Nye i XV

Nji nder mâa t’mdhajat ngushllime qi mundet me pasë nieri n’ket jetë âsht miqsia: nji nder ngushllime t’miqsiis âsht kuer kaa nieri me kê e çilë zêmren e vet me diftue ndoj punë t’mshehtë t’veten. Têsh tî, miqt nuk janë dy e dy, sikuer t’martuemt; gjithcilli mâa t’shumen e herës kaa mâa teper se nji, n’mndyrë qi kapet varg njêni me tjetrin, mik mas mikut, e me t’vshtiir u gjindet marimi. E kuer praa nji mik dishron me e pasë at ngushllim, due me thânë me ja shfrye zêmren nji tjetrit, e ngucë edhè ktê me pasun at ngushllim qi e kaa vetë. Kshtû prej mikut besnik n’mik besnik, puna e mshehtë kalon at varg t’giatë kaq saa mrrîin n’vesh t’atii o t’atyne, nder saa qi i pari, kuer foli, nuk desht me ja diitë e me ja marrë vesht robi i gjaall. Prep, me kênë dy miq nder vedi e qi e njofin sho-shojnë têsh kaa mot, atbotë fjala e kshillit o nuk del aspak ose ne dalët nuk merr t’hapun t’madh. Por çka se janë disaa nierz qi kan miq me qinda, e kuer fjala e mshehtë kaa raa n’vesh t’njênit nder ta perçapet e perfolet gjith kahë e vjen tuj u shumue, e ec mandej e ndale! E kjo punë ndollë sidomos kuer ndo 'j fjalë e mshehtë bje n’vesh t’ndonjênît qi kaa ânda me llafosë. Na e diimë se nevoja mâa e madheja per nierzit maar âsht t’llafosunit; e sêndi mâa i pari i llafosniis âsht me diit gjithçka, me i marrun vesht punët e me ndîi çka bân ky e çka bâni aj!

Gojdhâna e ndollsiis, per t’cillen jemi tuj shkrue, nuk din me na diftue neper saa gojë kaloj puna e Prêndës, e kshtu, per mos me e ngiatë, edhè atii djaloçit malazias i kishte mrrîit fjala se vajza, qi dote me e marrë, e kishte lânë shpiin e vet e ishte mshehë n’shpii t’vllaat t’parit katundit n’Shas.

Bozha Jovanoviq (kshtu u qujte aj djaloçi) masi u mundue me e ndjellë Prênden me fjalë t’mira, masi u rropat me e mashtrue me mahii t’pagiashme, e masi ja ndezi edhè bumen tu dera, u kujtue s’mramit me e plaçkitë mrêndë n’shpii t’sajë, pse thote n’mênde t’vet se do t’ishte marrë vesht keq, e praa nuk do t’kishte shkue vajza n’shpii t’huej. U çue praa e vojt me ja zblue punen gjith qyysh nji shoqit t’vet, i cilli e kshilloj e e nziti me gjetë kater burra t’leet e t’shpejtë si shpêndîit e kta me i hîi vajzes tînzisht e me ja prûu paa e marrë vesht robi i gjall por kuer t’errin e mos t’ndjehin.

Mas kshillit t’atii shoqit çoj Boxha e thirri Ukun, cub me zâa, (ket êmen e kemi veshgue at herë kuer u fol per t’grabitun t’Marashit t’vogel). «Prep po m’thirrka per nji punë t’madhe — tha Uku me vedi — eh, ç’m’paska raa spata n’mjaltë!»

«Uk! — tha Bozha — prej nji sprovet qi due me t’bâa kee me e njoftë edhè tî vedin a viin a jo. Neser deri n’mjesditë, ajo Prênda e motra e atii gjaksit t’ndyet… do t’gjindet ktu n’ket shpii…».

«Pse jo? une Boga mi» — e kahë hoq kapuqin prej krejet, n’shêj t’nderimit, ju shkatrruene brêzat me t’cillët kishte lidhë kryet — «Morè Gazdo njikaq» e ndermjet t’dy gishtave t’dorës s’djathtë ja qiti para t’zezen e thonit t’shmajktes, sikuer me dashtë e me e shtrydhë, «njikaq nuk m’kaa ânda me t’a prishë; n’zjarm ne m’urdhnojsh me raa, Boga mi n’zjarm bii per tyy».

«Merr — i tha Boxha — merr me vedi saa nierz t’duhen e si t’diish tî, por… ashtû si thaç… A jee cub?.. mjaft!».

«Ata qi kujton tî, o t’u ngiatt jeta, kan dekë; na s’jemi as gishti i kamës t’tyne; e per cub nuk tham se s’jam, qyysh se s’m’kaa dalë bishti edhè…».

Malaziasit i shperthej gazi «Por, t’porosis mos me i bâa kurrfarë t’keqjet asajë cucë»

«Gazdo, me e trêmë duhet, per ndryshe ajo e çon n’kâmë katundin».

«Me e trêmë… mora vesht… s’kaa gjâa; por mos e prek as me pupul; edhè t’porosis me m’a prûu ktû paa e shtŷe, paa ju germushë, sikuer me ardhë ajo vetë me kamë t’veta. A more vesht?».

«Gazdo, nuk mund t’kputet nji lule prej gêmit t’vet e me t’a prûu tyy, o t’u ngiatt jeta, paa e prekë». foli cubi.

«Puno si t’diish tî vetë, E… si kee qitë ceken me bâa?».

«Bash ket punë kjeç tuj mêndue, Gazdo… Na bje mirë se shpia âsht n’skâj t’katundit. Na duhet nji vênd kû me u ndalë; edhè ket cak e kemi nder ata mure t’rrenueme t’kishës t’Zojës, sikuer i thonë atjè; frigë per kênd nuk kemi, e si m’diftove, nânen s’e paska aty. Âsht dimen, e Shasjanve nuk i del gjumi me qitë edhe topa, jo mâa prej ndoj zhurmet t’vogel…».

«Mirë, mirë jee kujtue!» tha i malaziasi.

Uku duel per deret e vojt me i zgiedhë kater shokë si vedin.

Boxha knaqej n’zêmer t’vet kahë i pertrîte n’mênd fjalët qi kishte folë aj vetë e çka i kish thanë i malcori; e praa mêndote punen e kryeme, vajzen qi do t’a kishte n’shpii n’neser mrama.

— Duhet me e pague mirë; e saa me i dhânë? (e pvette vedin) Saa t’m’lypin aq perzè po i nap, mjaft qi t’m’a çojnë dishirin t’êm n’vênd — Mêndote edhè si me dalë me vajzen prej Tivarit, paa i bâa me diit kuej, me shetitë n’Cetinë, n’Raguzhë, e neper Dalmacje, e mandej me kthye n’vênd t’vet, me nuse per krah; e kush me e pasë pvetë — kû e kee xânë — me sŷy çilë kishte pergjegjë — n’Raguzhë se, âsht jetime, poos nji tezjet askênd s’kaa tjeter —

Pjesa e radhës
Nye i XVI

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB