Mârren mâa t’madhen e pat Prênda kuer u çue prej kunoret e dote me dalë prej kishet. Dyy veta graa e mueren per krahësh e ajo ecte kadaal e do t’i ndrrote hapat me masë, si pula kuer i ngacrrohet nji copë pêe per kâmë. Nder dy krahë kishte gjind: e graa e fmii t’vogjel e trima e djelm, gjith ata sŷyt i kishin ngulë n’t’ngraten, e vêshin oroe t’prûemit e sajë. Si duel deret t’kishës dyy graat i vûene duvakun, e grumlli i gjindve, qi duel mrapa nuses, ja bâne per hejr, e darsmorët kapun kraha prîishin tuj kndue. Tu dera e oborrit i duel para nuses e âma e djalit bashkë me darsmore: ato qi ishin t’nji gjakut kqyrshin me ndêjë ngiat plakes: tjerat graa u çoshin n’maje t’gishtave, t’fundshmet qitshin krenat, nder krahë t’ktyne: t’gjitha pritshin kuer po ju hjekte duvaku nuses.
Kuer u afrue nusja, vjehrra e muer ngrykë, e kapi per doret, e s’bashkut darsmore e darsmorë hypne n’shpii nelt tuj vallzue.
Per nji javë rresht rrihte shpia e tyne prej gjiniive e prej t’huejve t’cillët vîshin nji mas nji me urue martesen. E kaa pasë lânë i moçmi: Kndo me krushq e kjaaj me nuse. E njimênd mas nji javet, si u largue miqsia, filluene mos me u paa ato haena t’mira, si me thânë mish e oriz, kos, djath t’paa marrun mâzet; e n’mrâme hashin pshesh n’kjumshtë e djathë, e n’mjesditë vîshin rreth me nji copë buk e krypë n’grusht me nji kokerr qep. Shkurt, mos me e ngiatë, Prênda kishte raa m’nji shpii t’vorfen, e burri i sajë gjith dimnit s’kishte punë, veret por çka punote, e me mûund t’krahve t’vet do t’mate shpiin e nji vllaa gjashtmdhetë vjetsh, qi e kishte barii. Shpiin e vet e kishin e nji tokë nja trii dit arë e dhetë kokrra dele e nji lopë.
Mas disaa ditve i urdhnuene Prêndës me shkue per drûu; edhè shkote e mjera vetun, e n’mrame kthete n’shpii me barrë t’drûuve n’shpînë lodhë e kputë. Per gjith se vîte nusja e pritte plaka me ndoj fjalë t’vraashme; «T’kam thânë» i thotë «saa herë e herë, mos me u vanue shum, por tuj ngaa me shkuemun n’mal, me i pree ata drûu shpejt e shpejt, e mandej si t’keesh pushue nji grimë herë m’u kthye kahë shpia. Edhè drûut, kqyr, me i pree mâa t’trasha; e çka janë kto krânde? Eh, t’mjerat na por, qi na kaa lânë fuqia! atëherë kishe me paa tî!».
«Une e shkreta po shkoj, kuer m’thue tî moj nânë» i gjegjte nusja «e mue drûet m’duhet me i kerkue neper mal, se turrë t’gatshme nuk gjejë».
Shpesh herë plaka e perziite me t’shojnë «Qe» i thote t’birit «mundohem e ngrata me e msue nder punë, m’duhet me e qortue kaa nji herë nadjè tuj i thânë mos bân kshtû e mos bân khâ, por, per nji pare! bân punen e vet, e mue s’m’flet me gojë kurr; t’mjerat nâna, por, per disaa t’reja, qi s’kan burrë! Kuer kemi kênë nuse na, besa na kaa rrahë burri, kaa ndollë, dyy herë n’natë!».
Edhè burrit, kuer e âma ja mushte veshtë mire e mirë, i fryhej zêmra e nuk e kursete doren me e randue mîi fatin e vet. Prênda e shkretë durote ato t’raame paa bâa as êh as oh, por derdhte lot.
Per Kshndella e majti uzdaja Prênden se burri po ja prete ndoj petk t’rii, mas premtimit qi i kishte pasë dhânë; por kû me marrë?
Edhè ajo s’kishte gojë me ja lypë, as nuk mujte me shtîi vjehrren pse e diite mirfillit qi fjalmirë jo veç s’e kishte, por turfllote e i xjerte giûhë mâa teper, e prandej shukati e ndêj me ato petka t’leta.
Nji ditë i tha Gjoni s’âmës «Mora vesht se kumarës i paska dekë djali i vetun, e tesh m’duhet neser m’u nisë per Koman pertê Drinin e m’u pjekë m’tê; sunde praa, mos harroni me gatue nji buk, jo t’madhe, por hieshem».
«A t’tânë deshte me e marrë me vedi e me e hânger?» ja priti e âma.
«Gjysen dajma, e m’duhet madjè mâa me e lânë aty ndoj copë, çka t’m’teprojnë» e tuj u sjellë prej t’shoqes «Mos harrò, moj tî, me m’a shtîi edhè nji dorcë djathë».
«A kee mênden me ndêjë shum?» e pveti e âma.
«Saa t’m’ndalin perzè po rrîi, masi tesh dimen âsht, e punë e gjâa s’kam».
«Kqyr, Gjon, mos u ndal shum, i tha e âma «pse na lên keq».
«Hajd tî» ja priti djali tuj lujtë kryet, «Saa t’jeen lala Gjoni, hani, pini e kndoni; kuer t’desë lala Gjoni, merrni shkopin e kerkoni».
N’nesret n’tre sahatin duel Gjoni prej shpiet me pushkë, me strajcë t’bukës, e me nji shkop n’dorë, e muer rrugen e Komanit. Mas nji copet rrugë t’vshtiirshme, qi do t’u bâte neper shkrepa, u gjet n’breg t’Drinit, qi ishte i rritun bukur mirë. Per kalim t’atii ujë gjet nji trap, nji trung t’gavrruem, qi ishte m’nji farë mndyret i holluem kahë mâjet; Gjoni hîni mrêndë. Dy vetë u vûune me vozitë e me mûund shum e kaluene at vaa t’rrebtë t’Drinit e duelne n’tjetrin breg.
Mas prêndimit t’diillit mrrîiti n’shpii t’kumarës, kû e pritne si â mâa mirë e i bâne shum nderë.
Gjoni i bâni disaa dit tu shpia e kumarës, edhè dote me u kthye n’familje t’vet; por e ndalte kumara e lutte ndrikulla me ndêj, e aj do t’rrîte.
Shum ja kishte kânde Gjonit gjojen, e prandej lypi nji Komâns i cilli t’kishte nji zagaar t’mirë e me dalë me gjue lepra, edhe e gjet. Duel praa me at shoq n’pyyll; por kuer kjene ktû, i vûni porosii shoqi: «Kqyr se n’mjedis t’ksajê pyllës âsht nji pêmë qi thirret — pêma arit — e vênia mênden mirë mos me e shprazë pushken gabim, pse, ksajë pêmë me bâa e me i raa plumja gând, vaj halli per nee t’dyve; pse roja qi rrin nen dhee nuk duron as me i raa n’hekur as me ja hjekun nji gjeth, as me e prekun me dorë».
«Çka po flet!» ja priti Gjoni qi kishte ndêjë gjithnji tuj veshtue habitshem «Po pse i thonë — Pêma arit?».
«Pse gjethët i kaa t’praruem poos pêmve tjera» gjegji aj shoqi.
Kahë u êndshin mas leprave, i qiti shtegu me paa forcomjen Dalmatine e cilla duket si me kênë nji gjytet i vogel: kaa nji kshtjell t’foort, dyy trii faqe muur shpiash, e ndonji shej t’nderteses e kurrgjâa tjeter. Paane edhè kishen e hershme t’Sh’Njonit, prej t’cillës nuk kaa metë tjeter shêj, por disaa rrasa t’mlueme n’myshk qi shifen nepermjet t’lisave. Prej ktii vêndit shoqi ja diftoj me gisht Gjonit kû ishte — pêma arit — «Ky vênd i jonë âsht vênd i bekuem e âsht i moçem têsh kush e di saa mîa vjetsh! Mas njiktii malit» e ja defshote Gjonit «âsht mali i vorreve i katragjyshave t’onë; me i paa por, saa shum vorri âsht, morè Gjon, edhe tî habite!».
Zef Harapi