Shtat vjet marteset nuk ishte kênë, a por mâa mirë t’thomi, nuk e kishte lânë Prênden i shoqi me e paa t’âmen e sajë. Edhè Lula n’ket tubë vjetsh nuk ja kishte çue, e lêe se dy gisht leter, por as nji t’falun shndet per kerkênd. Dukej se ajo nânë e kishte marrë vesht punen e s’biis, e prandej e kishte harrue prej mârrjet qi ja kish pertrîi vedit, asajë, e t’dekunve n’vorr.
Nji ditë, praa, çoj me e thirrë t’biin e vet shi prej Shllakut e n’Shas, per m’u paa per mâa t’mramen e herës me vajzë t’vet, e m’u daa prej sajë n’ket jetë. Lula ishte e ligë kah epte shpiirt.
Edhè Gjoni dau me shkue me gruen e vet per me paa t’vjehrren. Plaka, e âma e djalit, ziite e turfllote kundra t’birit: pse me shkue, pse me lânë punen, se nuk ja kishin hallin me dalë e me shetitë, e se mos t’keen dashtë ajo me rrêjtë per me ngrehë t’biin prej vedit e djalin bashkë me tê, e mandej me jau lânë gjâan e paret qi kishte. E prandej i thote t’birit mâa se nji herë: «Ruju, biir, se t’mashtron ajo Lulë: ruju Gjon, se ja sjellë shpinen nânës s’ate qi t’kaa rritë e t’kaa bâa kaq… e me u bâa me nanen e grues, qi nuk e kee kurrgjâa». Por Gjoni ndigioj fjalen e t’moçmit qi thotë: Pvet nji qind vetë e bân si t’diish vetë; e u nis me t’shoqen per Shas. Prênda muer edhe dy fmîit qi ja pat falë Zoti, e i kishte si njênin tjetrin t’shndoshët e t’bukur sikuer molla n’gêm. Mâa t’madhin e kishte trii vjetsh e t’dytin nji vjetit e gjysë; edhe nji cucë e kishte pasë mas t’parit fmii, por nuk i rrnoj mâa se tre muej e diq.
Mrrîiten n’Shas e lypen Lulen, e u kje diftue shpia e sajë.
Prêndës ju çue maall i foort per katund t’vet, e shikjote e shikjote e s’ngihej me t’paam, e permallohej. Nji mîi kujtime ju pershkuene n’mênde t’vet! Kujtoj piksparit shpiin e Gjelosh Prêlës, qi ishte farue me mashkuj vetun per shkak t’sajë: kujtoj mârren qi provoj kuer aj i malaziasi ja pat marrë erzin tuj ja shprazun bumen te dera; kujtoj kohen e fminiis qi e kishte kalue bashkë me t’vllaan, «Eh qyqja vetë» thote n’mênde t’vet, — me pasë sot Leken, nuk kishe me kênë si jam, por kishe pasë kush me m’dalë zot!» Kso farë kujtimesh shkote tuj pertrîi neper krye t’vet e gjithicilli e theerte n’loçkë t’zêmers.
Hini e bia me t’shojn e me dy djelmt e vet nd’odë kû ishte e âma e ligë.
Kuer kje n’derë t’odës Prênda disî u topit, e ja hangri mêndja se e âma po e pritte me idhnim ose ja rrihte ftyren me ndoj fjalë t’rândë o me ndoj t’shaame. Por Lula saa pau t’biin u çue disì prej s’raatit, e muer ngrykë, e kjate prej mallit, e i thote: «M’kaa marrë malli fort per tyy! N’kto shtat vjet qi s’jemi paa; a e kee mêndue kurrnji herë se po shifena n’ket jetë?» e derdhte lot. «E kta a janë fmîit t’uu?» e i puthte t’dy e i lmote. «Oh! njitash po des n’qetii; oh! saa fat-bardhë paskam kênë me paa fmiit e biis, me i marrë ngrykë, e me i puthë!» E gjithnji kjate ajo nânë e mjerë; e tuj u sjellë prej t’shojt t’biis pveti:
«E ky kush â?»
E Gjoni pergjegji «Jam dhândrri».
«Nuk t’kam njoftë» i tha Lula e u pergzue me tê.
«A jee kaa dit kshtû e ligë, nânë?» e pveti Prênda t’âmen.
«Janë perze, moj bii, gjasht muej dit qi une kam raa e ligë, paa pasun ndoj nieri t’êmin per brîi qi me m’ardhë rreth e me m’bâa sherbim. Zoti ja shperbleftë me t’mirë Tringes por qi vjen kaa nji herë n’ditë e m’a mushë ket katrovë me ujë, edhè m’bje kaa nji pikë kos e buk. Qe praa çka m’man gjaall têsh saa dit. Jam tuj hjekë vetmii, lum bia! dita s’po plaket kurr prej merziet! tre muej e kndej s’kam mujtë me u çue vêndit e me dalë jashtë, as nuk muej edhè; por kapem per nji ket konop» — e i diftoj nji cop konop qi varej prej traut e bite tu shtrati i sajë — «per ktê kapem e ndreqem n’kâmë, e kâmadoras me shkop n’dorë dal jashtë saa per vedi».
E e bia i ndigiote gjith kto fjalë tuj derdhë e tuj shîi lot.
Mas trii a kater ditve Lula çoj Tringen n’Tivaar per me marrë kistin e pareve prej doret t’Famullitarit t’ktii vênd n’êmen t’zojes t’pareve, edhè n’krye t’dyy ditve ja mrrini Tringa me pare, t’cillat ja dha Lules.
Gjasht javë ndêj Prênda me i sherbye s’âmës; e Gjoni rrîte edhè aj paa pasë pikë punet, por saa me çilë sŷyt per mandej me e marrë n’Shllak me vedi t’shoqen kuer do qi kjo t’thote m’u nisë; shkurt, aj shtîite veshtë n’lesh pse i kishte kânde me ndêj paa punë e me hanger badihava.
Saa ndêj e bia, Lula, qi perpara kishte kênë e ligë tuj dekë, têsh ishte bâa mâa mirë; e prandej Prênda u daa prej s’âmës (merrnie me mênd) me saa permallim, e u nis me dy fmîit e me t’shojn per Shllak.
Gjonin e pat rrêjtë mêndja se e vjehrra kishte çue me e thirrë t’biin per me ja bâa hyxhet paret qi ajo i kishte t’lshueme, por aty n’shpii nuk mujti me kuvênd gjâa, ndoshta prej drojet, por gjith rrugës e shtypi me fjalë: shate t’vjehrren, pse me çue e me thirrë t’biin per nji punë kote; truete t’shoqen qi ja mushi mênden me e prûu dyy dit udhë lerg; e s’mramit i vête vedit gishtin n’tâmth (e me shum arsye!) «po mue» thote «e çka m’germoj me ardhë prej Shllakut e n’Shas veç me e percjellë gruen e per kurgjâa tjeter? Ah i mârri! ah ç’trangull paskam kênë!»
Zef Harapi