Nye i V

Kishte hupë aj fmii si guri n’ujë. A graa, a burra, a pleq, a t’rii nuk e lshoshin gojet at t’ndollun t’mnershem per zêmer t’asajë nânë t’shueme. Dikush thote se e âma do t’a keen harrue deren çilë e ndoj thii kaa hîi nd’odë e e kaa ngranë n’gjum. Nji tjeter sendergjote n’mênde t’vet se cuca e kaa marrë me vedi n’mal, e se i kaa pshtue prej duersh e i â plandosë n’fund t’ndoj humneres, kû i âsht bâa copë e grimë. Por âma u pergjegjte: Jo, Marashin e kam lânë fjetë, e kuer jam nisë e ndryna edhé nd’odë, e kuer ktheva paash deren e shperthyeme.

Disaa tjerë diftojshin se kaa dit, ktû n’katund t’Shasit e nder rrethina, flitej per nji nieri t’panjofshem; askush s’diite se çka me kallxue per tê, por qi ishte si orrl gjakbâas mîi plaçken e vet. Bariit e bishin punë e madhe; per shtat ishte i vogel, por i zhdervjelltë, n’dukë i rrebtë e n’ftyrë i vrântë. T’praksuemt e bâakqiit e kishin ndjekun e raa n’mal me tê; e aty do t’i rrishin gadi udhtarit, me pushkë n’faqe, kuer t’bâte fjalë mos me e lshue falë gjânë e vet, t’cillen e kishte mledhë me mûund t’krahve e me djersë t’ballit per maje t’robve t’shpiis. Ata plaçkitshin njat t’vorfnin e mjerë, qi shkote n’pyyll per drûu e e lidhte kaalin per trûng t’njaj lisit, por, si kthete me drûu t’preeme per me ja ngarkue kaalit, ktê nuk e gjête.

Thoshin per at nieri t’panjoftun se ishte, rujna Zot! syy-zii e gjak, vetun nji e shikjueme e tia bâte me dridhë deri shokët e vet, e kta s’guxojshin kurr nji herë me ja kthye fjalen. Robi i gjaall nuk e njifte, por t’moçmit diftoshin per tê, se paska pasë kênë nji fare cubit n’zâa per egercina t’veta e se pat marue jetë nder carra e shkrepa t’malit; por kjò ishte rrênë, se mas nji mojit ja mrrîni shokve t’vet me nji strajcë plot me pare gjithfarsha e me nji fmii dymdhetë vjetsh, i kândshem tejèt. — Veta kam diit — kishte pasë britë, — me e bâa jo si vedin, por mâa t’vjefshem se vedin; kam me e bâa uk malit, e askush mos t’pvesin per êmen t’tii —. Ç’at ditë cubat e thirrne at shoq t’rii Uk, e mas dekes t’atii ket e zgodhne per prîisë t’vet, as nuk ishin rrêjtë, pse as njêni nder ta s’ja delte Ukut per kahë trimnia e cubnia. Kŷ s’lête nieri me kalue per at mal kû kishte strokllin e vet; shum nierz aty kaa lanë ndêe, e janë kalbun n’mjedis t’udhës a kudò, paa pasë kush i çon fjalë gjindve t’shpiis t’tyne. Qeveria e asajë kohë nuk i bite mrapa, pse ndoshta ja drote sherrin… Kshtû ishte endë fjala n’at katund se Marashin e vogel e kishte plaçkitë ky Uk malesh.

Lula me t’therun zêmret ja vête veshin ktyne t’ndîmeve, e n’mênde t’vet pertrîite çka i kishte diftue at ditë mas buket ajo shoqja e vet, kuer kishte dalë prej shpiet; e masi pat ndêj nji copë herë tuj terezit fjalët qi ajo atbotë i kishte kalzue «Kndej shifet. — tha Lula me vedi e tuj vshâa — kndej shifet se malaziasi, qi m’a vrau Leken, do t’keen shtîi me m’a grabitë edhè Marashin… freskimin e zêmers s’ême! E mandej, a nuk m’kalzoj mue Tringa at ditë se mâa i moçmi nder ata dy flitte me t’xeet si me dashtë me krye nji punë shpejt per shpejt, e se i kaa thânë shoqit t’vet qi rrite e ndigiote paa zâa: m’kan kapercye dy muej paa muejt me e çue dishirin t’êm n’vênd?

«Dy muej praa janë qi une u njyna n’e zii per Leken t’êm. Aj trathtaar i pashpiirt s’kaa pritë kuer Marashi t’bâhej i zoti i pushkes e mandej me e marrë gjakun tjeter, por kaa dashtë me ja thaa zêmren nânës s’tii… Po un e mjera ç’faj i kam pasë?.. E qe, mas atyne kater a pês ditve qi kishin folë ata dy vetë, m’ndolli mue fatzezës puna e Marashit. Ah qyqja si u rrêjta per fjalë t’Tringes e s’ktheva tu shpia me e ruejtun djalin?. Por prep, a thue do t’keen kênë bash aj i malaziasi me m’a ngulë edhè ket thikë n’zêmer?»

Pleqët e katundit u mlodhen tu plepat e pleqsiis, e daane me i bâa me diit Qeveriis s’Shkoders per t’hupun t’atii fmii me gjetë gjind me e kerkue. Edhè gjygja çoj i thirri disaa vetë dishmitarë per me mujtë e me nxjerë prej ktyne fjalë e t’ndîime. E njimênd u shoshit e u rrah kjò davaa n’Shkoder per dyy javë rresht, por mandej hupi gjith ajò punë si mos t’ishte kênë.

Pjesa e radhës
Nye i VI

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB