Nye i XXIV

N’at mrame e âma i diftoj s’biis fjalët e Zotniis t’madh, sikuer e quejte ajo, e s’prâte tuj ja levdue gojen e âmel t’tien e kujdesin qi kishte per ta. «Têsh moj loçkë — i thotë vajzës s’vet — t’i shtrohena vullndeses t’Atii t’Lumit; aj kaa per t’na u gjetun n’ndimë e s’kaa me i lânë anmiqt me na marrë neper kâmë».

«Nânë, neser n’ç’kohë po nisena?».

«Zotnia Argjipeshkëv kaa urdhnue me ndêjun tî ktû, e vet me u nis per Shas».

«Un, nanë, paa tyy nuk muej me ndêjë, prej tejet s’muej m’u daa…» E e muer vaji vajzen e lodja loden s’e pritte.

«Qe, moj nânë — i pergjegji e âma — po t’lâa n’vênd t’êm ket grue, e cilla kaa me t’a majtë doren e kaa me t’pajtue bash si me kênë tî e bia e sajë; mandej vî edhe vetë krye javet a krye dyysh me t’paa; por tî mos u merzit».

«A s’bâhet, nânë, me ndêjë edhè tî me mue?».

«Zotnia Argjipeshkëv e kaa daa kshtû, si po t’thâm vetë, e mos e thashtë Zoti qi na me i dalun fjalet Babës s’onë e Bâmirsit t’on. Po tî ç’po kee? rri per pak ditë paa nânen t’ânde, sikuer kan ndêjë edhè shoqet t’ua… mandej, masì t’i kryej punët qi doon krye, shkojmë prep na n’vênd t’onë».

«S’kaa gjâa, moj nanë, po rrîi praa…». tha vajza.

«E prep po kjaan? têsh çka lypë?».

«Kurgjâa… por kam maall per tyy!».

«Mallin duhet me e hjekë, lum bia… vehtja s’mytet me idhnim… a po t’vjen keq têsh me t’lânë?».

«Po rrîi, po rrîi; por mos m’qit n’harresë, eja e m’shif shpesh».

«Po pasha nânen… nuk t’lên tyy lokja paa ardhë me t’paa krye javet».

N’buk e mas buket nuk u fol tjeter gjâa n’mledhii t’atyne trii vetave por puna e Prêndës e fjalët e dy Zotniive deri saa shkuene me fjetë.

Edhè Prênda raa me fjetë, por gjumi nuk e merrte prej saa e saa kujtimesh e pikllimesh qi sprovote n’vedi; q’atje prej s’vonit e xûu gjumi t’thuesh perdhuni. M’nji kohë natet u çue, shikjoj prej nji dritorjet e pau se edhè nuk kishte dalë drita, Flêete e âma, gerhitte plaka. Atbotë i duelne para pershtypjet e mrames s’kaluene e i tkurrej zêmra prej idhnimit, e prandej ja dishroj deken vedit, per mos me paa mâa e mos me ndîe t’vshtira e mjerime. Por çka, n’at ças, i raa n’mênd qi nemose mujte me e bâa nji t’lutun e bashkë me ket mêndim i leu n’zêmer si nji uzdajë e ree. Muer n’dorë uratët e u vûu me thânë Rruzaren; e, n’saa luta delte prej gojës s’sajë, n’zêmer t’vet ndîite nji farë leetsimit sikuer njaj fmia i vogel qi, kuer shkrepet ndokund e kjaan, e merr e âma e vet me t’mirë. Masi e maroj Rruxaren, uli kryet e i shtîini uratët n’qafë, gadi si me i dashtë per pêng t’asajë pagje kuer do qi t’ishte n’pikllime.

Njat herë saa i duel gjumi s’âmës, kjo e pveti Prênden: «Po tî s’kee raa edhè? uratë pse jee çue me thânë?».

«Kam fjetë mirë, besa, mori nânë — pergjegji vajza — por m’duel gjumi pak heret, e kahë s’pata çka me bâa, mora e thaçe uratë».

«Tyy t’ndimoshin si per shpiirt ashtû per korp, por m’u dha me pvetë…» ja kthej e âma «Nji amanet po t’a lâa oj bii, edhè n’deksha t’a lypsha n’at jetë: mos me e lshue uraten doret, mos me e harrue Atê, qi i kjoshim falë — e çoj gishtin perpjetë — e me e pasë gjithmonë nder mênd se jena nen hie t’Lumit».

«Mirë po e mson; ashtû duhet» ja priti plaka, t’cillës i duel gjumi prej fjalve, e rrite e vête vesh paa zâa.

U çue edhè plaka prej s’raatit e duel n’qeleer. Kuer kjè ndezë zjarmi, i dha zâa Lulës e Prêndës per me ardhun me pii kafe. «Zjarm t’mirë kam ndezë!» tha plaka kuer i hîne mrêndë ata dyy shoqe.

«T’mirë mjaft, besa, por tyy t’dalët n’at jetë ky t’pritun kaq i mirë qi po na bân neve» pergjegji Lula.

«Joo pasha buken; do kallxue e drejta pse kahë fjala del shpirti: e kaa porositë Zotnia Argjipeshkëv ket burrin t’êm me u kujdesue per juu t’dyja por sidomos per vajzë t’ânde, edhè kaa thânë se per buk e çka t’keen nevojë eni e lypni tek une, a po ndîin? vetë goja e atii Zotnii kaa folë, e s’kee rrênë prej meje».

Mas nja gjysë oret u ndîi dera e oborrit tuj krisë; ishte nji shtegtaar qi lypte Lulen me u nisë per Shas «A âsht gadi? a dole? thuej!». pvette nieri mas deret.

Lula mlodh ato pakicë tesha qi kishte me vedi e muer me dalë.

«Têsh lamtumirë» e e muer ngrykë Lula t’biin e e puthi nder dyy faqet.

«Udha e marë» pergjegji Prênda me t’fshâme, e ftyren e vet e mloj n’parzem t’nânës.

«Çka? prep po kjaan?». e pveti e âma tuj perpîi lott.

«Shpejt grue, a dole! S’kam kohë me pritë» vikati aj shtegtari.

«Qe, qe» ja kthej Lula.

«Lamentenzoon, moj moter; vajzen po ja porosis Zotit e tyy».

«Mos bajë kujdes per ket punë; por t’kjoftë udha e marë e mos na harro».

«Jo, jo» pergjegji Lula, e u nis.

Pjesa e radhës
Nye i XXV

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB