T’kthejmë têsh tu Prênda aty n’shpii kû e kena lânë. Kahë rrîte vajza strukun, si pulë e lagun, prej marrjet e prej idhnimeve qi ja thurrshin zêmren, u dhimej robve shpiis q’aq e kaa. Prandej gjithcilli ja flitte fjalen e amel mâa teper se shoqi. N’tryes asajë i qitej haeja pik s’parit, graat u mundoshin me e tretë me fjalë me i nxjerrë kuvênd mas t’pvetunash qi i bâshin; e shtîishin me punue ndoj punë shpiet si me thânë me laa ânët, me shîi e me u qitun buk pulave; per tjeter jo, por saa me e harrue.
E Prêndës me ja pasë lshue sŷyt e me e paa t’a kishte kputë zêmren e lodhë mênden. Shpesh e mrrullte ballin, si me pasë dhimë t’padame; atbotë dyy vetllat e zeza mlidheshin me hov. Dy sŷy n’t’njyeme t’kshtêjes, t’mushun m’lot, i ngulte ndoj herë nder ftyra t’gjindve t’shpiis, sikuer me dashtë e me lypë ndimë prej tyne; kajherë i ulte me t’shpejtë, si me kerkue nji t’mshehun. Mollxat e faqeve, zbee e hupë saa pak, diftoshin qi nuk ishte, jo, e hjekun keq, por qi nji idhnim i permrêndshem e grîite. Buzët e holla kishin fillue me e bjerrë at t’kuq drandofillesh e ishin si t’zbardhueme: ishte i zhdervjelltë nder punë qi i urdhnoshin me bâa; mâa parë u çote se i thoshin: po vetun ishte fjala e sajë.
Nder gjind t’asajë familje i diftote mâa dashtnii e nderote e kishte per at vajzë theksim t’posaçem nji vllaa i tretë. Ky n’mrame, masi kthete me dhên t’baritores s’ree tu shpia, i kallxote ndoj sênd permii grigjë t’sajë; ja levdote ogiçin i cilli i prîte aq mirë tufës, i diftote se njajo delja me topa t’zez nuk kishte hanger bash mirë e me giasë do t’jeen e smûetë; e praa ishte mundue me i mledhë filizat e njomë t’ullive, ishte kacavarë per nji shkrep e maje tii kishte hiekë do baar t’njomë e ja kishte grumullue perpara, por i bâte nâze: «krejt paa hanger s’m’kaa metë jo, — i thote prep — por shijim dukej se s’kishte.» E kshtû per gjith t’prênduem t’diillit gjête diçka me folun me tê e me i kallxuemun çka do.
Ky t’prûum kaq i ndjerziishem e shtyni Prênden me e çilë zêmren saa pak e me e dashtë at djalë, e kadal-dale u zhvilluene n’tê disaa mndyra qi s’i kishte spikatë nder hera tjera: nji paqsii, nji turbullim i permrêndshem, sikuer i ndollë njatii nierit i cilli gjêen ndoj gjâa sênd qi e kishte per zêmer e kaa tshiir me e shikjue tesh e tesh e mos me e lânë me ja paa kush.
Qillon shpesh herë, mundena me thânë, sidomos nder t’rii, qi zêmra u lakmon ndoj t’mirë e cilla âsht vetun saa per dukë ndoshta, por ani; e, per at lakmim nuk priton deri me hjekun nji grimë vshtirim: sikuer njajo lulja tek saa çilë bubuqen, pshtetun n’gêmthin e hooll, e e gadshme me shperdaa eren e kândshme t’veten neper ajr t’kulluet qi i rrî per rreth. Kjo kohë do shkqyrtue me droe prej atyne qi ja kan mêet vedit, per ndryshej kêdohin s’vanon me e mashtrue e me e sjellun kahë vesi, e ky kaa per t’a ndjekë n’burrnim e n’pleqsii, e s’mramit kaa me i prîi deri tu gryka e vorrit. Nee shqyptarve n’a kaa metë fjala e t’moçmit qi thotë:
djali vesin si t’a ndjekun,
plaket, des, e s’mund t’a hjekun.
Mêndja e zêmra e Prêndës tëhjekte gjithnji kaa aj djalë, si nji shportë plot me lule tek saa t’kputuna vûe para nji zgjonit. Ajò permendote nji shoqen e vet, e cilla kishte pasë dalë jashtë nder pêsmdhetë vjetat. Kujtote se saa mirë kishte raa ajo shoqe, si e levdoshin per puntore, per e urtë, per e paa fjalë; asajë i kishte hîi n’zêmer mêndimi me e bâa at djalë t’vetin e me e marrë per fat. Ky shllim, qi deri s’vonit nuk i ishte pershkue neper krye, masi struku e e majti mshehët m’nji skâj t’mêndes s’vet, tesh ju shvillue e vîte tuj u shtue. Ajò ket lakmim e pertrîte saa hera, e kishte uzdajë qi edhè me ket mndyrë do t’u skapullote prej fortunes t’mnershme qi e shifte para sŷysh, Por mas ktii shllimit i delte para nji tjeter kundershtues: se, nâna nuk kaa per t’m’lânë me u bashkue me têne per dyy arsye: nji pse jena gjak nder vedi, t’katerët kushrî, e e dyta pse jemi t’nji katundit.
Ajo praa qiti ceken me u çilë n’fjalë me Vaten, kshtû u thirrte aj vllaj i tretë. Edhè djali nuk i lête gjâa t’mangut vajzes; edhè aj dishrote me u çilë me tê e per mos me e ngiatë lidhne fjalët qi me e mârrë njêni tjetrin me pelqim t’shoqi-shojt. «E une, tha Vata, kam me shtîi dy vllaznit e mîi me folë me baben, e m’a merr mêndja se kjo punë kaa me kênë e kryeme, per gzim t’neve dyyve; e per punë qi jena kushrîi do t’diish, moj moter, se na nuk kena regullii as n’t’tretin as n’t’katertin brêz, por n’t’pêstin, e Unjilli, sikuer e kam ndie n’predk, thotë se n’t’pêstin brêz e perpjet munden me bekim me mârrë shoqi shojn edhe kushrîit. E praa pse me drashtë ti per ket arsye?»
«Tyy t’a lumsha gojen, Vatoo, qi kaq mirë m’a hoqe ket dyshim. Por, se jena t’nji katundit e t’nji fisit a nuk kaa gjâa?»
E Vata «as kjò nuk na pret kunoren. Po ti a s’e diin se jashta Shqypniet, e madjè edhè n’Shkoder, n’Shkup, n’Pezrênd e n’gjytete tjera, martohen paa kurr farë mkatit edhè njatà qi janë t’nji fisit, t’nji katundit e t’nji mahallës? A thue se ata e çarsin Feen me ket punë? Jo aspak, se ndryshej meshtaria s’kishin per t’a bekue kunoren e tynve. Po, mâa e shumta e malcorve t’onë s’doon me diit per ket zakon t’rii, por janë gabim, pse Feja nuk e lypë gjith at shterngim, e madjè dobii t’mdhaja kah shpirti edhè kah shekulli kaa nieri shpesh herë tuj u martue n’katund a n’fis t’vet. E praa pse mos me marrë na ket lirii qi Feja jau nep t’tânve? Êm aat âsht nji nder pleqët e katundit, âsht edhè kuvêndtaar i foort, e bukur mirë kaa me diit edhè n’ket çastje me ja myllë gojen njadisave qi ndoshta doon per ket punë me folë keq per nee. Na praa kso doret me bekim t’Fees e me pelqim ti t’nanës e vetë t’prindve t’mii kena m’u lidhë me kunorë shêjte, si na dishron zêmra. Por tash nji herë duhet me pritë deri saa t’vinë nana e jote e t’kapercejn ky pshtjellim.
«Mirë fort, ja bani Prenda, edhe vet praa jam n’fjalë t’ânde.»
Zef Harapi