N’e nesre nadje u çue Lula heret, ndezi zjarmin, mushi ujë, shîni e dliiri; kuer u çue gjindia e shpiis ja gjetne punët e ndreqne. I diftuene rrogtares s’ree se t’hânen do t’vîte meshtari n’shpii t’tyne per me rrfye e me kungue graat e varzat e trii lagjeve per festa t’bardha t’Kshndellave.
N’odë t’miqve stolisne nji lteer me çarçafa t’rrahun e me peshqir me shalldana e qiira, e ktû do t’u thote mesha e rrishin graat; m’nji odë tjeter rrishin varzat e mshehne.
T’diillen mrama u mlodhne gjindja e asajë shpii e u qiten gosten me gjithçka.
At ditë t’hâne erdhne graat e varzat. Si i rrfej prifti graat nji kaa nji, duel n’tjetren odë kû e pritshin varzat: gjithcilla kishte mlue ftyren me degermii, e ashtû me rênd i bite para meshtarit. Vojt tetë sahati, u fillue mesha, e n’gjysë t’meshës meshtari u dau kungimin n’njênen e n’tjetren odë. Mas meshet prifti pat buken n’vedi, gjindve u qiten kaa nji kafe, rakii, fiq t’thaat e qyfterë.
Lula ja kishte hapë sŷyt mirë priftit palè mos t’ishte Dom Pali, por nuk ju giaa; ishte kênë nji tjeter.
U daa ajo shumicë gjindsh prej dhetësh, e gjith cilla urote e bekote at shpii per t’pritun mirë, per nderë e t’binduem qi u kishin bâa.
Motit kshtû ishte zakona n’Shkoder me u mledhë nji, dyy, trii lagje tu nji shpii bujare e cilla pritte priftin. Kto t’mledhuna bâheshin n’trii o kater shpia, saa ishin priftnit, dyy herë n’vjetë: Pashkë e Kshndella.
Aso heret n’ket gjytet nuk ishte kishë kû mlidhej krishtênimi e mesha u çote n’livadhë t’nji shpiis, e ktû mlidheshin burra e graa e varza, per shii, per boor e per akull. Tingllim kumonet nuk u ndîte neper gjytet t’Shkoders veç zâni i leet i nji cingares; e kuur furia e t’pafeve i salvote mâa per s’fortit katolikët e Shkoders, n’kohë t’meshës kahë u çote Sakramêndi i bishin sumllave t’jelekut me maje t’thojve.
Nder ato kohna t’zeza perpoos qi populli i kshtênë i Shqypniis ishte e lidhun kâmësh e duersh paa mujtë me i krye shartet e Fees s’vet, n’shum e shum vênde ishte edhè fort i mrapshtuem per kahë vesi, sikuer me pikllim t’zemres dishmon e ankon qysh n’vjet 1702 «Konçilli I i Dheut t’Shqypniis».
Kushdo qi i kaa kndue librat «Konçilli i I, Konçilli i II e Konçilli i III i Shqypniis» me letra qi Kongregacjoni i Propagandes t’Rromës u çote Ipeshkvive e Meshtariis t’komit t’onë, do t’keen paa se t’verteta pernjimênd janë kto fjalë t’ona. Shum me rrugë Rroma i dnote e i mallkote zakonet qi kishin atëherna shum e shum me i grabitun graat e e kunorës s’huej, a me i shitun e me i dhânë kinsè me martesë t’pafeve, me i fejue varzat kuer ishin edhè t’vocrra,[1] me hapë kumariin pertê kufînin, m’u perzie n’do punë t’besimit t’Shkieve a me ndjekë probatinllekun e tynve, me mshehë Feen nder do rasa, me i marrë êmnat e t’pafeve, me fikë shoqin me bee t’rrêjshme a me fajde t’rânda, m’u lshue mas vraset tuj marrë n’qafë kso doret vedin, shpiin, gjiniin, fisin e vêndin, me lanë deri Feen per do t’holla, per do tokë, per nji zyre t’shkretë, e m’u dhânë mas disaa mrapshtinave tjera qi i ndyhen deri shtâzve.[2]
Vetun fjala e hyjnueshme e e dhânmja e Sakramêndeve u lypshin me e vûu per rrugë t’praksuemin e me e prûu n’fie t’kèqin qi mjerisht u shtyete shpesh e shpesh deri te t’lshuemit e Fees t’moçme qi Skanderbegu e t’parët t’onë e kishin pasë ruejtun e dishmue per saa e saa qinda vjet para se t’a ndrroishin me besim t’Focit e t’Muhametit; por mungojshin dy sênde krejt t’nevojshme; e para qi priftnit ishin pakicë, pse Qeveria nuk lête kurrsesì qi t’u çilshin nji kolegjë a do shkolla per me i formue e me i rritun si e lypte nevoja; e e dyta qi shi per ket arsye (posë atyne qi i kryjshin kndimet n’dhee t’perjashtun) shum nder priften t’moçen nuk mund t’kishin as gjith at die e vyrtyt qi i duhen Meshtariis katolike. Dojshin dhelpnat e Anadollit me farue vathen tuj i lânë berret paa barii!
E n’tjeter anë kundershtimet e salvimet, qi hova hova ishin edhè t’pergjakshme, baheshin shkak m’u zhbîi Kisha plot e m’u rafshue me tokë kunvêndet e Rregulltarve e e Rregulltareve qi para e mas kohet t’Skanderbegut ishin kênë n’shumicë neper Shqypnii, e i shterngojshin deri Ipeshkvit me zhgulë seliin e vet prej gjyteteve e me kerkue nji strehë mâa t’sigurte nder male a n’ndoj katund mâa t’foort, kû mâa e shumta gjinden edhè sot. E kndej vite edhè gjith aj vishtirim qi hiqshin motit katolikët edhè n’Shkoder, e qi e shterngote meshtariin me thânë Meshë jo n’Kishë por tinez neper shpia, si thame sypri.
Mas ngushllimit t’asajë Meshë qi e kishte paa Lula n’at shpii, nji muej e kishte kalue rahat e si â mâa mirë me njat familje shkodrane qi e kishte lanë mrêndë porsì rrogtare; kuer qe paa pritë e paa kujtue ja çoj Zoti nji lngatë qi ja kputi krejt fuqiin e shtatit, e prashtû e ngrata nuk ishte mâa e zoja per kurr nji farë sherbeset. I zoti i asajë shpiis urdhnoj at herna me e ulë poshtë e ktû me ja çue haen n’mjesditë e n’mramje.
Rrite e shumja gjith diten e nderme kuk vetem; askush nuk vîte me ndêjë me tê, me ja folë nji fjalë t’mirë, porse pak buk mish e minester qi ja bishin per nji fmii. N’kohë t’mrames vîte e rrite plaka e familjes me tê, e i bâhej qyqes Lulë se po i hiqte do t’keq: «A kam me u çue ksi vêndit?» i thote Lula plakës «kurr! kênka thânë per mue me dekun n’vênd t’huej e mos me e paa mâa biin t’ême me syy!..» e derdhte lot.
Plaka i bâte zêmer, e kaq ju dhimt saa lypi prej t’birve me ja thirrë mjekun; e pernjimênd s’shkuene shum dit e Lula u ndreq n’kamë.
Ç’at herë nuk desht mâa me ndêjë rrogtare, por me u nis per Shas tu e bia e vet. Di Zoti ajò shpii i dha rrogen per saa kishte punue e i falne edhè njaa pak tesha.
Lula pveti a nisej kush shtegtaar per katund t’vet; i kallxuene diten; u bashkue me ta e mrrîti n’vênd t’vet kû e kujtoshin se o kishte dalë e tretë jasè u gjindte dekun n’Shkoder.
N’Shkoder per kundra djelmt u martoshin e martohen edhè sot teper voon, teper voon. ↩︎
Âsht per t’u kjaa me lot gjakut gabimi i shum e shum t’parve t’onë qi, tuj mos u ndigiue atyne qortimeve t’Rromes, kan marrë n’qafë deri komin, persè prej andej na duel t’daamit e besimit qi prishë bashkimin e zêmrave t’Shqyptarve. T’xâam mend barè sot e mrapa; e t’i lâam njato zakone t’mârra qi edhe n’rrugë t’gjytetnimit e t’perparimit na kan lanë mrapa 400 vjet e mâa! ↩︎
Zef Harapi