Nuk âsht vênd kû gjindja s’e kan per ves ç’farë do t’keqjet o zakonit t’mrapshtë. Me pasë na per t’shetitun, kishim me ndîi: ktû graat, qi janë shprallca e mêndues-kqia, nuk diin as me shkrue as me kndue, por fjalen e sherrit diin me e ujdisë mâa s’mirit e me e perpaall me mjeshtrii; atjè gjindja doon me diitun punët e tjeterkuej, shum llapojnë e vêen gojë n’kênd; ktû punon parja, ecë fjala, kryhen punë t’paa-udha; atjè sundon resa e mnia ndaj shoqin e miqsia âsht veç e fjalë.
Gjind kso fare nuk munguene me ardhë e me e pvetë plaken sî e tek per at vajzë, a do t’rrîte shum e a doshin me e folun kûnd e kû mâa s’fortit. Por plaka u pergjegjte «Zotnia Argjipeshkev m’a kaa porositë; kurkuej nuk i duhet gjâa me diit mâa giatë».
Prênda e kaloj at dite tuj kjaa e tuj dnesë per t’âmen; n’nesret i lypi ndoj punë doret plakës, e cilla i dha me harnue do çarapë. «Qe — i tha — duhet me i punue mirë pse janë çarapët e Zotniis, e aj si Zotnii qi âsht e lypë punen si Zotnii e jo si kushdo!» Vajza paa bâa fjalë e me krye ulët u vûe me punue m’nji skutuliq odet, n’mndyrë qi mos t’i bite kuej fort n’sŷy e t’rrîte lerg prej gjithkuej.
Kaluene qishtû gadi dyy javë dit, kuer m’nji kohë mramjet erdh nji djalë e e lypi Prênden. Plaka i pergjegji: «Na, Prêndë, nuk kena ktû n’ket shpii; jam vetë vetun, por hajd n’punë t’ande, djaloo!».
«Une po shkoj» pergjegji aj djali «por pata nji fjalë me ja lânë Prêndës, pse shum porosii m’kaa vûe e âma».
«Prej kah jee tî» e pveti plaka.
«Jam i katundit Shasit» pergjegji i paanjoftuni.
«Êmnin si e pate?».
«Vatë; jam kushrîi me tê».
«Prit pak» tha gruja e i mylli deren.
Mas nji grimet herë duel vajza, çili deren e ndêj mas kapakut e foli: «Hîn mrêndë; nânen a m’a kee paa, e si âsht?».
«Shndosh e kee; mirë âsht».
«E tî me se kee ardhë?» pveti vajza.
«Kam ardhë me e perfolë nji fjalë t’dikuershme…» pergjegji djali.
«M’kan raa shum turbullime mîi krye, a s’po shef?.. S’dii e mjera kahë t’ja majë… Kam ardhun n’ket vênd, e s’dii per çka… m’lên, t’lutem, n’qetii nji herë… mas sodit, n’dashtë aj Zot, zhvillohen punët… me sot m’qit n’harresë per gjithmonë…».
«Tî praa dashke me m’largue tuj m’thânë — m’qit n’harresë — por une nuk due me t’harrue tyy. E une po t’ap fjalen, ktû, se per n’bâsha m’u idhnue… dii vetë çka punoj mîi at trathtaar!.. Une ja truej jeten e t’riit t’êm nji shfrimit t’zêmers… A tî, o moter, don me kênë shkaku i t’hupunit t’jetës s’ême?.. Moter! tî kee thânë me t’qitun une n’harresë; une me t’largue prej mêç! Çka kam me bâa? E si kam per t’mujtun me t’shkoqun zêmret?.. E mas atii prêmtimit? E çka t’kam bâa un tyy, masi jemi daa? Pse kam hjekun per tyy keq, po m’a shperblen n’ket mndyrë? a pse une kam pasun dekë bash n’shpii t’ême?.. a pse pushka e trathtarit kqyrë me bâa gjak edhè mâa? a pse kemi ndêjtun lerg njêni prej tjetrit per disaa dit?»
Prêndës prej ktyne fjalve i pshtuene lott «E dii, e dii — tha — se per shkak t’êm juve ju â dashtë me hjekë me krye; anì Gjeloshi… qi m’kaa dashtë aq fort… mandej Çuni… Saa herë qi m’bjè n’mênd per kta dy, m’shperthen vaji» e kjaate.
«Prandej mue m’duket koob me ndêjë n’shpii t’babës s’êm; m’â mush mêndja me ikë e me e lânë e me vojtun n’Shkoder, e atjè me xânë vênd…» foli djali.
«E mandej?»
«Mue, si t’dahem prej vllaut t’madh, m’tokon edhè me marrë gjysen e gjâas qi kemi bashkë; mandej ngrehi shpii…».
«Kishte me kênë mirë me folun permîi ket punë me nanen t’ême josè me Zotniin Argjipeshkëv qi ktû perkujdeset per mue, se, çiltas po t’a thâm, une nuk due me punue kurrnji sênd paa bekim t’tyne.».
«Anì, ti per vedi bân si t’duesh; por une, sikuer t’thaçë, kam me u daa prej vllaut, kam me ngulë vênd n’Shkoder, por do t’rrîi si jam… e tyy edhè n’t’qilloftë puna ndryshej… kam me ardhë me t’marrë kû do kjosh; e mandej un me tyy e tî me mue kemi me shkue me shoqishojnë nji jetë t’âmel; por tesh po dahem prej tejet, Zoti e din deri kuer kemi m’u paa, veç po t’a lâa ket permêndim: t’a keesh n’mênd gjith herë se une kam vûu kryet t’êm n’rrezik per me t’dalun zot tyy e erzit t’ând» E u nis e shkoj.
Zef Harapi