Nye i XXXVII

Si patne darkue Vata e Prênda, njashtû si mujshin n’at mshehsii t’vet raane me fjetë, e ne e neser nadje, kuer u çuene prej gjumit u gzuene t’dy n’zêmer t’vet se nuk kishin me bâa rrugë por veç edhè at ditë.

«Sot na paska njehë moti vrânët, e saa i mirë kje dje e mramë!» tha Vata. E pernjimênd qiilla ishte mlue me rêe a prej nji njegullës t’njinjishme, qi u dukte se at ditë s’do t’a lête diillin me shkelxye e me xee; por s’ishte frigë shjut, pse ish moti i neltë.

«Kam mêndue, Prêndë, me ndrrue tî êmnin t’ând, edhe fisin prej kahë jee, pse kshtû, a di? jemi mâa paa droe» foli Vata.

«Êmnin e pagzimit, perze m’vjen kobii me e shndrrue, fisin po…» pergjegji nusja e ikun.

«Ani vetë praa po e marr êmnin Vuksan, e per kahë fisi tî thuej se jee prej Nikaj e vete po thâm se jam prej Shalet. Por tash jam kahë mêndoj nji punë tjeter; na me hîi n’Shkoder ashtû… sikuer me dashtë e me msye shpiin t’onë, jo nuk â mirë per nee; bâjmë mirë praa t’dy me pree drûu saa per dyy barrë e me i ngarkue. Pse po qeshe?».

«Po m’vjen me qeshë, per barrë t’drûuve qi po thue; por ne i marrshim perpara duersh; po na s’kemi konopë… as diçka me i pree ato drûu».

«Per konopë, tesh po i blejë tu hanxhia i ktii katund; nji sakicë po ja marr haxhet saa per nji herë». E me kto fjalë n’gojë shterngoj rrypat e opangave e u çue. Mas nji grimet herë kthej me dyy copa konopë e me nji sakicë «Qe» tha «lum kush kaa gojë se gjithçka xjerrë». Duelne t’dy n’mal e dora dorës, njêni pre e tjetri rêndo, i bâne dyy turra t’mira, i ngarkuene e kapne rrugen per Shkoder.

Si u dirgjen prej malit e kaluene nji copë udhë t’ngurtë i raane per brîi bregut t’Kirit, dheu i t’cillit âsht shkputë n’copa t’mdhaja e kaa raa mrêndë n’rrjedhë, patne para vedit nji luginë fort t’bukur plot me rrâjë ullîsh t’trashë e t’vjeter. Kaluene praa n’tjetrin breg t’Kirit neper urë t’Mesit.

Kjo urë âsht e punueme n’guur, e âsht 112 metra giatë, naltsia e sajë shkon deri n’15 m.; t’hapunit e qemerit t’paar kaa 37 m. Ket godii, me çka dihet, e kaa bâa Venediku; thirret edhe: Ura e Venedikut; por ndonji shkrimtaar i huej thotë se e pat ngrehë Turkia; si do qi t’jeen, kjo urë e madhe kaa dalë bash prej doret t’mjeshtrit, e kaa mujtun têsh saa vjet me i qindrue valave t’rrebta t’atii farë prronit sî âsht Kiri kuer vjen mas shjut.

Vata e Prênda ecshin te dy germuqas, prej randimit t’turrës t’drûuve, njêni mas tjetrit e tuj u lkundë, e Prênda lodhun edhè prej rruget fshâni: — Oh, moj nanë, se ç’jam lodhë — Porse nâna e shkretë ishte larg me e ndîi ket t’thirrun qi po i bâte e bia e vet e me i ardhun n’ndimë. «Po ulena n’daç, e pushojmë saa ndora» tha Vata.

«A shef se sot kaa mênden me raa shii» foli djali kuer u ulne me ndêjë «por n’dashtë Zoti têsh s’po bje deri saa t’hîim n’gjytet» E njimênd qiilla kishte nisë me u veshë me rêe mâa t’trasha, e kto i shtyyte shiroku paa ja daa e vîte tuj i shumue; mjedis t’kupës s’qiillës u dukte, si neper pelhurë, rrotlla e diillit, qi, i zbeet, lshote rreth vedit nji dritë t’pakë. Moti ishte i merzitshem; por jo per nji blegtuer t’rii qi, saa kû mujte e me dorë n’faqe, kndote 'j kangë trimniet shqyptare.

«Tash mjaft pushueme» tha Vata «t’çohena mos t’na xâan nji shii i madh».

U çuene me at turrë t’drûuve n’shpinë, e i shpeshtojshin kâmët neper at fushë t’gjânë e t’hapët, qi âsht fusha e Shtojt.

Saa bâne me hîi n’zaall t’Kirit, krisi nji pushkë, e plumja u shkoj permîi krye.

«Dikush na gjujti!» briti Vata.

Fjala s’ngiati e u shprazë edhè e dyta e djalit ja njiti.

«Prêndë, m’vrane!» foli Vata e u rrxue per tokë. Prêndës n’at ças i treti ftyra, kapi kryet n’grusht, e saa mujti bertiti: «Uh qyqja çka t’bâj têsh! M’kallxo kû e pate morè i shuem» e pveti ajo.

«Qe, n’ket krah e me giasë m’kaa metë plumja n’shpatull, kqyr si po pergjakem… Prêndë… m’a bân hallall… pse t’kam marrë n’qafë…» E i pshtuene atii t’shkretit dy lot.

«Pushkë a kee aty?» pveti Prênda «mos t’vîin baremâa me na xânë gjaall me dorë».

«Nuk kam kurrfaret…» gjegji i vrami «por kênka thânë sot me m’mytë si berrin, e tyy me t’marrë n’qafë…».

Porsi langojt kuer ngasin me kâmë t’leet e turr e vrep msyejn gjojen e metun, kshtû ja behne dy vetë me armë nen dorë: njêni ndalë vajzen per krahit, e tjetri ja nep pushkë t’varruemit n’brîi, me dorë m’tê. «Ah faqezii» flet me idhnim gjaksori «mos kujto tî, kush do kjosh, se na i plaçkitë graat tu shpia aq udobisht si t’paska rrêjtë mêndja tyy» E ngrehi çark me ja dhânë edhè nji herë; por ja ndali me doren i vrami tuj i thânë: «Pash njat Zot qi vrâan e kthiill… mos m’nep mundim mâa… po t’lutem me m’a hjekë ket turr drûush… me m’sjellë marë… e… e me m’bâa kryq».

Gjaksorit i raa dhimë, e ja ndigioj luten ktii t’varruemit t’shkretë.

Vaten e laane aty, t’paa lujtun; sŷyt i kishte shperthye e i mate ngul perpjet; n’ftyrë erdh e u teer si zamaku; e kishe kujtue per t’dekun. Por edhè nuk i kishte dalë shpiirti, pse parzmi ju çote hova hova e merrte frymë me vshtirim.

Pjesa e radhës
Nye i XXXVIII

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB