Nye i VII

Lula kishte metë me at pêe n’dorë, e, çka t’a baj? thote me vedi; a me e tretë? me e tretë… jo e qên! ky me hanger s’po m’lypë. me e ruejt, kushedi… Gjeli nji hera m’pshtoj e… per dyy pllamë pêe me falë nji gjel? gjel e ç’gjel se! e m’nji e peshote n’dorë. — Un edhè nuk kjeç nisë tu haxhi Ramadani, por katundari m’a mushi mênden. Kjè çka kjè, po prifti tash se? a thue m’lypë edhè ky gjâa? kaa me m’paa gjelin! Po shkoj perzè, e s’po e lâa paa shkue; gjelin tesh po e shtîi n’strajcë e e mloj me stravecë, mâa mirë s’kaa! Ne m’lypët gjâa po i tham: jam me nevojë; e ne m’u dashtë me ja dhanun, s’kam çka bâj… por nji hera po i shtîi veshtë n’lesh.

Prifti n’at kohë ishte tuj thanë Oficen, n’heshtim, neper oborr t’shpiis s’vet e, kaa nji herë krye pesë shum shum dhetë çastash, myllte Oficen, e mate mrêndë, per shêj, gishtin diftues e dores s’djathtë, e, si ktê e bashkote me tjetren dorë, mrapa niste e ecte, tuj shikjue token; mandej çote ftyren e shikjote diqysh madhnisht deren e oborrit. Kuer qe pau se i hini Lula, per t’cillen jemi tuj folun. Aj me t’shpejtë e çili Oficen e e qiti para vedit, si me dashtë me kndue; e muer m’u endë prep neper oborr per disaa çasta paa i sjellë syy mâa as andej as ktej.

Deshti Zoti e prifti tek e mramia xûu vênd e ktheu kryet kahë dera; e at herë,

«Kjoftë levdue Jezu Krishti» i tha Lula priftit kuer ky ju afrue.

«Gjithmonë e jetës kjoftë levdue e nderue i Lumi» ja priti meshtari tuj e myllë Oficen e tuj e shtîi nen sjetull.

I puthi gruja doren, e pveti a ishte Dom Pali i Shkoders; i diftoj per çka kish ardhë e filloj me ja kallxue gjithsesi punen e Marashit, e maroj me kto fjalë:

«M’kan thanë ktu n’Shkoder se e kan marrun gjiniit; a kaa se si, Zotnii, a thue njimênd?».

«Kush t’kaa thânë?»

«M’kaa thanë…».

«Kush? kush? fol!».

«Ha… haxhia»

«Haxhia? haxhia? E kush t’kaa thânë me shkue tu haxhia? E te une pse kee ardhë?»

«Aman, Zotnii, nji leter me m’a shkrue bash dora e Jote, se…»

«Ah tash eh me t’a shkrue vetë nji leter? Por a t’kaa shkrue gjâa haxhia?».

«Jo, Zotnii, por m’kaa dhânë njiket pêe, e m’kaa porositë me e ruejtun e me ja njitë n’fyt Marashit kuer t’m’kthejn te shpia».

Kto fjalë kjene gacë n’barot per at prift, e, «Jashtë doret! — bertiti — se s’i duroj vet do sênde qi s’i duron as Feja; del jashtë po t’tham!»

Grues s’shkretë saa s’ju murne mêt prej friget, e nisi me dalë; por te praku i deres hasi n’nji gur e kjè tuj u rrzue per tokë; e prandej edhè gjeli u tund e u trumhas mrênda strajces, i rrahi krahët e qiti kryet jashta.

Paa dalë mirë prej deret, u suell edhè nji herë Lula prej priftit, e me t’madhe pervûjtnii foli kso doret:

«Mos merr idhnim, Zotnii, me nji nânë t’shueme si jam vetë. Un te Zotnia e Jote kam ardhë me uzdajë se po m’a freskon e po m’a shndoshë zêmren»

E Dom Pali «Moj kjosh bekue, une nuk jam idhnue me tyy por me mkatin qi kee bâa tuj vojtë me pvetun jashta Fejet; nuk kaa vjeftë me shkuu ti e kshtênë te nji nieri qi saa t’a donë Feen aq t’donë edhè tyy; e atjè me marr pêj a sênde tjera ksi sojt»

I pergjegji Lula: «Mirë jee tuj thanë Zotnii; gabova vetë; por m’fal, se m’rrêjti tjeterkush, e tash edhè veta mjeftë jam pêndue».

«Animirë praa, masi e njefë gabimin qi kee bâa, kjosh falë e bekue prej Zotit e prej mejet; e praa eja ktû n’odë t’ême e po t’a shkruej nji leter, e me ndimë t’Zotit kaa me t’shkue dishiri n’vênd».

Grues i erdh pak fryma e shikjote tinzash per rreth, mos t’a kishin paa, por s’vegoj askênd.

T’dy hîne nd’odë, e prifti u ul n’tryes, hapi nji liber t’pluhnuem e t’vjetruem, xuer prej sî do fjalë e i pershkruejti m’nji rrypinë kartet; ktê e palisi tre kêntash e ja dha grues me kto fjalë: «Ruej se t’hupë kund, por pshtille m’nji rubë e maje n’nji vênd kû s’t’a perket kerkush, e djali t’kthen».

Ky premtim, qi me sigurii ja bâte Dom Pali, ishte nji ngushllim teper i madh per zêmer t’nji nanës; e prashtû Lula ndjeu me’j herë detyren e domosdoshme qi kishte me ja diitun per ndeer; me lot per faqe praa nisi me e bekue e me ngiatetue bâmirsin e vet, edhè i tha: «Faleminderës Zotnii i Nderueshem, faleminderes nji qind e nji mii herë; e Zoti t’a majtë doren mii krye!.. E tash qe, Zotnii, ket dhuntii t’vogel por saa me bâa shêj» e xuur gjelin prej strajcet, e ja la aty e duel prej deret.

Pjesa e radhës
Nye i VIII

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB