Argjipeshkvi i Tivarit praa nisi per Shkoder nji nieri n’kaal me nji leter, n’t’cillen, poos fjalve tjera, i bâni me diit Dom Palit: «Nisu saa mâa parë e kalo neper Shasë, kû kee me pvetë per vajzen e nânen e sajë, e bashkë me kto e me ket nieri qi vjen me t’marrë eja tek une n’Tivaar».
Prifti kndoj letren e i ndigioj t’parit vet.
Krisi dera e oborrit, duel Lula me e çilë, e tek e paa: «Urdhnò, Zotnii, urdhnò».
«Saa po hîim e po dalim turr e vrep; vetun per nji fjalë kam ardhë» ja kthej Dom Pali.
«Urdhnò, Zotnii, po urdhnò» pergjegjte grueja me buzë n’gaz e ja puthi doren.
«Hajd se po hîim» dha urdhen prifti, e hîne me gjith rrogtarin e me kaal.
«Urdhnò, Zotnii, urdhnò, qe, qe kndej n’ket odë» e i dha gisht kajnacës e e hapi deren n’kapak.
«Kjoftë mirë» tha prifti bashk me rrogtarin kuer hîine n’odë; e u ulen me ndêjë zotnija n’krye t’odes e sherbtori nja trii pllamë mâa poshtë.
Grueja muer gastaren e rakiis me dyy gota me jau qitë para; por prifti tha: Luloo, s’kee pse e ulë, une rakiin s’e pii, me thânë raall e kurr; kuer qilloj, a di? n’ndoj vênd teper t’mârrshem, s’t’tham se nuk e pii».
«Zotnii, nuk âsht e keqe, âsht rrushit, e s’kaa gjâa t’perziime».
«Jo, jo, per mue e…»
«E po ktii…»
«As ky… Nji kafe kishim me dashtë».
«Saa t’duni» ja kthej Lula; e suell kryet mrapa e lshoj zâa: «Prêndë moj, Prêndë, piqi dyy kafe t’mira».
Dom Pali i diftoj psehin e t’ardhunit e fjalët e Zotnii Argjipeshkvit.
«Zoti ja majtë doren mîi krye, qi âsht kujdesue per nee t’mjerat, pse na, Zotnii, nuk kemi kênd me na dalun zot; edhè tyy t’u rritt pushtedja» kjene fjalët qi tha Lula.
N’ket kuvêndim ja mrrini Prênda me palaree, e prifti, masi e kqyri per nji grimë herë, pveti: «Kjo âsht vajza, po?».
«Bash, Zotnii» i pergjegji e âma.
«Po t’diftoj moj kjosh bekue, se une me gjith juu kena kênë t’thirrun prej babës t’shpirtnave t’ona, due me thânë prej Zotnii Argjipeshkvit t’Tivarit, e qe edhè letren qi m’kaa çue» E e nxuer prej gajofit t’branavekve, e zhvilloj e ja kallxoj t’dyjave; e kto e shikjuene letren deri saa e pshtolli e e shtîni prep kû e kishte pasë. «Tesh praa, lum Lula, kam ardhë me t’bâa me diit, prej anës t’Argjipeshkvit qi t’bâhesh gadi me t’ânde bii, per neser n’nadje, e s’bashkut e kapim rrugen me ndimë t’Zotit prej ktû e n’Tivaar, tham, per tetë sahat. Qe, kahë jam habitë prej fjalësh saa s’paç harrue kafen paa pii».
«Shpiin na u dashka me e ndrye, Zotnii…?» pveti Lula.
«E po mâa…» e llokoçiti fundrriin e filxhanit e ktê e vûni edhè nji herë n’buzë e e uli n’tokë: «per t’mirë!» Mas tii edhè rrogtari «per t’mirë!»
«T’mira paçi, e Zoti t’ndimoftë e t’majtë doren mii krye e kjosh me jetë, Zotnii» kje e gjegjmja e Lulës, qi muer dy filxhanat e ja dha s’biis.
«Tesh t’kshilloj per nji punë — tha prifti — e pse t’a due t’miren bash si motres s’ême, due me thânë ket shpii t’ânden me e shitë, e ti xên nji odë me paag, s’t’duhet mâa teper; mandej paret e shpiis qi t’shitsh ja nep n’dorë t’Zotnii Argjipeshkvit, i cilli t’i lshon kund me levertii e per vjetë paguen e qiraa prej atyne pareve; edhe tî vetë punon, kuer mos t’jeesh e zoja per punë perket kryet e gjâas, e kshtû t’shkon moti si zojë e pshtetun. Vajzës — foli me zâa t’ultë — kqyr e bjeri mrapa saa mâa parë; m’ndigiò mue, se nuk t’del keq, besò mue».
«Joo, Zotnii, tyy t’lumtë goja, e ç’farë t’keqjet? as per t’mirë t’ême po m’mson» ja kthej Lula.
«Kto fjalët e mrame mos me i çilë me kênd, e vetun tesh ja permêndim Zotniis s’madh; ky kaa per t’na qitë n’rrugë».
«Mos kii frigë Zotnii, pse mue s’m’pshton gjâa prej gojet aq ndobisht».
E prifti, kahë u çue me shkue, tha: «Neser praa me u bâa gadi pse do t’nisena, sikuer u thaçë».
«Ani mirë, Zotnii — ja priti Lula — per n’ç’kohë do t’gjindena gadi?».
«Prej tre orësh o njaty pari».
«Zotnii sânde… t’ishe ndalë ktû! haena saa per Zotnii s’kemi me qitë, sikuer kishte me kênë rêndi, por çka na kaa lânë i moçmi: buk e krypë e zêmer».
«Q’aq mjafton — ja kthej prifti — por per t’mirë, se kemi raa te Ndok Lazri; aty i kam duqit edhe petkat e Meshës, qi due me thânë neser kuer bjè diilli n’tokë, se vetë Meshen s’e lâa kurr as kuer jam ndhtaar; e praa bashi naten e mirë!» e u nis.
Zef Harapi