Ishte nata e Shen Kollit. Lula e shkretë nuk kishte frymë parjet ngiat vedit; kû me raa n’konak at natë s’kishte, por me vojtun n’han. Çka, edhè n’han me shkue i duhej me laa t’fjetunit, e paret kû me i mârrë? Mêndoj me ju ankue djalit, qi po e percillte me e çue tu hani, e ky t’a çote n’shpii t’vet saa per at natë e t’a lêshin kû do edhè nen strehë t’derës s’oborrit. Por fmîa, si t’ndîite se u kap flakë shpia e t’et, u lshue n’pikë t’vrapit e iku e e la t’shkreten grue. S’âsht gojë qi e difton idhnimin e zêmers s’sajë: s’dite kahë me ja majtë; ishte n’vênd t’huej, askush s’e njifte. Sikuer njajò dritë qi prej t’paa vojit vjen tuj u shkimë, ashtû Lulës i raa t’pakët n’zêmer, nuk e majten kamët, e u ul m’nji guur brîi nji murit, e ftyren e mloj me dyy shplakat e duerve. Fmia e gjytetit filluene me e rrethue: dikush e pvette, do tjerë i kallxoshin gjindve qi silleshin me e kqyrë se ishte e ligë. Lula mas do kohet lypi ujë me pii; dì Zoti nuk ngiati e ja prûene me nji safë; mas t’piimit tha: «t’daltë n’at jetë!».
«A thue gjindet kush» pveti Lula ata fmii «qi m’shtjen sande mrênda derës s’oborrit, saa per ket natë?»
«T’gjith shikjuene shoqi shojnë e pergjegjne: «Une s’guxoj prej nânës» «as une» «as une jo».
Nder ata fjalë kaloj andej pari nji zotnii shkodranë i cilli, mâa fort prej serit, pveti per at grue fmiit qi e kishin grumullue.
«E kaa xânë nata n’rrugë, zotnii» ja pritne fmia «po lypë me e lânë kush mrênd».
Grueja kishte ndêjë paa zâa, e shikjote zotniin, kahë çili kuleten e pareve e: «qe» i tha «saa per buk e t’fjetun».
Lula ja kthej: «Zoti t’i shtoftë».
— Nata e Shen Kollit âsht sânde, e veta me u gjetun me tre metelikë, mo Zot mâa keq! — kjè i pari mendim qi i erdh asajë nânes s’mjerë kahë i sillte e i kqyrte n’shplakë t’dorës metelikët qi i fali zotnia.
U çue n’kamë, lypi me u çue te hani. Hanxhia tek e paa dresht se s’po kaa pare me e laa t’fjetunit; prandej e pveti: «Pare, moj loce, a kee me vedi?».
«Po.» i pergjegji Lula.
«Hajde me mue» i tha hanxhia, e i shênjoj vêndin kû do t’rrite e ja shtroj me firi; kuer muer me dalë i tha prep: «Tesh po t’bii zjarm; a do gjâa me t’porositë?».
«Jo; nji copë buk e nji grimë djath e kam n’strajcë, por t’lutem me m’blee nji qiiri nji metelikut per Nâtë qi â sânde».
Hanxhiis kto fjalë i prekne n’zêmer, e i pat ânda me kuvêndë me at grue diçka mâa teper «Prej kahë jee ti?»
«Prej katundit t’Shasit».
«Kjosh shndosh! po n’Shkoder me se jee ardhë?».
E Lula i kallxoj punen fiill e per pêe, i diftoj se ishte nânë e paa djal, e se kishte vetun nji cucë per t’u folë, e se kishte ardhë tu Dom Pali per me shkrue nji leter per t’kthyemit e djalit t’vogel.
«Qyqarja ti moj… si e pate êmnin?» e pveti hanxhia.
«Lulë…»
«Qyqarja ti, moj Lulë, se shum keç po hiqke! shum perzè! n’shpiirt po m’dhime, por çka me bâa? Zoti premton kshtû, vullndesa e Tii u baftë! Na n’ket jet jemi vûu per me hjekë keq deer m’nji ditë… Prit» i tha e duel per deret.
Ajò nanë e mjerë met vetun aty n’at qellii t’hapët me nji bishtuk perpara: ju mushne sŷyt me lot: mendote se si kishte punue nji vjetë para n’at natë: si kishte vlue shpia e sajë prej gjindve; se saa t’ganiishme si mali me boor e kishin pasë shpiin: se saa gazmênd kishin bâa at natë… se si vjeten e kalueme e kishte lutë me Leken e me Marashin tre mujsh… e tesh po e pritte ket natë paa djalë n’voter, n’dhee t’huej, n’at han me bukë thaat e me nji qiiri t’vogel, e paa farë ferlikut…
Duhet me diit se, nder malcinat e katundet e kshtêna t’Shqypniis s’onë, nuk âsht shpii qi e lutë Shen Kollin paa ferlik e paa ja ndez nji qiiri dyllit t’kuq.[1] Para se t’kallet qiiri dyer e dritore do t’çilen, pse doon me thânë qi vîjnë shpirtnat e shofin; t’tanë robt e shpiis çohen n’kamë, e masi i zoti i shpiis t’kallin qiirin me nji flegê pishë t’ndezme t’gjith s’bashkut ulen n’giûj e thonë uratë: si t’keen marue, ja fillojnë rakiis e kanges, mandej rreshtohen n’tryes e hanë ferlikun, qi âsht nji dash i repun e i dlirun barkut, por i paa preem gjymtyrësh. Me e pjekun pershkohet per s’giatit m’nji hûu t’posaçem, e ket hûu, me ferlik m’tê, e pshtesin skâjesh nder dyy drûna t’ngulne per tokë: brîi ktii ferlik bâhet flakë drûush, e rri nji nieri tuj e sjellë e tuj e lye me undyrë deri saa t’kuqet; t’a hiqmen prej zjarmit e qesin ket dash, qi tesh e merr êmnin ferlik, ashtû t’paaprehun n’tryes; gjithcilli, para se me hanger, uron at natë t’bardhë e fillojnë me ngranë n’at ferlik.
Mas buket kndojnë bashkarisht kangen e bukur t’Shen Kollit, e me do lojna e kangë tjera rriin dy a tre sahat tuj i dhanë shfrim gazmendit qi mretnon nder t’tâna familje t’kshtêna n’at natë t’madhe, e te vonashi, para se t’biin me fjetë, myllin dritoret e dyert, por qirin e lanë ndezë e rriin e e ruejn gjith naten me rrênd.
Nder saa n’m’at han t’shkretë e pershkote Lula me mênd perkujtimin e permallshem t’asajë natë qi neper male e katunde, e praa edhè n’Shas, lutshin kshtênimi nder shpia t’veta, qe ja mrrîni hanxhia me do prush m’nji tangaar e ja qiti para; qiirin ja dha Lulës n’dorë, do buk e pak mish ja la n’prêhen «Buken e djathin, qi m’thae, kû e kee?» e pveti Lulen.
«Tek e kam n’strajcë e mos u hangert!» foli Lula me idhnim.
«E shkreta tî, e shkreta, ja kthej hanxhia.
«Ket qiiri ne m’a kallësh tî por kumarë» i tha Lula «pse nee t’ngratave nuk na perket…».
E hanxhia paa farë priteset e madjè me sajdii t’madhe ja ndezi; e Lula ju fal nderës njiqind e nji mîi herë; hangri buk, u ngîi e raa e fjet.
Dyllin e kuq e pshtjellin m’nji pêe t’giatë e e sjellin rrotull, n’trajtë t’nji kuleçit, prandej merr êmnin qiiri-kuleç, por nja nji pash e lânë fjollë e ktê e pshtesin per nji drûu, osè m’nji teneqe goditë pastafat. ↩︎
Zef Harapi