshehë me Vaten. T’gjith e trishtueshme, hapte sŷyt per me shikjue çka e gjet… por prep prej mârrjet i mylli, e kishte dashtë me hîi tre pash nen dhee e me hupë per mot e per jetë; por çka me bâa? Kuer t’vîin me t’gjetë rreziku, çili deren!
«Grahi tash kâmve, eh tyy t’mloftë dheu i zii!» i tha i kunati me idhnim «E si kee pasë sŷy e faqe me i raa shqelm kunorës s’ate?» E ktyne fjalve t’forta ja percuell edhe dy flakaresha t’tingllueshem.
Nusja nisi me kjaa.
«Shkarkoj tash kto drûu» urdhnoj prep aj, e vetë i ndimoj (e ç’farë ndimimit?!) me e shkarkue at turrë drûush.
Kuer Prênda e paa vedin e shliirshme, i pshtoj prej duersh e muer t’ngaam, por t’dy ju lshuene n’shpînë si ujq e e kapen shterngueshem. Atbotë ajo vikati saa pat zâa n’germaz, e i kunati ja vûni me t’shpejtë doren gojës e me calinë n’faqe i tha: «N’bâsh me lshue zâa, qitash t’vrava».
Mas nji grimet herë, ky turbullim idhnimit u duk se mêni; nusen s’e majten kâmët, u lshue krahësh, vari kryet n’parzem, e me mzi i çilte kapakët e sŷyve.
Atyne dy malcorve, qi ja kishin ngulë rrepët sŷyt saa me e perpîi gjaall, u filloj me u ndrue ftyra kah e pane atê se i hupne sŷyt n’rrashtë; nji djersë e ftoftë e mloj Prênden n’tanë shtatin; u pakue, e dukej se s’po vjen mâa n’vedi.
«Çou, çou» tha njêni malcuer «mos na u shtrîi ktû si lopë, por çou» e e ngrehte per krahit; por Prênda nuk ishte per at herë n’vedi, e prandej s’mujte as me ndigiue çka po i thote aj malcuer.
«Dreq, o dreq! kjo na diq nder duer» tha prep, tuj u sjellë kah shoqi i vet «Mâa zii mârrja…».
«Oh besa! ngusht puna!» gjegji tjetri «I kaa raa t’fikët, o Nikë, e s’kaa gjâa tjeter; njishtû janë kto graat; shtîhen si dreqi; merr mos prito, Nikë, e lage ket faculetë nd’ujë».
Edhè Nika ndigioj.
Mas disaa kohet, Prêndës s’shkretë filloj me i ardhë fryma, e si t’u çote prej ndoj gjumit t’rândë i çili sŷyt. S’parit hoq vshtirim me i njoftë ato dyy ftyra, qi e shikjojshin paa ja daa, e me i mledhun mendimet e veta. E pau e mjera se s’kishte kahë me ja majtë, e prandej mêndoj mirë mos me bâa mâa kurrfarë kundershtimit, por me krye t’ultë e me sŷy t’tânë lot qi i rrigoshin nder mollxa t’faqeve, me zâa t’pakë e t’ndalsdem, me duer njitë e pshtetun n’buzë u suell prej shllakcit tjeter «Oh!» i tha «paash at Zot qi rri e na shef, e per hater s’Lumes Zojë mos m’nepni mâa mundim; po vî, po; masi paska kênë shkrue me hjekë keq, ani po hjeki per pêndesë t’fajeve t’mia. Por nji porosii kam me tyy: kam raa n’dorë t’Zotit e t’ânden, e t’lutem mos me m’dhânë mâa mundim; mâa per ndeer kishe me t’a diitë me m’a grahë pushkë saa herë t’duesh, e me m’lânë ndêe n’ket vênd. Ne paç edhè tî nji bii, nji grue, nji nânë, kujto mirë se saa kishin me hjekë, me kênë n’vênd t’êm. Mêndo se t’gjith na gabojmë e jemi t’bit e dekës, e kaa me ardhë dita qi kee me lypë edhè tî prej Tenzot dhimë e mishriir. T’lutem me m’marrë tî n’besë t’ânde».
E Nika i pergjegji: «Po t’nap besen e burrave se s’kaa per t’guxue kush me t’a folë nji gjysë fjalet, jo mâa me t’prekun dorë nierit; por saa t’mundesh, me ecë tash. A ndjeve?
«Jam lodh’ e kputë» foli Prênda «s’m’punojnë kamët me ecë…».
«Hajd edhè pak, se hîime n’gjytet, e ktû tash po e msyejm nji hân, e pushojmë».
Paa kuvêndue njêni me tjetrin hîne ata tre n’Shkoder e xûne vênd tu nji hân.
At natë Prênda nuk shtîni kashatë buket n’gojë, por lypi me raa. Para se me e marrë gjumi kujtoj Zotin me do urat, o, mâa mirë me thânë, pershkoj neper mênd disaa fjalë t’pshtjellueme, t’thânuna t’pergjysta, ahte, t’lypuna, ankime, premtime. Nji bisedë n’ket mndyrë nuk i bâhet ndjerzve t’ksajë botë, pse nuk munden me e pasë gjith at hollim mêndjet saa me i marrë vesht punët krejt, as durim me ndêjë e me i ndigiue; as nuk janë aq t’mdhaj saa me i vûe vesh pikllimit paa e perbuzë.
Duel drita, e edhè Prêndës i duel gjumi; por, me e pasë paa saa ishte ndrrue n’ftyrë! Perpara i kishte pasë faqet si voeja e qirueme; tash ishte sverdhë e thaa.
«A po don me hanger buk» i tha Nika, «Mramë kee raa ûnshem…».
E Prênda pergjegji me gjysë gojet «Ani mirë».
Pali e Nika daane me u nisë at ditë per Shllak, murne buk me vedi e kapne rrugen.
Udhës tuj shkue Nika i flitte Prêndes me t’butë, e e pvette shpesh e shpesh «A po merzite?» e Prênda e shikjote me dashtnii e kqyrte edhe ajo me ja kthye miradijen: bash sikuer njajo delja e butë qi don blegtorin i cilli e ndjellë, e lmon, e kqyrë gjith herë me i ndejë afer.
Nja tre sahat udhë e kishin bâa kuer mrrîtne tu kisha e rrênueme n’Mazrrek; e Nika, qi po prîte, tha: «Qe Kisha e vjeter» e bâni kryq; kshtû bâne edhe dy tjerët qi i vîshin mrapa.
Kjo kishë, mas disaa shêjesh qi i pergiajnë asajë t’Rrashit, duket se kaa kênë edhe kjo abacii Benediktinësh. Shkrime e diftime nuk gjinden permîi tê; do shêje janë po, por nuk viin me kallxue gjâa historiet.
N’e nesre mrrîten n’Shllak. A kaa pasë Prênda fjalë o trazime prej t’shojt e mâa s’fortit prej plakes, na gjâa nuk diim; por vetun diim me kallxue se asajë nuk i shkoj neper mênd mâa me ikë prej kunorës s’parë, e, se, mas kater vjet t’marteses, i fali Zoti nji djalë. E Prênda e merrte ngrykë e e puthte n’mâall t’Marashit t’vogel, qi tash kushedi a ishte gjaall a jo.
Zef Harapi