Nye i XXX

Dy muej i ishin mushë Prêndës se u gjindte n’Tivaar, e kish fillue edhè me u njoftë e me u miqsue me ata gjind t’cillët u sjellshin mâa s’fortit n’shpii t’plakës per me prûu çarapë me arnue a me marrë t’porositun per ndoj punë o ndoj tjeter. Vajzen shasjane t’gjith e dojshin e e kishin per zêmer qaq mâa saa e thirrshin: — njome, loçkë, zêmer. — Disaa u ankoshin me tê se saa keq u vîte kuer t’daheshin; do tjerë, per mahii, i thoshin se nuk kena me t’lânë me shkue; kush i diftote se motra e nânës babës i ishte kênë martue n’Shllak e dekë tesh voon, e kallxote per tê se kishte pasë raa mirë e se kishte lânë tre djelm si vera; kush ja levdote vêndin e bukur e t’shndoshtë qi kish Shllaku; kush e kêmitte tuj i thânê se hie do t’i kishte nusija e fjalë tjera.

Per Sh’Njergj Lula i pat punët e ndreqne; due me thânë, shpiin e shiti per dhetë qese, e kto pare si i pat shkoj vetë e ja dha n’dorë Argjipeshkvit, i cilli i tha «gjysen e ktyne pareve i lshojmë me fajde e gjysen tjeter lên e i mêrr kaa dyqind grosh per vjetë».

«Zoti t’ndimoftë, Zotnii,» i pergjegji Lula «edhè tesh per ket Sh’Njergj kam marrë nji odë me qiraa 'i qind grosh n’vjetë; a kam bâa mirë, Zotnii?».

«Mirë mjeft, e ket qiraa e paguen vetun me pare t’fajdes, edhè diçka t’tepron; t’teprojnë… prit… qind e pêsë dhetë grosh; a po shef? kee me rrnue si faqja e bardhë».

«Zoti t’a majtë doren mîi krye, aj i Lumi t’u baftë ndimë si per shpiirt ashtû per korp» ja kthej Lula.

«E vajzen kuer t’a marrin?» pveti Emzoti.

«Fjalen m’a kan dhânë per tek deri Sh’Mihillit, por paret e fejeses edhè nuk m’i kaa çue; ç’farë pshtjellimit kaa qillue as vet as kush nuk din me diftue gjâa, por m’duhet me u ulë n’Shkoder n’ket javë e m’u marrë vesht me Dom Palin».

«Mirë bân me shkue e m’u marrë vesht me tê, e Dom Pali pvetë kû duhet e t’nep t’gjegjun tyy».

«T’paçim o Zotnii i mirë» me kto fjalë Lula i puthi unâzen e gishtit, e duel per deret.

Gjonit, masi ja kishin vjedhë n’Shkoder at pêndë qee me djallii, sikuer thote aj, ja mushne mênden gjindja e shpiis me raa per s’rii n’Shkoder e me u paa me Dom Palin e ktii me ja kallxue vjedhsiin qi ja kishin bâa, e me e porositë mund t’i vête kapak asajë punë me pak sênd, due me thânë tuj pague per at fejesë vetun nji veshë t’leet nuses.

«E te une me se jee ardhë» ja priti prifti «Une ç’faj kam pse t’i kan vjedhë tyy qeet diten per diill? Une kam bâa çka m’kaa urdhnue i pari… shkurt; une s’kam faj, n’paç me i laa ato tri çese laja, n’mos paç… me u martue i kânde gjithkuej, tyy e shokve t’uu jam tuj thânë, por duhen paret, e paa pare nuk hypë as…».

«T’lutem Zotnii, m’a bân ket ndeer, e n’kjoftë se m’nep fjalen se do t’mundohesh me ja mushë mênden s’âmës s’vajzës si thaçë vetë, njitash po t’a bie nji dash kû t’jeen mâa i miri, pse i kam prûu njâa ndând desh me i shitë».

«Dduntiin ndale per vedi qi jee i papasun mjeft, se vetë nuk punoj per fitim. Por tî, morè Gjon, a s’po dron se po t’i vjedhin edhè ato desh?»

«M’a kan djegë nji herë, por tesh i kam mêet vedit, e kam prûu nânen me i shitë, e nâna ja dìn pazarit; paret madje i lypë edhè n’dorë; ja kaa xêjen ajo, pse kaa shitë saa herë e herë n’treg t’ktii gjytet»

«Mirë, mirë kee bâa; por per punë t’pareve t’fejesës si po ja bâjmë?».

«Si t’diish tî, Zotnii, m’at dien t’ânde».

Dom Pali, si u mêndue nji grîmë herë, tha: «Hajd se me ndimë t’Zotit tesh e ndreqi vetë ket punë»

«Âshtû, Zotnii, edhè dashin, qi t’a prentova, deri mrama tesh t’a bii».

«Ani mirë, kjofsh bekue» ja kthej prifti.

Kuer erdh Lula me marrë fjalë tu Dom Pali, ky i tha: «Per urdhun t’Zotnii Argjipeshkvit une jam mundue saa kam mujtë me ja gjetë vajzës t’ande nji vênd, kû, majë uzdajë n’Zotin, e han nji kashatë buk n’qetii, paa pasë nevojë me ja shtrîi doren kuej, pse burrin e kaa t’rii, e t’foort, e t’zotin e punës; tesh per s’dytit po t’lypi tyy, si ndermjetës qi jam, me m’a falë tî, Lulë, vajzen t’ânde; a po m’a falë?».

«Tî jee baba i shpirtnave t’ona, po t’a fali me gjith zêmer» pergjegji ajo nânë e mjerë.

Dom Pali muer e i kallxoj Lulës rrezikun qi i kishte ndollë dhandrrit t’sajë, e se ky per nji herë s’kish si me i mledhë prep ato pare, pse i duhej me e ndreqë shpiin e vet, e m’u bâa gadi per darsem, e edhè do t’i pertrîite disaa çakla shpiet; «por qe» i tha «njikto dyqind grosh m’i kaa dhânë saa per nji fiill petka, e mandej m’tha se tesh ja shtoj me veer t’sotnjivjeme, me t’korrun t’grunit».

Lules s’ngratë do t’i keen raa me t’shpejtë nder mênd fjala e t’moçmit qi thotë: Vaden me verë, paret kurr nji herë; fajden me t’korrun t’grûnit, paret mâje hûnit. Por e shuemja nânë s’i prishi fjalët, e pergjegji: Vajzen t’ême, per mas Zotit, tyy t’a kam porositë».

«Por kqyr» ja priti me nji herë Dom Pali «nji javë para se me e dhânë vajzen do t’ulesh ktû n’Shkoder tî vetë me tê, e t’dyjave u xâam vênd tu nji shpii e kshtênë, masandej vîin krushqit n’ditë t’shênjueme e t’a marrin vajzen. Por kqyr, Lulë locja, me i bâa punët me rregull: te Zotnii Argjipeshkvi me shkue tî bashkë me t’ande bii, e me i marrë doren e me ju falë nderës per kujdes qi kaa per juu as me pas kênë ju… kushedi kush; edhe at ditë qi t’dahesh prej vajzes mos me u gervaall tuj kjaa; kshtû edhè porosit biin t’ânde; punët, ju lutem me i bâa me hie paa u perpushë, pse ktû âsht Shkoder, e n’ket vênd gjindja me mzi ç’presin me vûe oroe e me qeshë.

Edhè Lula ju fal nderës priftit nji qind e nji mîi herë per msime t’vjefshme qi i nepte.

Pjesa e radhës
Nye i XXXI

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB