Nye i XVI

Uku, si duel prej shpiet t’zotniis, m’njênen ânë ishte rritë mêç pse ish kênë çue e thirrë prej atii malaziasit, i cilli ja kishte lânë n’kujdes me krye ket farë trimniet, sikuer thote vet; e n’tjetren pse i ishte zbardhë faqja e kishte per t’pasë nâam mâa teper nder t’tana ato rrethe.

Zgodh praa kater shokë, e vetë i pêsti muer udhen per Shas. E, tek raa pupca neper ara e u mshilne gjindja nder shpija e nuk rrihte mâa rruga, dulne t’pêstë prej mureve, kû ishin mshehë, pshtjellë n’tallagana me pushkë t’giata e armë brêzit; ju suellne pak katundit me paa a me veshgue mos t’u shifte a t’ndihej kush. E pernjimênd nuk hasne n’rob t’gjaall as s’ndiine zâa nierit perpoos t’lehmen e qêjve rojtarë. Kaluene edhè kaleetas brîi shpiis t’Lek Prêndit, sikuer i thoshin ata: e kjo shpii ishte mâa e shueta nder tjera. Kapercyene gardhin e raane n’oborr; dy vetë ndêjne tu dera e oborrit. Shêj-shêj nji dritores s’shpiis ishte nji lis; mêndoj me hypë m’tê e me paa mrêndë n’odë prej dritores, qi ishte lanë çilë; por prep e kishte drojen mos t’u daate nieri nder gêma masi kta ishin t’zhdeshuna prej gjethve. Muer dy tjerët mas vedit tuj u thânë: «Mos t’ndihet mîiza, kqyrni kû vêni kâmen, mîiza mos t’ndihet» e prini deri tu aj lisi.

Frymë robit nuk u ndîite, e Uku dishrote qi vajza, t’cillen kishin ardhë me e plaçkitë, mos t’i veshgote e t’lshote zâa, por kuer t’ja beshin me dorë n’tê e ashtû t’zatetne t’a qitshin jashta deret t’shpiis sajë.

«Çka t’na thuesh Uk loci, i pergjegji nji nder ta — po na ktû pse kemi ardhë, as me bâa diçka?»

«Besabesë — ja kthej tjetri — n’hishîm me pritë, po na pret e zeza… nji vikamë mjafton e nee po na i hjedhë puplat, po na bân me ikë tym doset?».

«Fol kadaal, ruje zânin! — i tha Uku tuj ja vûe doren gojës s’tii — A di çka kishe me bâa mirë? Permasi jee i leet si shqarr, me hypë n’ket lis me kqyrun mrêndë n’odë, me prigiue, mandej me u ulë paa lkundë lisin, kaleetas, e me m’i diftue fjalët goja goja».

«Edhe kjò punë mund t’bâhet» i gjegji shoqi. Mas ktyne fjalve rroku trungun e lisit e, saa çilë e myllë nieri sŷyt, u njit perpjetë. Dy vetë tjerë ndêjne poshtë e me gojë hapët e paa zâa shikjoshin perpjetë.

Si u ul prej lisit i diftoj Ukut çka kishte paa e ndîi: «Mrêndë n’odë âsht terr, saa me shtîi gishtat n’sŷy, nji krizem e ndjeva, po ju a e ndiit?»

«Joo» kje t’pergjegjunit.

«E praa kjo krizem m’u giaa sikuer me myllun kush ndoj kapak arket».

«Hajde têsh praa t’shterngohena» kjè urdhni i Ukut. Troklloj leetas n’derè t’shpiis dyy herë: kerkush nuk pergjegjë: rishtas troklloj, prep jo se jo. Atbotë thrret edhè nji shoq i cilli rrîte me nji tjeter tu dera e oborrit t’thuesh me ruejt a me pritun urdhnin e t’parit t’vet, e njêni kaliboç tjetrit u kacavaren e hîne prej dritorjet n’odë; por nji met poosht. T’tre vêen vesh aty n’terr si patat neper niegull, por gjâa s’ndihet. Ndezin kafin me unuur, kallin nji fleg pishë, por aty s’pane kênd. La n’at odë nji shoq, me pishë t’ndezun e vetë i dyti e me pushkë n’dorë dulen n’odë tjeter per me kerkue; as aty nuk ndiin gjâa. Kthen tu shoqi, qi e kishte lânë vetun, e e merr mas vedit me at pishë t’ndezne. Kqyrin oden e zjarmit, por s’shofin kênd jo veç por as zjarm n’voter; kerkojnë shpiin poosht e nelt, n’maje t’gishtave, por n’askênd nuk hasin. «Hejde, hejde Ali Dervella, dreqi t’shtîni nder punë t’thella» tha idhnueshem Uku. At herë nuk e patne gjith at vshtirim, por i pshtjelluene teshat e shpiis e i bâne nji me nji, por nuk gjetne çka lypshin; vajza ishte tjeterkund.

Plot me dispjek s’bashkut u kthyene ata pêsë vetë sikuer njajò tubë balash qi, masi t’a ndjekuu paa as farë frytit nji leper, kthejnë tu i zoti me turîj vaarun e me bishta nder shalë; kshtu Ukut me kater shokë i duhej me i dalë para gazdo Boxhë Jovanoviqit.

Ket nuk e xête vêndi vênd, por delte jashtë e hîte mrêndë, shikjote prej dritoreve: i kaloj n’nji mîi mêndime e kujtime gjith dita e giatë. «Çka do t’i keen ndollë atyne qi nuk erdhne? u bâa natë… mos t’m’gjêjnë sherri prej Qeveriis t’ktushme? Joo, perzè, as per ket qeverii s’po kam dert m’saa per nji hundë burrnot: shndosh Gospodari; une jam i malazias, me m’a marrë kush jeten mue, shtrêjt m’paguhet gjaku; dyy taborre, tham, shkrîhen per mue!.. Mandej pse e drue at familje…? çka mâa nji plakë…! Ç’kaa me u gzue shoqi i êm kuer t’i kallxoj! — e i kthete mêndja tu vajza — Drue se kaa me ndêjë ktu n’ket shpii sikuer njaj shpêndi i eger ndrye n’kafaz… Kam me e zbutun vetë… kam me e veshë e me e mathë si t’m’thonë, çka t’m’lypin… Por u errë, e edhè s’po vînë»

Saa ishte Bozha tuj kuvênd vetun per vetun kto sênde, u ndîe nji… rrungullim n’derë; vên vesh, çilë dritoren, qet kryet — Kênkan ata!.. E po plaçka? nji, tre, pêsë; q’ata qi janë nisë; kush tjeter s’kênka me ta! eh ç’paskam shtypë ujë n’havan têsh kaa herë! —

«Çka kjè, çka kjè? a t’duel kush para n’udhë?» pveti Bozha Ukun.

«Nuk âsht burrë qi na del nee kush n’pritë, — pergjegji njaj cub — «na kemi hîi mrêndë n’shpii t’vajzes, por nuk âsht aty» e ja kallxoj punen fiill e per pêe.

«Tî paske diit me i ardhë punës mâa bukur s’kaa — tha Bozha, — por… dikush kaa raa n’eer… m’a kaa bâa per rrêng… por kaa me m’paa, e une mos kjosha i Gospodarit t’êm, n’mos e bâsha t’êmen… ket punë due me e lypë me gjak… Têsh ju shkoni nji herë, e tî Uk duku prep sot nji javë ktû n’shpii t’ême e t’merrena vesht bashkë».

Pjesa e radhës
Nye i XVII

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB