Nye i XXIX

Gjoni, kuer u çue ne e nesre, u çue me tre pash diill.

«Saa mirë se!» ja pret i zoti i pijetores, kuer e paa «po m’duket bash si agë, a thue se tjeter kush punon e fiton per tyy». Gjoni nuk i dha t’gjegjun, por m’nji i ferkote sŷyt.

«A deshte edhè pak rakii? se t’bân mirë tesh n’nade» i tha shkarthi.

«Joo, mâa mirë mos t’a kishe pii as mramë, por ûja m’paska marrë, e deshta pak buk me ngrânë pse qyysh djè n’mjesditë s’kam shtîi gjâa n’gojë: qe praa dy metelikë per buk e nji per djathë».

«Sot paske ndjehë si bylbyl; mrâmë jee kênë pak smûet, por na kee bâa edhè me qeshë» i tha njêni qi hîni q’at herë n’dugajë e i cilli kishte pasë qillue tuj pii edhè aj.

«Çka me bâa? s’kalohet ndryshe kjo jetë, por me shokë, me rakii e me budallii» i pergjegji i shllakci, e qeshne t’madhe dy tjerët.

I erdh buka e hangri. Si u ngîi, pveti a ishte kush qi do t’u niste per Shllak «Çka po dii un ktû me tyy» ja bâni i zoti i pijetores «kqyr, lum daija se do t’m’laash çka kee pii mramë e edhè t’bûjtunit».

«Joo, he qên, t’bûjtunit! çka po flet, e çka po thue? tî a s’e din se kam kênë lodhshem? tî me e bâa pak edhè per hater t’Zotit; mandej, a pak kam blee tu tî rakii a? jo pês metelik a tre, por kam pii nji okë qi bân kushedi saa!».

«Besa besë, jo, nji okë, por nji okë e gjysë, e t’duhet me laa tet grosh, pse kaa kênë aso s’miret, edhe t’fjetunit t’bân dy, e bâjnë gjithsejt dhetë grosh» foli shitsi disi me idhnim.

«Çka kujtove tî? a jee burrë a çka jee? mâa liir me m’marrë» ja priti i malcori «edhè nji okë e gjysë s’e kam pii, por tre qind derhem, qi na bâjnë nee kater grosh e gjysë n’tre grosh oken e nji metelik e gjasht pare t’fjëtunit; q’aq mjaft kee, e mos e ngiat tortë tuj bâa llapa llapa!»

«A shpejt ktû dhetë groshat a t’i mora me perdhuni me zaptii» ja kthej i zoti i dugajës.

«Kadaal, kadaal pak; a po m’flet kshtû pse gjindem n’dhee t’huej a? ndoj sênd me m’a ulë se shum m’kee lypë perzè» tha i shllakci si i zbutshem.

«S’due veta me bâa llapa llapa n’dugâjë t’ême; anì per hater… t’a diish se per hater… po t’i uli dy grosh e m’lajë veç tetë» foli tjetri.

«Hajd, hajd, per hater, t’êm m’i lên edhè dy grosh» i tha n’t’lutun Gjoni.

«Nji fjalë e nji, e s’bâhet ndryshe» Gjoni ja lshoj n’drrasë njênen nder ato mixhida e tha: «Qe, m’a the, edhè ndal paret t’ua».

Tuj i shtîi paret n’kuletë e tuj ja lidhë gryken ksajë, Gjoni tha: «A thue do t’gjindet kush, manâ, qi niset per Shllak?»:

«Shko tu hâni i Meho Çardakut, ndoshta gjindet kush qi kaa mênd m’u nisë; sot edhè e êjte âsht» Kshtû dugajxhia «E shko, Metë, e çoje deri aty» i urdhnoj shkarthit t’vet.

«Ktû mirë metsh».

«T’mira paç e udha e marë ja priti i zoti i dugâjës malcorit.

Shkuene tu hâni e per fat t’bardhë t’tii ishin disaa qi doshin me u nisë per Shllak.

Gjonit i kishte hypë nji farë kreniet jo veç se ishte i fejuem per at farë vajzet, por edhè pse kishte kênë n’Shkoder, e n’ket gjytet kishte paa e ndîe çka s’kishte paa e ndîe kurr n’jetë t’vet, edhè me mzi ç’pritte me xânë kuvênd me kênd e me i diftue e me ja levdue punët e gjytetit.

T’diillen para meshet u nis edhè aj me shkue n’kishë, e, t’i paamen per s’lerg disaa shokë e dashamirë t’vet ndêj rrotull n’oborr t’kishës, desht me shkue edhè aj m’u perzie me ta. Gjithnji n’mênde t’vet shkote tuj thânë — saa t’avitem tesh po bâjnë t’tanë byy n’kamë —. Kshtû kahë mêndote me vetvedi kuer ju avit ngiat u tha: «byy burra».

Saa kjene aty u shperthej gazi, e t’shkretin Gjon e mloj mârrja; s’ju bâa me ndêjë me at shoqnii e me durue gazet e lojnat e gjithcillit asish, por ju desht me vûu thêmrat kahë kishte vûu gishtat e u daa prej tyne.

U mushne dhet ditat, e Gjoni u ul per s’dytit n’Shkoder. Vojt fiill tu Xhamia e Kuqe, shikjoj mirë cilla ishte dera prej sokakut, edhè dau me mênde t’vet me i krisë nji derës s’madhe «Kush â?» pveti dikush mas kapakut. «A rrîn ktû Hasani qi luen veshtë?» pveti Gjoni.

«Ksajt pari nuk diim se rrîn aj nieri, por shko e pvet n’pazaar» kjè t’gjegjunit.

Msŷni nji dugajë, qiti kryet: «A rrîn ktû Hasani qi luen veshtë».

«Pse? Ç’punë pate me tê?».

«M’i kaa do pare per t’m’i laa, dyy qese paa kater mixhida».

«Pvet at dugajen q’aty, se aj do t’a diin» Edhè i malcori shkoj per fjalë t’tii: «Puna e marë! A gjindet ktû Hasani qi luen veshtë?». Kshtû e ênden t’shkretin e lujten me tê, e tek e mramja u kujtue edhè aj vetë se e kishte rrêjtë e thaa aj nieri qi ja kishte njitë vedit êmnin Hasani qi luen veshtë, e se ja kishte blee at pêndë qee per kater mixhida e jo mâa. U bâa me vraa vehten prej idhnimit, por teper voon.

Pjesa e radhës
Nye i XXX

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB