Gzimi mâa i madhi qi pat Gjoni kjè, perpoos qi i shiti at pêndë qee, se u gjet me nji tubë pare n’grusht. Me nji herë i shkoj neper mênd me ju rrasë ndoj pijetores; aq pare, thote prep, saa t’harxhis i fitoj, shndosh por vetë e krahët e mîi! — Lypi vêndin, ku e kishte ngulë mênden e vet, edhè hini mrêndë.
N’at pietore ishte zhurm’ e madhe. Nji shkarth shkote e vîte, shpejt e shpejt i bâte sherbim gjindve qi kishin ardhë me pii: dikuej i çote pêsdhetshin me rakii, dikuej i merrte qindshin me ja mushun persrii, tjerve i vête para edhè panicen e mezes. I zoti i dugajës tek pau se hîni myshteria i rii, u çue prej nji stolit, e i duel para — «Qe, i tha, njatjè kee vênd saa me dashtë» — «Po, po» kjè t’pergjegjunit e Gjonit.
«Çka po don?» i tha shkarthi malcorit «a rakii a vênë? saa po don»
«Nji qindsh rakii, e mirë t’jeen, edhè meze m’bjè».
«Hajt tî!» ja priti shkarthi, e ky s’vanoj e i prûu çka lypte. Si e kulloj at qindsh lypi prep nji qindsh tjeter; t’a sosmen edhè ktê, lypi per s’tretit me e mushë shishen, por i tha shkarthit kuer ja pruni «Çka âsht kjò rakii, morè, kaq e butë qi n’vesh me m’a qitë une nuk e ndîi?».
«Qe praa, gjith kto gjind janë tuj pii kso rakiet, a por ndoshta jee msue me vênë t’trashë Zadrimet?»
«Joo; çka po thue? s’mund t’a vêe as n’buzë, por anì, po pii qisojet» E e kapi shishen, e çoj perpjetë, e e rrahi per tryes.
Gjonin kishte fillue me e xânë rakia e prandej po i dukej si mâa e butë, por goten s’dote me e lânë. E kaa pasë lânë fjalë i moçmi: m’saa mundet me ndêjë fmia paa buk, aq mund t’rriin pijaneci paa rakii — Nji nieri nuk msohet me nji rêndit me pii, por ja nisë pijes saa pak nji herë, e ket pakicë kuer nisë edhè me e shpeshtue, s’kalou shum kohë e shtyhet n’pije pak mâa teper, e t’filluemen me e lânë per ndoj ditë s’vanon e i kthen dishiri i perparshem; n’mndyrë qi atii i bâhet petk e s’mund t’a hjekun; âsht e diitun mandej se per dam t’tii si kahë t’shpikunit e pareve ashtû per kahë t’shndjerzuemit e vetvedit, e kahë t’fikunit e shpiis s’vet!
Prej rakiet Gjonit i kishte raa huj me kndue; edhè njimênd ja filloj kanges. Gjith aj njeri qi kjè n’at dugajë suell kryet e nji nder ta foli «I duel tymi» e shperthej gazi prej t’gjithve.
«Mos kujtoni, morè burra, se jam piishem… por m’kapi merzia ktû vetun, e ja dhaç kanges» Me kto fjalë desht Gjoni me e laa vedin.
«Kndo, kndo, e t’lumët goja» pergjegjne disaa «po n’a kânde edhe nee; tesh kahë herë kemi ndêjë shurdhë».
«Oh! u turrsha t’tânve me ndeer e me faqe t’bardhë» e i malcori e kputi t’katertin qindsh per nji herë e shishen e ferflloj n’qellzâne. T’gjith ja pritne: «T’bâftë mirë, morè, t’bâftë mirë» E n’kaq grimcat e thermiat e gastares ciklluene n’tokë.
«M’kallxoni tesh kush kjè aj qi tha — i duel tymi — Shndosh kuleta e ême, se tymi s’kaa per t’m’dalë kurr, por tymi i daltë atii qi m’tha mue… A po qeshni a? mêet i kam n’vênd; une s’jam bâa edhè çka kujtoni ju… Kam shitun nji pêndë qee, e nji qind grosh pare t’thata m’i dha n’dorë, kusurin vî e ja marr edhè dyy javë tu Xhamia e Kuqe… Paret s’kaa si m’i haa; vî e ja xjerri me perdhuni me qeverii… Une dola mâa dhelpen se aj: i lypa me m’diftue êmnin, edhe aj m’a diftoj êmnin e vet; i thoshin: Hasani qi luen veshtë…». Prej ktyne fjalve t’mrame t’gjith saa kjene u zhgrehne n’gaz, e njêni qeshte mâa teper se tjetri.
I zoti i pijetores tuj paa se Gjoni ishte dejë e bâa bryl e se prep po lypte me pii, e shokve t’tii u kishte kânde me u mehitë e me bâa harush me tê, ju afrit, e ju lutej tjerve qi mos me e ngucë; e lote t’piimin per krahit e u mundote me ja mushë mênden me ardhë e me raa. Por Gjoni kthete prep n’at fjalë: — anì, kush me m’thânë: i kaa dalë tymi! — e shkote tuj levdue vedin, baben e fisin e vet. Por çka, atò fjalë: hajd tash e t’shkojmë me fjetë, tringllue shpesh herë n’vesh t’tii, s’mramit i hîne n’krye, e ju desht domosdò me ju shtrue kshilleve t’zotit t’dugâjës. E shterngoj vedin; hapi krahët, i nguli n’tryesë; muer nji herë e dyy me u çue; fshâni, i u mueren kâmët: s’tretit, ndimue prej t’zott pijetores, u ndreq. Aj gjithnji shkote tuj u majtë, e tjetri tuj e ngrehë kapak e çoj deri tu nji derë. Aty Gjoni, kahë ndju t’pershndetunat qi po i bâshin e ankimin: — ç’kênke pîi kâmësh! — u suell me t’shpejtë: e mos me pasë kênë majsi i vet me ja njitë krahin mirë, kishte raa n’kokerr t’shpinës: suell saa kryet, e, me tjetrin krahë qi i rrîte shliirt, pershndedi gjith at nieri.
«Qe ktû mrênd praa kee me fjetë sunde» i tha aj trimi, e e shtîni n’nji odë. Gjoni kuer e paa shtratin qi po e pritte gadi, u gzue: e shikjoj t’zotin e dugâjës me dyy sŷy qi herë i shndritshin mâa fort se kurr, herë ju errshin si dyy xhixhilloja: shtrîni krahët me e qafë at burre bâamirës n’shêj t’miradies, por ky ju largue; atbotë i tha: «T’daltë n’at jetë, se, besa, fort lodhë paskam pasë kênë» Por shitsi i pijes e la me fjalë n’gojë e mylli deren per jashta.
Zef Harapi