Nye i XL

Aty n’at vetmii i kaloj Lula shum vjet deri saa filloj m’u thîi e m’u germuqë prej pleqsiet.

Ishte nji ditë dimnit e ftoftë, kuer i traklloj dikush Lulës n’derë, e i diftoj se nji djalë po e lypte; edhè Lula i prîni e e shtîini mrêndë.

Ajo plakë e shikjote at djalë e s’ja date sŷyt, por me e pvetë nuk e pveti se kush ishte.

Djali filloj me hîi theell n’kuvênd me Lulen e e pveti per shum punë, por sidomos per t’biin, Prênden, e per Marashin e vogel qi ja kishin pasë grabitë. Edhè Lula nuk u kursete me ja diftue t’gjitha fjalët e punët fiill e per pêe. E djali i panjoftun rrîte e vête vesh. Kishte dashtë m’u shtŷy edhe pak nder do t’pvetuna tjera, por gjaku i vlojte nder dejë, nji maall i pamuejshem ja kerkote fundin e zêmers, nji mîi kujtime e nji mîi ndjesiina dashtniet ja pershkojshin shpirtin. I nguli sŷyt n’Lulen, e mas nji grimë herë i hapi edhè krahët, e tuj u lshue n’prêhen t’sajë e perqafoj tuj britun: O nânë, o nânë, vetë jam Marashi yt biir!

Porsaa e ndjeu Lula ket êmen, sikuer t’i u çilte nji perde, e kapi ngrykë edhè ajo, e shterngoj per zêmer, e e puthte paa prâa, e tuj bashkue lotët e veta me t’birit «Ti — shkote tuj thânë — tî Marashi…?!! tî, djali i êm…?!! Ah! po, po t’njof prej sŷyve, po t’njof prej mâllit qi m’a kaa zêmra…! Oh Zot, falemi nderës, o Zot…! E kjajshin te dy si t’kenkshin fmii t’njomë.

Si pat pushue ndopak mâlli i atyne dy zêmrave, u ulne me ndêjë, por gjithnji tuj derdhë lot gzimit si njêni si tjetra, e tuj u falë nderës atii t’Lumit se, para se me dekë, prep i kishte perpjekë e bashkue n’nji shpii.

S’vonit Lula, mâa e para, nisi me folë, e «Marash, êm biir i dashtun, tash m’a kalxo punen t’ânde; m’kalxo, po t’lutem, a di gjâa ti se kû m’kee pasë hupë qyysh i vogel, e kû kee ndejë, e si t’prûni Zoti n’ket shpii tash n’pleqnii t’ême me m’ngushllue para se t’vîte mordja me m’i myllë sŷyt. Ah fol, o biir, se t’tana kto sênde do me i diit Lula, jot âmë».

E i biri mâa s’parit i diftoj se êmnin e pagzimit mâa nuk e kishte, por i thojshin Petro «Nânë, m’kan majtun n’terr tesh kaa vjet, paa m’diftue se i kuej jam; m’thojshin se m’kaa bâa biir n’shpiirt nji farë Bozha Jovanoviqit, e une ktê e kam njoftun e dashtë per babë qyysh i vocerr. Ndêja e ême kaa kênë n’Dalmacje; aty kemi pasë punen e e kena edhè».

E s’âmës i shkoshin lotët pik pik prej mâllit, e me t’knaqun ndigiote e ngrata t’birin kah kuvêndte «E kush t’diftoj per mue se m’kee nânë? e kush t’kaa prûu ktû?»

«N’kto dy muej na kaa ardhë lajmi se e kan vraa n’luftë atê, qi kujtojshe vet per babë, nder dhena t’Italjes, kû pat shkue me ushtrii t’Austriis. Bozha nuk kishte veç nji nânë e nji grue, e fmii nuk i pat falë Zoti. Nâna e tii n’kto dhetë dit kaa dekun, por perpara se me dhânë shpiirt m’tha — Po t’kallxoj morè biir, se tî jee djalë i plaçkitun prej cubave e prûu me t’majtë tu djali i êm; kam ndîi qi nânen t’ânde e kee gjaall endè, e praa mundesh me shkue tu ajo e shkreta e me ja gazmêndue zêmren se tî jee gjaall e jee djali i sajë —. M’kaa porositë me ja majtun nusen e t’birit; e une, o nânë, po t’diftoj se kam pare e gjâa mjeftë, saa mos me ju falë nji mâa t’mirit, por veç Atii qi na kaa falë! Une jam i paa martuem, kam mênden me e gjetë nji nieri saa mâa shpejt, e s’bashkut me tyy, nânë, t’shkojmë n’Dalmacje, e t’a kalojmë nji jetë t’mirë».

E Lula: «Kjosh bekue e levdue ti, o Zot, qi tek e mramja e kaq bukur m’i ndigiove t’lutunat e mia, e e çove n’vênd fjalen qi m’pat dhânë Dom Pali i Shkoders!»

Boxha Jovanoviqi ishte pas kênë zhgulë krejtë prej Tivarit qe nji zet e pês vjet, e shkue e xânë vênd e çilë punë n’Dalmacje. Ktê e kishte pasë lypun qeveria e Turkut e asajë kohë, kuer edhè e kishte n’dorë Tivarin, per saa gjaqe qi i kishte pasë bâa tinzisht me cuba tjerë shokët e vet, e qi ishin kenë diktue. Boxha vetë pat ikun prej vêndit t’vet qyysh atëherë qi aj gjaksori, qi kjè vraa n’oborr t’Mark Prêlës, para se t’epte shpiirt, e kishte paditë Dom Palit; e ky prift ja kishte kallxue punen Argjipeshkvit t’Tivarit, e ky kishte çue e thirrë e mandej edhe e kishte lypë me qeverii. Bozha, kuer iku, e pat lânë shpiin e babës ngrehët e nânen e gruen e vet e Marashin e vogel, t’cillin e kishte pagzue per s’dytit n’besim t’vet, e ja njiti êmnin Petro. N’krye t’gjasht vjetve mandej shiti shpiin e çka kishte n’Tivaar, e çoj e i muer robët atŷ kû e kishte xânë punen, due me thânë n’Dalmacje.

Tridhetë e nji vjet (kaq kishte edhè Marashi) ishin qi Boxha xûni vênd n’tokë t’Austriis, e njehej tesh mâa raja e ksajë perandorii.

Bozhes ja kishte pasë kânde nderen e luftimit. Pat dalun n’luftë kundra Ungariis, kuer kjo çoj krye n’vjetë 1848 per me i dalë doret Austriis. Por Austria nuk priti qi t’smadhohej ky zjarm i madh, por mlodhë ushtarë t’kaloriis e kâmsorë e, ndimue edhè prej Kroatve e mandej prej Rusve, mas nji luftimit t’pergjakshem mujt me e shafitë t’perziimit me 1849. N’ket luftë Jovanoviqi u daa n’shêj e doon me thânë se deri e meritoj nji çmim ushtriak.

Mas dhetë vjetve, n’1859, ndonsè i moçem afer gjashtdhetave, desht me dalë n’luftë edhè kundra Italjes.

Italja, sidomos nder ato dit, kish fillue me e shpallë dishirin e veturdhnimit, e per ket punë shum vênde italjane, t’cillat u gjindshin nen sundim t’Austriis, me armë n’dorë u çuene peshë n’vjetë 1848. Mareshali kont Radeztky kje dergue me ushtrii me i shtrue vêndet qi kishin çue krye; edhè i duel n’skâj punës qi e pat nisë. Me kaq Italjanët nuk e lshuene mêndimin e parë, por u orvatne e u perpoqne mâa fort me e bâa atdheen e vet shtet t’bashkuem e n’vedi, e per prîis patne Viktor Emanuelin II, rregji i Pjemontit, bashkë me ministrin e vet, konti Cavour; e n’ndimë t’tyne u erdh edhè Napoleoni III perandori i Frânces. Viktori i çoj fjalë Austriis, n’1859, me dalë n’luftë.

U prîini ushtriive t’Austriis Perandori vetë Frano Zefi, e vojt me u matë n’luftë me dy anmiqët n’Solferin, e muer mâjet mâa t’nelta e ktii vênd, e me 24 t’qershorit u ndez nji luftë e rrebët. Francezt shpesh herë i msyene ato maje, por paa farë fitimit. Mas mjesditet bâni nji stuhii e madhe, e Austriakët hoqne shum keq pse i rrahi n’ftyrë nji shii e breshen i madh. Perandori vetë, tuj i dhânë zêmer t’vetve, ndêjti kû ishte lufta mâa e ndezët; por Austriakve ju desht s’mramit me u smrapë me t’bjerrun t’shum ushtarve. N’ket luftë met edhè Bozha Jovanoviqi e korpi i tii kje vorrue bashkë me tjerë luftarë t’Austriis.

U kujtue Napoleoni se ushtria e anmikut nuk ishte e lodhun prej luftes s’mrame qi kishte bâa, e prandej me m’zi ç’priti me i lypun Perandori i Austriis per disaa dit nji besë qi kje lidhun n’Villafranca, e n’kaq aj vetë u forcue me ushtarë e n’gjith çka lypej per luftë. Por mas ksajë besë raane n’godi dyy ânët kundershtare, e vûene pagjen n’gjytet t’Zurigut me 10 ndanduer. Me ket pagjë Viktori muer Lombardien, Parmen, Modenen e Toskanen; e Napoleoni, per shperblim t’dalunit zot, ndali per vedi Nicen e Savojen. Viktor Emanueli ja nxuer prej doret edhè Papës nji pjesë t’vêndeve t’tia, e pushtoj Napllin e Siçiljen; e n’ket kohë u êmnue rregj i Italjes, e ndêjen e vet e luejti e e nguli n’Firencë; mâa voon, n’1870, zaptoj edhè Rromen e e bâni kryegjytet.

Petrja, a mâa mirë Marashi, ndêjti dyy javë n’Shas me nânen, e u njoft me gjith katundin, e t’tânve, por sidomos Tringes, ju falë nderës per çka kishin bâa e hjekë per me ja njitë doren dikuer Lules s’ngratë. Shpiis t’Mark Prêlës, qi kishte vojtë n’t’fikun per me i dalë zot Prêndes, ju la edhe do pare t’mira. Shkoj me i paa per t’paren e t’mramen herë vorret e babës e t’vllaut, permallshem i puthi, e raa n’giûj me u lutun per shpiirt t’tyne.

Te vonashi tuj i thânë lamtumirë gjith katundit u çue, e tuj dalë muer me vedi edhè nânen e u kthye n’Dalmacje. Ktû me nji herë lypi m’u msue n’Fee t’parve t’vet, e masi pat hjekë dorë prej shkjenimit u fejue, e mas tre muejsh edhè u martue per nji shqyptare t’vêndit si faqia e bardhë, e mâa t’parit djalë ja njiti Lekë n’êmen t’vllaat. I fali Zoti masandej edhè tjerë fmîi: e Lulës i pat dalë punë me ndêjë ngrykë e fyt me ata dymlekë, sikuer i thirrte ajo.

Saa herë e herë e thirrte ajo nânë-plakë vedin fat-bardhë!, e shpesh i kallxote t’birit t’gjitha mjerimet e t’ndollunat qi i kishte paa ajo vetë me sŷy t’vet e disaa tjera qi ja kishin diftue shoqet e veta, kuer ajo nuk kishte qillue n’shpii «M’kaa sprovue Zoti» shkote tuj thânë «me gjithfarësh, por atii t’Lumit i kjoshin falë, e vullndesa e Tii u bâftë» E kuer s’kishte se me kê flitte xiirte uratët e thote rruxaren e Zojës. Per Prênden, a muer vesht a jo per Marashin, e a ish paa me tê a jo, na s’diim me diftue; vetun diim me thânë se Marashi e Lula mâa s’fortit shkoshin tuj e urue e bekue doren e Tenzot qi t’bjen me njênen, por t’pret me tjetren dorë: t’i çon idhnimet e travajtë n’ket shekull, por nuk vanon me t’prûu ngushllimin edhè n’ket jetë, josè me t’i shndrrue n’kunorë t’lulzimit n’at jetë tjeter qi s’maron kurr. E ky t’myllun kaq i vjefshem m’kaa shtŷe me i rênduemun kto fjalë e diftime qi i lexuet n’ket liber.

T’cillin, ne e paçi kndue paa merzii, dinia pak per nderë atii qi e kaa shkrue e âsht mundue me punue diçka per koom t’vet. Por n’kjoftë se ju kaa lodhë s’knduemit, besoni se nuk âsht bâa pastafat saa me ju merzitë, e mos i vêni fajë per s’teprit.

MARIM.

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB