E pse nuk shkon, i tha Lulës nji shoqe, tu Dom Pali i Shkoders? Aj kaa doren e mirë, e t’a shkruemen nji leter, Marashi i vogel t’kthen tu shpia. Me e diit, moj moter, çka âsht Dom Pali! Çiftin s’t’a kaa! Per prift edhè nji shoqi i tii nuk gjindet. He-hee! me t’i kallxue punët e tia s’kishe me diit me marue sot; shko e fatzezë mos e lên paa shkue.
«Kû gjindet kŷ Dom Pali i Shkoders?» e pveti Lula.
«N’Shkoder».
«Po, por Shkodra â lerg per mue»
«Jo morì; tre sahat s’dii a i kapë».
«E mjera vetë qi s’e dii as rrugen, se deri aty kurr nuk kam shkue».
«Mos u ngushtò, moj moter; t’marten kan mênden me u nisë disaa prej katundit t’onë per m’e shitë drithë n’Shkoder, e tî mûndesh me i pritë e me u bâa me ta tu hani».
«S’thue keq!» foli Lula.
«Njashtû praa, mori Lulë, shko tek aj; por mos u korit tuj i shkue me duer thaat; mos t’dhimet me ja çue atii farë Zotniet nji dhuntii saa do t’vogel. Kallxoja punen gjithsesi, e aj t’qet n’rrugë, qe besa».
«Ani, ani».
Lula ndjeku kshillet qi i dha ajò shoqja e vet, e t’marten n’nadje shtîni n’strajcë bukë e djathë mjaft, xûni nji gjel t’madh e e lidhi per kamësh e muer rrugen e Shkoders. Udhës tuj shkue e pveti Lulen nji nder katundaar (mysliman ishte) pse po dote me raa n’gjytet, a thue me u vêndue rrogtare!
«Besa, more shoq» i pergjegji Lula «po shkoj me gjetë derman».
«E te kush?» pveti katundari.
«Tu Dom Paali i Shkoders»
«Çka me t’bâa prifti?»
«Me m’shkrue, o me u lutë, per t’kthyem t’atii djalit t’vogel qi m’a kan plaçkitë qe sot tre muej; ndoshta e kee marrë vesht».
«Po, po» ja priti me t’shpejtë katundari, tui u raa m’shkop do gurve t’udhës «E at gjel kaq t’madh kuj po ja çon?» e pveti prep.
«Priftit».
«Shporru, moj grue, se jee me nevojë; gjynah me t’marrë tyy gjâa; por m’ndigiò mue, a di çka bân?».
«Çka?».
«Po t’çoj veta tu haxhi Ramadani paa pare paa pullë; hajd tî, flas veta per tyy. Me diit tî kush âsht haxhi Ramadani, bir taman t’falisë mendja! Kaa shkue dyy herë a trii n’Qaabe; kaa çue me e thirrë vetë Stamolla, e s’e kaa bâa kabuull me vojtë atjè. por don me ndêjë n’vatan t’vet, do me kênë vatanlii per me bâa mirë e me bâa sevaap. Diftojnë per tê punë t’mdhaa. Nji shpiis i paska pasë tretun djali pêsmdhetë vjeç; kû kaa shkue, kû s’kaa shkue, askush s’diite gjâa; gjithkushi flitte fjalen e vet; kerkuene per shum dit, por kot. Shkuene praa, e ja kjane hallin haxhi Ramadanit, e ky me nji herë raa m’tê mas do shkrojlash qi man aj, e i tha s’âmës se djali i gjindej me thânë… n’Çinimaçin, n’pus paa fund, por tesh kaa me t’kthye. E me t’vertetë paa u mushë gjashtë vjetat, aj djalë i erdh nânës s’vet tu shpia. Edhe tyy praa kaa me t’kallxue se kû e kee djalin t’and e kaa me t’a nxjerrë prejë thojve t’bâakeqit paa fjalë paa halë».
«Zoti t’ndimoftë, morè kumarë, qi po mson kaq mirë».
«E kena me borxh, jemi borxhlii per shoqi shojn; a po vjen praa me mue?».
«Po…- tesh po… shkojm…». ja kthej Lula.
Katundari vîte tuj ja zbukurue punen mâa mirë s’duhet, e ja bite livadh gjith rrugës.
Grueja gjithherë kaa kenun flokgiatë e mêndeshkurtë; prandej edhè Lules ju pelqyene ndollinat aq t’kândshme qi bishin bash n’zêmer t’sajë e sidomos aj derman i paa pare, e shkote tuj thânë n’mênde t’vet: nji sprovim le t’bâjm nji hera, palè! t’e vona edhè nuk e ndigiojmë haxhiin. Por mirë se po shkojmë, po a thue mos t’m’lypin gjâa? e me m’lypun çka t’i tham? E ket gjel, qi kam premtue me ja çue priftit, kû t’a lâa? E mjera vetë! Prep… une mundem me qitë nji shkajk e me i thânë: ket gjel e kam prûu me e shitë per bukë —
U êndë nji herë Lula e jonë me at katundarin poshtë e perpjetë per kerkim t’haxhiis, e n’e mram e gjetne. Myslimani ja diftoj punen e sajë gjith qyysh; i kallxoj se ç’besimit ishte e se ishte e ngrata me nevojë. Haxhia rrîte n’mêndim: syyt i kishte ngulë n’gjel, gungrote diçka n’giûhë t’vet, perçapej e shkote tui e luejt mjekrren fiegiatë e t’bardhë si bora, e hera herë e pershîite me shplakë t’dorës e e shterngote deri n’marim. Grueja s’rrihte syy, por ndigiote paa zâa.
«Qe, moj moter; tha ne e mramë haxhia, djali s’kaa me t’kthye deri saa t’dalin doret njiky gjel e me ardhë aj n’kamë t’ktii; une po t’nap nji ket pêe, e tek t’vîin djali tu shpia kee me ja lidhë per fyt trii net rresht; e t’a diish se t’a kan zatetë gjiniit e s’doon me t’a lshue… E po tash gjelin?».
«Nevojen t’ême t’a diftoj Hajdari, zotnii, e ket gjel e kam prûu me e shitë per bukë» pergjegji Lula.
«A mâa fort rrî dyy trii net paa bukë e me t’kthye djali, a por…
«As paa bukë s’rrihet, haxhi» Ja priti Lula tuj i raa n’fjalë. E haxhia:
«Une jam tuj thânë me m’a falë mue gjelin, e tash po t’shkruej edhè nji hajmalii; me e tretë a â punë qi bâhet? estak furullah!».
«Nevojen t’ême…» E ju xûu fjala n’gojë Lulës prej vajit e shîni lott me rubë t’krees.
«Hajd, hajd tî per mue; por Marashi, qi po thue, s’kaa me t’kthye» e diqyysh me idhnim u suell, e la n’kamë e shkoj.
«Paç vedin n’qafë» i tha katundari Lulës tuj e shikjue per s’lerg haxhiin.
«Çka kam me bâa e ngrata kuer s’kam!».
«Po per nevojë…».
«Nevoja gjygjë nuk kaa, lum miku» ja kthej Lula,
«Mirë, mirë, paç vedin n’qafë» foli me dispjek katundari, e u nis edhè ky.
Zef Harapi