Nye i X

Raa e fjet: por ç’gjum t’zii bâni se! ç’farë ândrrash pau! Ajò shifte Leken e shtrîim mjedis t’odës e vedin kahë ja bâte gjâmen, Marashin e vogel kahë ja vjedhshin do nierz t’paa-njoftun e si u vête mrapa neper shtigje e shkrepa deri m’nji shêj vêndit, kû dojshin me ja therë e me ja mytë… Merrte me ngaa tu djali i vet, por nuk i punoshin kamët e mette.

T’i dalmen nierit gjumi, masi t’a keen gjetë ndonji e zezë, ndiin idhnim t’foort e diqyysh randim n’zêmer. Mêndja me nji herë i bjè n’fie e kujton jeten e pagjen e kohës s’kalueme, e me nji herë i dalin para mjerimet qi do t’a gjêjnë, e pikllimi i shtohet edhè mâa.

Drita nuk kishte zbardhë edhè e Lula ishte çue e rrîte e kujtote me vedi: — M’a kaa fikë deren mue pse jam nji grue, e e din gjaksori, qi m’thau votren, se nuk i dalin ferra mrapa, s’kaa kush i lypë gjak, s’kaa kush m’del zot, por… por aj Zot… nuk â mâcë me grishtë!.. Kuer tha kto fjalë çoj gishtin perpjet e uli kryet deri n’tokë n’shêj t’adhrimit; e «Çka, bash ajo shpii qi m’kaa vraa Leken, m’a kaa plaçkitë edhè Marashin e vogel… fmii djepit…!» e t’shkretes i ngufoj zêmra, e gjimote e derdhte lot sikuer njaj pllumi qi met shkret e lypë çka i kjè djerrun. — Gjakbâast e bâakqiit, gjith njata qi, m’nji mndyrë e m’nji tjeter, i jesin n’qafë shoqit, janë ndjerz t’praksuem, jo vetun per t’keq qi bâjnë, por edhè per turbullime e saa e saa pshtjellime qi sprovon zêmra e madjè jeta e atii qi kjè fye.

Lula ishte nji grue e mirë e zêmer bardhë qi s’e kishte shoqen; zhigel per tê nuk ishte ndîe kurr, katundi lête nâam per tê, t’gjith thoishin: Âsht nji lule e s’e kaa shoqen; por, n’at hov i vloj zêmra me bâa gjak, e mêndja e sajë n’hutim shkote tui trillue nji dredhii. Kishte tshiir me marrun rrugen kâmë e me vojtë tu shpia e malaziasit, me e kapë n’fyt e…; por nuk ishte punë aq e udobët, e kerkush s’e kishte lânë! Aty per aty ja mushte mênden vedit me rrokë pushken e djalit dekun, me u mshehë nen nji gardh, me pritë kuer t’kalote aj mizuer e,… Nji t’perqiethun ja muer shtatin maar. — «Edhè jeta e ême, tha, s’po m’dhimet!.. Por e Prênda, vajza e ême?» — Kjò fjalë preku n’zêmer t’sajë, e e tallazi i atyne farë mêndimeve u zhvarit me nji rêndit. Ju porosit s’Lumes Zojë e Shêjtit qi i barte djali êmnin; mêndoj at ngushllim zêmret qi e kishte pasë kuer pat kênë paa mnii e se saa t’perçudnueme e kishte kujtue saa herë me shoqe t’veta punen e gjaksiis; e sikuer njaj moti i keq qi, kuer kthillet, zbukurohet me t’dalun diillit, ashtû zêmra e Lulës raa n’hitii e madjè u gazmote me vedi pse vetun n’habii i ishte pershkue neper krye njaj tundim i shêjtanit, paa ja dhanë kurrsesì pelqimin e vullndetit.

Nder kaq u ndîe rrapamja e derës s’hanit qi u çil, e hîni hanxhija: «Si kee ndjehë Lulë, a kee fjetë mirë naten?».

«Mirë, mirë; i kjoshim falë nderës t’Lumit» ja priti ajò.

«E tesh kahë don me ja majtë? çka kee mênd me bâa?».

«S’po dii as vetë e shumja».

«Lum grueja, kuer s’di tî, po vet çka kam me t’bâa?».

Lula u mendue mirë, e mandej tha: «Une e dii se sot as neser s’kam kû vetem; por a s’kishte me bâa me u vêndue kund m’ndoj shpii per sherbesë deri saa t’nisem?»

E hanxhia, tuj u ulë galuc:

«Ashtû po mirë kee mêndue, e vêndin po t’a gjêj vetë».

«Paç shndet» ja kthej Lula.

Duel per deret hanxhia me tê, troklloj nder disaa dyyr bujare me pvetë a e doshin at grue per ndoj sherbesë t’vogel, e nji nder to e muer.

Lula hîni n’at shpii e e çuene nd’odë t’zjarmit, kû ndêj para votres nder giûj.

Ishte kênë shpii me gjind plot, edhe at ditë qilloj festa e Shen Kollit; prandej burrat s’kishin dalë n’treg. Saa herë qi hîte kush n’at odë o me paa rrogtaren e ree o me shtîi shkajk per ndoj punë, sikuer me thânë nuset e shpiis me e paa edhè ata at malcore, Lula u ngrehte n’kâmë me nji herë e pershndetej me to.

Nana e djelmve t’asajë familje kishte çilë kuvênd me tê, edhè Lula nuk i mshehte kurrgjâa, por ja kallxote gjithsesi punët qi ja kishin birue zêmren, thermiat e fjalve ja diftote deri me t’ardhun n’at shpii,

T’gjith i dhane zêmer Lulës s’ngratë qi i pshtuene lott e i shîini me nji skâj t’straveces. «Deka e Lekës s’yt po na kputë shpirtin» i thoshin «Tyy t’paska lânë n’rrugë t’madhe; por per Marashin shum mâa mirë qi i kjaan shpergâjt se me i pasë kjaamun armêt; kushedi se si i sjellë punët çekerk i Lumi Zot».

Ndêjne edhè pak me tê, e mandej e shtîne me mushë ujë, me shîi e me dliir shpiin, e me ju ndimne nuseve me bâa teshat paal e me i rreshtue nder vênde t’veta. Erdh koha e mjesditës, por Lula s’dote me ngranë pse thote — Nuk kam ûu —. E muerne perdhuni e e vûene n’tryes edhè atê. S’parit ngurrote me ngranë, por mandej masì i thoshin — merr, merr — e shifte rrethin se hate m’nji kashatë mas kashatet, ju çil edhè asajë shijimi i haes, sikuer njasajë dhii qi kuer â vetun perbuzë gjellen mâa t’miren, por si t’bashkohet me dhii tjera e t’i shofin kto tuj hanger, ha edhè ajo dushk a çka t’hasin e s’ja lên dalë shoqeve t’veta,

Masì pat ngrânë, Lula i qiti me laa duert t’madhit e deer mâa t’voglit, e kaq ju pelqye sherbimi i sajë saa s’prâjshin tuj e levdue nder sŷy e mas sŷysh.

Pjesa e radhës
Nye i XI

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB