Kuer kthej Lula prej Shkodret n’Shas, mâa e para grue qi i duel para kjè Tringa qi kish marrë vajzen e sajë ndore: ja kallxoj punen e atii djalit qi kishte dashtë me i metë n’qafë Prêndës s’shkretë, bumen qi ja kishte qitë tu dera; mundimin e vet as me e pas pasë nânë e ç’nânë, e s’mramit t’pritunit e t’vllaat Mark Prêlës.
Lula ishte bâa guur prej idhnimit. — Ah! thote, mâa mundim po m’hjek zêmra sot se kuer kam paamun Leken shtrîi, e kuer kam lânë e s’e kam gjetë Marashin e vogel… Ah! moj bii, si ja paske plasë zêmren nânës s’ate; tî paske kênë mârrja e familjes s’onë, mârrja e erzit t’babës s’yt e t’vllaut t’ând n’vorr! — Eh tî o Zot qi vrâan e kthiill, ço e m’merr saa mâa parë, e mos m’lên n’ket farë jetet kaq t’helmueme; m’daj, t’lutem, kso jetet n’hiir t’ând e me nderë, pse, o Zot i Lum, deka per mue sot âsht kapak florînit! —
Lulës s’shkretë i ishte bâa gjaku e vneri bashkë; dishrote me u shkatrrue prej turbullimeve e idhnimeve qi ja vloshin kryet e prej saa e saa bishtave qi do t’i delshin kndej e mrapa.
Nji e nji tjeter ja hashin veshët: kush i epte kshille, kush i kallxote punen e bumes, kush e pvette ç’punë e kishte hjedhë n’Shkoder; e Lula kjahej me ta per çka e kish gjetë; ankohej per mênd qi s’kishte pasë e pse me e lânë cucen vetun paa ja porositun kuej; vajtohej me ato qi kishte mâa per zêmer se vajzes s’vet i ishte pree nafaka n’shtat vênde, e se nuk kishte sŷy e faqe me e folun kund e madjè me t’vshtirë shtrîite kush dorë me ja lypë at vajzë, t’thuesh me fjalë, pse askush s’lakmon madjè me shtîi zjarmin n’shpii t’vet; e me arsye.
Prênda me lot per faqe i bâte bee n’t’dliirt s’âmës se ishte paa pikë fajit, m’saa çon mîiza n’krah. S’âmës ju mush mêndja dikuer se e bia do t’keen kênë virgjin n’ket punë; por i erdhne edhè nji mîi kujtime e trishtime per çka mujte me i ndollë prej atii djaloçit sherr qi nuk e njifte as tek se kush ishte; e prandej u lidh me e fejue kund vajzen; dyert e para jo me i msye, por me ja dhânë ndoj djalit qi t’ishte i zoti i punës e t’hate me tê nji kashatë bukë n’hitii, paa i thânë kush as andej as mâa kndej.
Kee, perze, mori nânë, nanë e shueme e e shkretë. pse i shtjen kujdes vedit pse bash njaj gjaks qi t’a kaa thaa votren, s’kaa per t’pasë mshiriir me t’a thaa krejt zêmren, kaa per t’a xânë jeten t’ânde n’gjak deri saa t’jeen thânë prej atij t’Lumit; zêmra e jote kaa me u çaa dyysh kahë kee me ndîi ushtimen e pushkve, vajin e nânës per djalë t’vraam, e t’motrave per vllaa t’varrnem, e t’nuseve t’reja per fat t’dashtun, e n’gjith ket gjâmë e vajë e lot kaa me u kujtue per nji me gjaks edhè vajza e yte, per ngaje t’cilles, sikuer kan per t’thânë, u derdh aj gjak!
Duhet me diit se masi atii malaziasit, Bozhë Jovanoviçit, i duelne shtupë gjith ato kerkime aq me sherrii, nuk desht me e çue krejt paa-gjâa; drote se ndoj Arnaut ja kaa xânë cakun e e kaa lânë qyqarin me duer n’ndîi e plot me mârre faqe disaa dashamirve, t’cillve u kishte pasë zblue shfrimin e zêmres s’vet, qi dote me e shprazë kundra familjes t’atii gjaksit t’ndyet… si thote aj.
Sikuer thame n’fillesë t’nenit XV, Jovanoviçit (qi kishte shtîi gjind me e pvetë mirë punen) i raa n’vesh se Prênden e kishte mârrë n’shpii t’vet Gjelosh Prêla i vllaj i Markut, i cilli kishte pasë qitë pushkë n’Cetinë e vraa dy malazez. Ky lajm e ndezi flakë edhè mâa, e e bâni, qyysh i thonë nji fjalës, tym prej idhnimit. I erdh edhè Uku, mas ditve t’shênjueme, me nji kaal madhnii: belin tuj e perdredhë si enême e thyeme; krahët kulaar tuj i hjedhë diqyysh me kajde, n’vetlla i kerveshun e n’ftyrë i vrânët, t’thuesh se po kaa me daa gjygjë.
«Kû jee, eh djalë samadak!» i tha Boxha Ukut.
«Tek jam o t’u ngiatët jeta!» ja priti ky n’selaam.
«Kam pvetë andej e kndej, e kam mujtë me marrë vesht se njaj i vllaj i Mark Prêlës, qi e ma vedin si i paar katundit, e kishte pasë qyysh disaa dit perpara at vajzen n’shpii t’vet; edhè m’kan kallxue ata qi kam shtîi vetë me marrë vesht se aj burrë katerqindsh!.. atê katerqind e hangshin! kishte pasë thânë se — veta i dal zot erzit t’vajzes — veta due me ja vûe vedit barrë n’shpinë me kênun strehë per at vajzë — veta due me kqyrun me ja gjetë nafaken kû mos t’a mêndojnë e kujtojnë ajo». E kto fjalë i shqyptote Boxha si n’krenii e n’qestii, kin s’po i marr ndorë kto t’daluna zot prej nji nierit qi, si thohet, s’ja kaa lânë n’rood e n’soj as i pari as i mrami. — «Due» tha prep «me shkue e me ndezë pushken me tê, n’katund t’tii, n’shpii t’tii. E praa punò si t’diish tî, Uk djali; pare tî kee prej mejet saa t’lypish, kshtû edhè shokët e tuu kan pare si heren tjeter; fyshekë po t’nap saa t’duesh; shokë merr saa t’a diish tî; por êmen mos me dhânë as kush ja kaa nisë pushkes, jò mâa me diftue kush kaa gisht mrêndë».
«Morè Gazdo» — se edhè morè po t’tham e t’preksha per t’mirë, — «a di se kjò punë nuk âsht, si i thonë nji fjalës, buk e djathë? Une kam nâam t’keq gjith kund, rrafshit e deri nder male, si cub, si gjaks, e si t’thuesh zii e mâa zii; e me u ulë veta, ashtû me sŷy çilë n’katund… a di se qeveria nuk m’ndrron me mish t’dashit? me nzi ç’pret ajò me e çue e me e shitë lkuren t’ême n’treg t’Shkodres?»
«Perze po m’duke lum Uku — ja kthej me dispjek Jovanoviçi — po m’duke, m’ndîi se po t’tham, sikuer njaj qêni i keq i cilli lshon urysh e lehë nder kamë t’njatii qi merr me hîi per deret t’oborrit e shikjon per mrapa mos t’dalin i zoti i vet me e turitë me nji — çyp, çyp; — duhet me kênë i gjaall… n’gjithçka, i shêjtanit e i mejdanit!».
«Eh tyy t’pastë Uku per mot t’giatë…»
«Çka po thue?».
«Jam tuj thânë — ja priti trimnisht — qi mos me m’i xânë fjalët qi fola: zêmer drangonit e kamë leprit due me pasë, e jam gadi me raa edhè n’zjarm per shpii t’uej, o lum zotnia».
«E une nuk thaçë qi t’shkojsh tî qyqe kallit; merr, t’thaçë edhè para, kê t’diish e kê t’duesh, e un pergjegji… Udha e maar praa; n’tyy e kam vetë t’gjith uzdajen t’ême; veç ti mundesh me m’a krye ket punë.»
E u daane.
Zef Harapi