Vata e Prênda u perpoqen n’e nesre n’vênd t’shênjuem. Têsh tî prehim kâmët, i thane shoqi shojt, e mos t’bâjm me hasë n’kênd. T’dy ecshin paa zâa, gjithicilli tuj mêndue e tuj kujtue marimin e ktii t’ikunit, e shikjojshin per mrapa, Vata mâa s’fortit, mos t’i kishte paa kush prej s’lergut e po vîte me e pvetë Prênden se kû po shkote me at djalë t’panjoftun.
Mungote edhè nji sahat paa raa dielli kuer e patne para vedit katundin e Vishllit:
«Paskena marrë rrugë paa rrugë» tha Vata «Per kaq kohë saa kena ecë kishim mujtë me kalue edhè dy sahat a tre pertej ktii katundit; por têsh mâa nuk po ecim, mjaft jemi lodhë sot, e po pushojm ktû n’ket mal n’nji shpellë» Edhè s’vanuene e e gjeten nji hepe t’gjânë e t’mledhët persypri, e Vata mlodh do dushk e e shtroj per tokë.
«Dita e sotçme na kaloj mirë» — tha djali kuer u ulen t’dy me ndêjë permii at dushk — «Kam drashtë se po na vêhet kush mrapa; neser e kena rrugen mâa paa frigë, edhè udhen prej kndej e n’Drishtë e dii me shkue naten per terr, pse vjeten qi shkoj e kam rrahë ket shteg saa herë e herë, me thânë njizet herë prej Dushmanit e n’ket katund Vishllit e deri n’Drishtë per me raa n’Shkoder; mandej âsht kollaj, t’çon rruga vetë».
Mas t’prênduemit t’diillit muzgu i natës filloj me raa permîi ftyrë t’dheut, e nuk ndihej robi i gjaall qi po luete n’at mal e rreth asajë shpelle, por veç era e ftoftë qi bâte me lkundë gêmat e lisave. Moti ishte i kthielltë si lodja, e t’kâjte me i paa hyjt kahë lamparisshin n’kupë t’qillës. N’ket heshtim t’natës po ndîin si nji zhuerum e cilla gjithnji vîte tuj u afrue «Palè!» i thotë njêni tjetrit; vêen vesh, qesin kryet saa pak prej shpellet; gjâa nuk paane, por u kujtuene se ishte nji barii qi po i grahte dhiive.
Saa muer bariu me ju largue shpellës, kû ishin ndrye ata dy, u ndîe nji zâa prej s’lergut, qi ushtoj n’t’tânë malin: «O mik, po ndalu nji herë» E mas pak kohet ja mrrîne dy vetë turr e vrep: «A na kee paa nji nuse ksajt pari?» — e pveten ata dy — «pse na kaa ikë ç’nade, kuer kaa dalë per drûu, e na i jena vûu mrapa qyysh prej ndandësh sahatit, por askund s’e kemi hasë; kerkush s’din me diftue se kahë kaa majtë ajo meçkë».
«Besa, une nuk shikjoj fort; kam vûu oroe kuer kam vûu, por tesh jam zbardhë prej pleqsiet, e s’m’bje nder mênd me kqyrun punët e tjerve kahë veen e kahë shkojnë».
«Po tî, qi jee êndë kndej pari, si mos me e paa?» ja bâne plakut disi me idhnim.
«E vetë po ju tham se nuk kam paa kerkênd; puna e ême, qe, âsht me kqyrun njikto dhii, e s’mund t’rrîi vetë me ruejtun nuset qi ikun prej Shllakut» foli idhnueshem plaku e suell shpinen.
«Tî do t’a diish, oj plak, e per ne na kallxosh, dyy armë t’bardha i kee prej nesh, kuer t’i duesh».
«Ju thaçë nji herë se nuk dii, e mjeftë» kje t’gjegjunit e plakut.
«Po dirgjena n’katund, e po biim m’ndoj hân, se jashtë nuk flêhet prej s’ftoftit» i tha njêni shoq tjetrit; e njimènd u nisne edhè ata bashkë me plakun.
Dy t’mshehtit ndigioshin ket fjalim, e kishin ndêjë strukë n’at hepe; u bâhej se pak kryet me e sjellë po epshin shêj, e vîshin me i xânë. Si e paane se i pshtuene rrezikut, t’dy u ulne n’giûj n’t’falun nderës, edhè thâne dyy kokrra uratë me duer njitë e tuj u dridhë n’zêmer saa s’kaa.
Pak mâa voon rane me pushue n’at tokë t’ngurët. Prêndës, tek saa i mylli sŷyt, ju pershkuene neper mênd gjithfarë kujtimesh t’turbullueshme, kaq saa i treti gjumi. E âma çka do t’idhnohej per t’ikun t’vajzes s’vet: vjehrra çka do t’qitte, e do t’njitte gjithfarë prozhmimesh kundra sajë; burri qi do t’a ndiqte paa ja daa; Shllaku çka do t’flitte keq per tê: gjith kto mêndime ja rrihshin kryet, e gjith kto kujdese nuk e lêjshin me fjetë.
Me t’kthyem t’mjesnatës e xûu nji kotullim i leet, e paa dalë drita u çue; s’vanoj e i duel gjumi edhè Vatës, qi u shtrîi shtatit si me dashtë e me i çue n’vênd gjymtyrët, e me dorë t’djathët i dha nji t’lujtun mjekrres kahë e shmajkta e e djathta, e bâni me kersitë dyy herë arrçin e qafës; u shtrîi edhe nji herë, mandej tha: Ç’paskam fjetë!», hukati njênen dorë e tjetren e i ferkoj bashkë.
«Ata dy vetë qi kan dalë me t’kerkue kan raa sânde n’katund e do t’kerkojnë e do t’pvesin per tyy sot gjith diten; por na paa hîi sot n’Drishtë nuk e lâam, e po e marrim udhen si per skâj ktii katundit» E u çue n’kamë, qiti kryet, shikjoj andej e kndej, duel edhè jashta shpellës per me paa mos t’ishte kush; por askênd nuk mujt me vegue.
Qilla paa rêe diftote se at ditë do t’ishte moti i mirë: shifej hâna, m’njênen ânë, e zbeet e paa rreze. Âna e t’leemit kishte nisë me u njye n’t’verdhë. Mâa kahë malbrêzi filluene me dalë nji pakicë rêesh t’holla e t’giata, qi muerne nji t’njyeme t’zjartë e qi vîte tuj u bâa mâa e gjaall e e shndritshme: prej mjesit t’qillve tjera rêe t’îma, si lesh i shprishun (saa me ja gjasitë) ndritojshin me gjithfarë t’njyemesh:
E bukur saa s’kee âsht qilla e ksajë Shqypniis s’âmel; u lumnon jeta ndjerzve qi e gzojnë ket atdhee t’onë t’dashtunin!
Por ata dy nuk mund e sprovojshin ket t’knaqun, as nuk u shkote neper mênd me vûu oroe gjâa. Njêni mas tjetrit duelne prejë shpellet; ecshin me hapa t’mdhaj per me u xee e e me mrrîitun shpejt n’at vênd kû kishin vûu mênden. Kapercejnë shkrepa, kalojnë male e kodra, kalojnë ara t’papunueme e pylla tuj shikjue andej e kndej paa çilë gjysë fjalet me shoqishojn; e kahë masditja mrrîten n’Drishtë. «Ktû mundena me fjetë nder shpia t’rrenueme qi kaa ky vênd» — tha Vata — «Çka; buk nuk kena per sânde, por po e shênjojmë nji herë ndêjen t’onë, e tyy po t’lâa ktû e m’a ndez nji zjarm t’mirë, se une po shkoj me blee buk tu ndoj shpii katundarësh, e po kthehemi».
Zef Harapi