Nye i XXXI

Dyy javë para Sh’Mihillit Prênda vojt me ju falë nderës t’Pershndritshmit bashkë me t’âmen; u fal e u muer ndrykë me plaken e i lypi t’falun per trazim qi i kishte pasë dhânë; u fal me t’njofshmit: «Lamtumirë» u thote, «s’kena me ndêjë e me kuvêndë mâa bashkë, n’ket jetë nuk shifena mâa…» e kjaate.

«Hajt e mjerë» i gjegjishin shoqet «mali per mal por s’perpiqet, se nieri per nieri po».

Nânë e bii e edhè nji shtegtaar, t’cillin e mueren me vedi, dulen prej Tivarit n’krah t’mjesditës e mrrîiten n’Shas me natë, n’mndyrë qi askush nuk e diite t’ardhunit e vajzes s’ikun, por veç e Tringa, t’cillës nuk i mshehte Lula kurgjâa, e madjè shkoj vetë e e thirri e e ndali at natë.

N’nesret, saa filloj me ague drita, u nis Lula e Prênda prej katundit t’vet me at shtegtarin qi po i percjellte per Shkoder.

Kuer filluene me ju largue katundit, dyy graat, paa zâa, sullne kryet, e shikjojshin shpiat, nder t’cillat paane edhè shpiin e shitun, kû ishte rritë Leka e aty mrêndë e kishin kjaa; kû e kishin majtë ngrykë saa herë Marashin foshnje e ja kishin ndjellë gjumin me kângë t’amla. Prêndës ju mushne sŷyt me lot e suell kryet n’tjeter ânë.

Lamtumirë! u tha n’at ças maleve t’dashtuna kû kishte pasë lypë shpesh herë me pii ujt e njaj kronit t’ftoftë; e kodrave t’bleerta, kû kishte kênë me i kullotë delet e veta, e fushave t’hapta mlue me baar e mushë me gjithfarë pêmësh u tha: Lamtumirë! Lamtumirë, o kishë, kû mêndja m’u kthjellue saa herë e herë, kah e lutshe Zotin e jetës; kû ja porositshe t’Lumit t’gjallët e t’deknit, shpii e gjallnii, lamtumirë per mâa s’mramit o vênd i êm kû kalova t’riit t’êm!

Oh saa trishtim kaa zêmra e nierit kuer t’dalin prej vêndit t’leemit t’vet! Ket trishtim e sprovon edhè njaj qi niset nder dhena t’hueja per me fitue do pare: kishte me dashtë m’u kthye prej mallit, por fitimi i tëhjek mâa teper per mandej me kthye prep n’vend t’vet me pasunii. Saa mâa fort shkon tuj u largue sŷni i tii, aq nuk kaa t’ngiim me e shikjue vêndin e vet: i hypë merzii; me mallnjim e si i hutuem kalon vênde tjera; shef katunde e gjytete plot me gjind qi shkojnë o vîin; shpia mas shpiash, rruga mas rrugash, e i bje t’therun n’zêmer per vênd t’vet; e kuer ja ngulë sŷyt ndertesave t’bukra, mênden e kaa tu bashitna e vêndit vet, mêndon per at shpii t’vogel qi do t’a ngrehin n’plang t’gjyshit e t’katragjyshit kuer t’kthejnë i pasun.

Por ajo vajzë ndîite diçka n’zêmer t’vet qi i thotë: — S’kee me kthye mâa me e paa katundin t’ând! —

Mrrîiten n’Shkoder; lypne Dom Palin, por me t’dhimtun t’madh ndîine nânë e bii se aj prift, uzdaja e tyne, kishte dekë. «Na kaa dekë» i tha Lulës goja e parë «ndera e jonë, shtylla e jonë, e kemi metë si t’vorfen paa tê».

«Çka pat qi diq kaq shpejt? Kuer u smûe?» pveti Lula.

«Kaa dekë perzè nji javë para Shna Rrokut; e kapi dhimë zêmret e foort per nji ditë e 'j natë, deri saa e plasi e diq».

«Dritë pastë!» ja kthej Lula.

«Njimênd dritë pastë, se kaa kênë Zotnii i mirë» ja kthej tjetri.

Lula pveti kush ishte famullitaar n’vênd t’Dom Palit, edhè vojt tu aj; i diftoj punen fiill e per pêe; e i kallxoj s’mramit se Dom Pali i kishte pasë dhânë fjalen me e çue tu nji shpii e kshtênë deri saa t’vîshin krushqit me ja marrë t’biin.

«Mirë, mirë» i pergjegji prifti; edhè di Zoti, ja gjet nji shpii t’mirë kû e priten si t’vet.

Mas pak ditve erdhen krushqit me marrë nusen. Lula e kishte pasë shênjue me i vûu kunorë s’biis Dom Pali; e bash n’Shkoder por masi ky nuk ishte mâa, nuk ju vûu asfaret mêndimit t’parë e e la qi t’vete n’Shllak.

Mundet me e marrë me mênd gjithcilli nesh se me ç’farë zêmret t’plastë, me ç’vajë e dnesme u daa Lula prej s’biis e kjo prej s’âmës.

«Hajd mjeft kjave nuse» foli nji malcuer «hyp têsh n’kaal; qe se kaali âsht i butë, si dele». Nusja u kacavaar per samaar; ndimue prej dy tjerve dikû me fjalë e dikû me punë, hypi n’kaal. U suell e i tha Lulës «Nanë, lamtumirë» — E pershndetne vjehrren edhè krushqit me nji: — I kjoftë per hejr t’dyy palve —; e bii e krushq e lâne nânen e paa djalë n’vênd t’huej tuj e pajtue e tuj e marrë me t’mirë gjindja e huej.

Prênda, hypun maje kaalit, per nja dy sahat pat dhimë per t’âmen e dneste kaa nji herë; por masandej t’lodhunit filloj me ja harrue pikllimin; ishte gadi me e bâa gjith at rrugë kâmë e mos me ndêjë aty n’kaal e me hjekë keq. Trimat ja ngucshin kaalin per me ja bâa me ecë mâa fort: shkote tuj u tundë e mahej per samaar, por s’mujte me u lutë qi t’shkojshin mâa kadaal. Gadi mas ndând sahat udhtim mrrîiten n’Shllak.

Atbotë krisi pushka prej darsmorve qi u kishin dalë para krushqve, e s’bashkut vojten tu kisha, kû meshtari i bekoj kunoren Gjonit, qi tesh mâa e njofim, bashkë me Prênden prej Shasit.

Pjesa e radhës
Nye i XXXII

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB