Nye i III

Nja tre sahat larg Shkodret udhtari, qi e merr rrugen e Tivarit per tokë, shef n’ânë t’shmajkët nji koder t’tanë shkrep i zii, n’mâje t’cilles ngrehen do mure t’rrênueme e t’vjetrueme prej motit. N’ket vênd, doon me thânë, pat kênë nji forcomje e atii gjytetit t’moçem qi thirrej latinisht Svaçia e shqyp n’ditë t’ona merr êmnin Shasi, e âsht katund.

Forcomja e ndertueme n’ket vênd difton se do t’keen kênë rreth sajë nji gjytet i permêndun, por kohnat e vishtira i pshtjelluene ndollinat e punët e hershme, e sot me sot pak kush asè askush din me dhânë nji diftim t’vertetë e t’plotshem permii Shqypniin e gjyshave t’onë. Kjo Shqypnii e mjerë kaa pasun anmiq shum e paa daa e t’foort saa mos t’i lypish, t’cillët janë munduemun gjith saa hera me ja shqymun gjûhen e komsiin; por Shqyptari dijti me e ruejt trashigimin e t’parve t’vet djalë mas djalit me armë n’dorë, e si i thotë nji fjalës, me zjarm n’gji. Anmiqt komi i ynë nuk mujt me i shtrue, jo, pse mâa t’mdhaj, por ndêj daamas prej tynve, e kjè gadi per herë me u bâa baall kuer t’a ngucshin.

Shasi, me çka duket prej kishve t’raame mrêndë qi kaa, difton se pat kênë nji vênd fort i populluem, pse ndryshej nuk kish pasë nevojë per t’tana ato ndertesa shejte. Ndokush kaa mrrîit me i njehun deri m’tre qind e gjashtdhetë e gjashtë, e gadi t’ana kishë t’vogla: gjashtë nder kto kishë gjinden m’nji rrafshinë, qi âsht e giatë pêsqind kutë; t’gjitha janë t’ngrehne prej t’leemit-prendim, balli i kishve â shêj shêj me ânë t’leemit t’diillit. Trii nder to janë bâa gadi rrafsh me tokë. Nder t’gjitha, mâa e punuemja mjeshtrisht âsht Kisha e Zojës, sikuer e thrret katundi: mîi derë kaa metun endè nji copë gelqere kû shifen t’piktituem dy ylbert si i kaa fugurja e Zojes s’Kshillit t’Mirë, e kndej mund t’thohet se ajo kishë i kjè kushtue Zojës s’Shkoders.

Sajimi i nderteses qi âsht 22 kutë gjat e 7 gjânë, e e kaa godiin mâa t’bukurë se tjerat kishna t’rrênueme; mîi derë e nder krahët t’sajë gjindet ndoj krye shêjtit i dhenun n’guur; n’ânë t’murit t’shmajkët âsht edhè nji kupë gurit per ujë t’bekuem; çka kaa kênë pikturë murit â shlye krejt, e s’kaa metë tjeter por do copa murit t’zhigatuna prej t’njyemesh. Kater shejten t’mdhaj saa nieri n’kamë e mlojn faqen e fundit t’kishës e rrijn njêni mas tjetrit; saa per jerm u shifet mjekrra e gjatë e e bardhë, vesha e meshtariis, e libri i Unjillit n’dorë t’ermakët, e me t’djathten apin bekimin.

T’hîimit n’derë n’ânë t’shmajkët gjindet kŷ shkrim:

HIC REQUIESCIT EP. MARCUS [1]
BONAE MEMORIAE. A. MCCLXII.

Pak mâa andej jânë t’dhenme m’nji tjeter rrasë kto fjalë:

HIC REQUIESCIT EPISCOPUS PETRUS.

Ndoshta me rrmue e me kerkue n’ato rrenime kishin me u gjetun êmna tjerë. I pari Ipeshkëv i Shasit pat kênë êmnue n’vjetë 877; e i mrami kjè shenjue e dergue n’at dioçez vjeten 1530 prej Klementit VII qi e mate at herna Seliin e Sh’Pjetrit; mas pak vjetsh gjyteti raa n’sundim t’Turkut.

Forcomja e Shasit kaa dyy dyer njênen n’ânë t’leemit e tjetren kahë prêndimi, por t’raame mrêndë; kaa edhè nji pyrg t’shkatrruem. Mrênda n’ket forcomje gjindet kisha e Sh’Njonit, pak gjâa mâa e paa hiishme se kisha e Zojes; pikturat e saja janë zhdukë; me thânë se kee çka me paa m’tê, s’kee, jashtë nji pjesë kumonarjet katerskâjshe, qi ishte n’ânë prej gunget e qi pershkohet nepermjet t’nji derës me kishë mrêndë: ky farë shetimit rraall se shifet n’tjëra kishna. E daan mandej vêndin e popullit prej t’meshtariis nji rresht gurit t’latuem, nji kuut nelt; n’krah t’djathët t’ksajë pritë duket nji derë qi giet me pasë t’perpjekun me ndoj llaguer; por kush mundet me hîi mrêndë e me kerkue? Qeveria e Shkoders deri tesh voon nuk lête.

Per çka i perket historiis t’Shasit shum e shum sênde kan hupë, e njat pakicë qi u diite me pasë dashtë kush e me i qitun n’dritë s’kaa guxue: Marinus Bizzius, argjipeshkvi i Tivarit, n’vjetë 1610 duel me kqyrë kishnat e Shqypniis, e s’mramit erdh n’Shas kû vûni n’oroe e shkrujti m’nji dishmojcë qi çoj n’Rromë se aj gjytet faret ishte kênë shkatrrue, due me thânë nuk ishte mâa gjyteti i perparshem as nuk kishte pse thirrej gjytet. Kathedrali i Sh’Njonit, prep thotë aj, kaa shkue krejt dam, as baptisterin asè vêndin e pagzimit mâa nuk e kaa. Furia e Anadollakve i kishte zhbîi deri vêndet e shugurueme!

N’ket katund t’Shasit t’soçem t’ngulet mêndja me e kerkue at koder, per t’cillen jemi tuj folë e t’lakmon zêmra me diktue nên ato vallime rrênimesh ndoj dokument a ndoj shêj historjak qi t’lshojn neemos nji fie dritë permii ket vend qi kaa pasë e kaa edhè sot nji hieshii t’posaçme edhè prej liqênit t’vogel qi i rri per brîi, e qi prandej merr emnin «Liqeni i Shasit» A thue mos t’keen kênë nji gjytet i turrshem per kahë lufta e i bugatshem per tregtii e qi prandej t’jeet kênun n’mnii t’huejve? N’t’cillen kohë e pse kje zhbîi faret ky gjytet, masi per shtat qindvjeta rresht pat pasun ipeshkvî t’vet?


  1. Pat kênë motit ipeshkvi i Shasit; per tê edhè shkrimtari Farlati pat folun e tha se kje shênjue ipeshkëv i ktii gjytet n’1250. ↩︎

Pjesa e radhës
Nye i IV

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB