Nye i XIX

Uku zgodhi dy shokë, mâa t’shpejtë kahë kâma e trima, e u nis t’thuesh me shênd saa me u dhânë zêmer atyne qi kishte me vedi; por n’mênde t’vet truete e pertruete Shasin e Prênden e atê qi ja kishte mushë mênden vedit me e xânë nuse perdhuni e me pushkë n’faqe: e ecte sikuer njaj ujku, qi shtyemun prej ûjet me bark t’bâam pash e me brîi qi mundesh me ja njehë, dirgjet prej maleve t’veta, kû nuk kaa veç se boor, si n’droe i afrohet rrafshit, ndalet prore, njênen kâmë t’çueme perpjetë, tuj e pedatë bishtin e repun fiesh, e i çon turîjt perpjetë palè a po ndîin eer nierit o hekrit. i ngrehë veshët, i rrotullon dy sŷy gjakut prej t’cillve mund t’dahet lakmimi per plaçkë t’vet e friga e gjojes.

Ishte pika e mjesnatës e vranët e e terrshme; zâni i robit gjaall nuk u ndîite, por vetun ndihej kanga e gjelave t’katundit; e Uku me ata dy shokë raa n’oborr t’shpiis qi ja kishte msye. Mâa i foorti nder ta uli prej cepit krahit nji traa t’paa dhênun mirë e qi i kishte edhè disaa rrêma por t’cunguem, e ktê e pshteti kaleetas buzë t’strehes t’pullazit. N’pullaz hodhne nji grusht dhee t’dekunit, per me i xânë gjumi gjindt e asajë shpii.[1] U kacavaren per at traa i pari edhe i dyti, e Uku ndêj poshtë e kishte rrokë trupin mos t’rrotullohej: ata dy vetë hypen mîi pullaz. Veshtuene, ndêjne n’prigim, por s’kishin per çka me pasë droe, pse gjindja e shpiis kishin raa dekun n’gjum. Atbotë dora-dorës filluene me zblue ndoj tjegell, vûene vesh por nuk u ndie kush se po flêete n’odë t’nêntêshme; vojten me kamë t’leet m’nji vênd tjeter, zbluene tjeglla edhè aty e ndiine t’gerhitmen e nji nierit t’vetun. Ndezne nji dritë, e qitne neper hatlla, e paane bash t’zoon e shpiis, Gjelosh Prêlen, qi ishte i vllaj i Markut.

«E tesh ç’t’bâjmë» i tha niêni tjetrit.

«Tesh me bâa çka na kaa thânë Uku; e pse presim?»

«A e njofte mirë a kjè vetë Gjeloshi?»

«A t’kaa hîi tuta kaq shpejt? nxire vrep calinen e t’qesim m’tê t’dy per nji herit». Me kto fjalë n’gojë nxuer armen mizore e shêjnoj bashkë me shoqin per biret t’hatullës e nji mas nji i dhane çark.

Ushtima e pushkes edhè nuk ishte ndalë, kuer qe i duel gjumi robve t’shpiis; tre vllazen u çuene prej s’raatit e rrokne armët, i mushne, e me ta n’dorë hîne n’odë t’et e ndîin kahë gjimon. E pvesin prej kahë i erdh pushka, e baba u pergjegji: «M’vrau pushka e t’Naltit; m’kaa raa rrfeja». Fjala s’ngiati kuer krisen edhe dyy pushkë prej hatllash, e njêni plum raa n’tamth t’varruemit e e la paa jetë, tjetri i raa per rrshit n’krah t’vllaut t’madh, por nuk ja njiti kûnd.

Sikuer njaj luâni qi, t’hasmen n’rrezik, mâa fort terbohet, ashtû ata tre vllazen marrin urysh e dalin jashta deret t’shpiis, por i dyti djalë, qi po u prîite e pat plumen n’loçkë t’zêmers e u rrxue pik gjaall. Dy vllaznit u kthyene e u ngujuene nji dritores, e qitshin n’at vênd prej kahë shifshin flakë pushket.

N’kaq ata dy vetë qi kishin hypë n’pullaz doshin me u zdrypë; edhe i pari tuj marrë me u ulë shpejt e shpejt ju rrokullis trau e u perplas me gjith tê n’tokë. Vllaznit prej dritores gjujten n’at gjaksuer edhè ja njiten. Tjetri gjaks qi kishte metë n’kulm kcej e raa n’tokë.

Katundi thirri kushtrimin per t’dalun zot t’shpiis t’Gjeloshit; por çka, gjaksit ishin kênë ikë.

Vajin e gjamen qi bâne gjindt e asajë shpii permii ata dy t’dekun prej pushket, mundet me e mârrë me mênd lexuesi.

Cubin e varruem e krejt t’laam n’gjak e çuene m’nji shpii, e me t’zbardhun t’ditës e barten e e çuene per Shkoder.

Qeveria e Shkodrës u mundue me i nxjerrë fjalë me t’butë e me t’mirë e me diitun prej t’varruemit kush ishte kênë bashkë me tê e kush i kishte shtîi me e bâa at pushkë e per çka. Por t’gjegjunit e malcorit kje si nji herë nji herë: «nuk dii gjâa».

N’fiill t’mordes lypi nji meshtaar me ja bâamun shartet e fees; edhè ja prûne Dom Palin, t’cillin na mirë e njofim prej kalximit t’deriktushem e prep e mâa mirë kena per t’a njoftë pak mâa vonë.


  1. Edhè ky âsht nji nder shum kujtime a besime t’mârra qi kund kund kaa edhè i ndjek prej t’padiet populli i ynë. ↩︎

Pjesa e radhës
Nye i XX

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB