Nye i II

Lek Prêndi, kshtû thirrej aj djali qi u permênd n’nye t’paar, ishte nji djaloç nder njizet vjetat, i paashem saa t’a lypish: shtatnêlt, i bâashem, sŷy-murmë, e mustak-zii. Per kahë vesha e matha s’ishte kush qi ja delte n’katund t’Shasit: n’krye kishte vnue plisin m’njênë sŷy; xhurdien veshun m’nji krah; çakçirë t’rii e majtë ultë: brêz-shall, prej t’cillit delte kryet e nji livores t’ngrîime n’argjant.

Ky djalë, perpoos qi ishte kaq i mâjtun, ishte edhè i shpiis s’mirë e bujarë. Shtegtari e miku, n’at shpii, e gjête buken shtrue e pritej bash mâa s’mirit; ajò shpii gjith hera ishte kênë e bugatshme per me ja njomë doren t’papasnit, me ju gjetë ndîmë t’vorfnit e me shûjtue t’ûnshmit. Gjyshi e katragjyshi i asajë shpii kishin pasë kênë n’nâam kahë pushka e trimnia, e kishin kênë t’parë nder kuvênde e pleqniina; por, me dekë t’atii djalë ishte pree miqsia, harrue dashtnia e hupë t’mirat e bâme. Mâa e shuma e nierzve t’ksajë botë janë sikuer njatà shpêndt e ajrit, qi aviten e i grumullohen ndoj arës deri saa t’keen çka me bubrrue, e mandej ikun e e lânë!

Nji ditë Lek Prêndi, veshë e mathë e armatisë me pushkë brêzit e krahit, duel kahë Tivari per do punë t’veta.

At natë raa n’shpii t’nji mikut t’hershem, tu nji malaziaz. Mas darket u rrethuene n’kuvênd, e nji herë i thane, si per mahii, se shqyptarit nuk i kishte hie me u majtë kahë vesha e me baart armët per nji herit. Aj djalë paa e qitë vedin t’idhnueshem ja priti: «Une veshem mirë pse m’a kaa dhânë Zot’ ynë, armët i bari pse jam i zoti».

I zoti i shpiis nuk ishte vertè malazias, por nji shqyptaar i dalun prej malciet e shkue e xânë vênd n’Tivaar e ndrrue feen e babës. Aty i ishte prîi falli maar, e kishte mujtë me avitë ndoj pare ngiat vedit. N’Tivaar pat çilë nji puntore tregtiet, ishte bâa me shpii t’veten, e prandej i duhej, madjè mâa, domosdo me e shitun vehten e me u thirrë malazias!

Kuer n’nadje djali u çue prej gjumit disi ju dha me luejt kultrin, e qe shef nji krahen e nji sapun me erna. Leka me nji tha n’mênde t’vet se do t’ishte ndoj rrêng; por ndigioj fjalen e t’moçmit qi thotë: - i urti kurr nuk ngutet - e u diftoj robve t’asajë shpii krahnin e sapunin qi i kishte gjetë nen kulter. Ata filluene me e mârrë per gaz e ja shkarkuene shoqi shojt. Aj djalë u kujtue se ç’farë shênjimit doshin me dhânë ata gjind me at lojë e me at gaz, e mârren e idhnimin ja diftoj t’kuqt e ftyrës; por me e zblue zêmren e vet nuk e zbloj, veç tha: e mirë praa kto kenkan t’mijat; e i shtini n’gajof t’xhurdies, edhè fjala shutiti saa per nji herë, e robt e shpiis shikjuene shoqi shojn nder sŷy.

Aj i malaziasi, si e thirrte vedin, e merrte vesht mirfillit se kû dote me shkrepë e çka dote me thânë aj djalë me at heshtim e me ato fjalë: e mirë praa kto kenkan t’mijat… por i ishte njehë per mârre me ja lypun at krahen e at sapun masi Leka i kishte pasë shtîi n’gajof.

Lekës i kishte tokue korii e madhe e mâa s’kish sŷy e faqe me dalë n’shoqnii. Me ja fillue pushkës aty per aty nuk i perkitte, mos tjeter saa mos me i vûu kâmen bukës qi e gjet t’shtrueme n’at natë. Por prep ajo korii s’do t’u lête m’ânesh.

Gatohet per t’nisun, falet me t’shpiis e mahet per Shas, n’katund t’vet.

Masi pat kalue nja gjysë oret udhë, msyen prep kahë shpia kû ishte kênë fye; per s’lergut gjuun deren e shpiis trii herë n’karajfile, e rishtas dredhë e njekë udhen e perparshme. Nder male t’ona âsht shêj i keq e korii e madhe kuer gjuhet dera e oborrit a e shpiis, e tjeter sênd nuk jet por me ja nisë pushkës me atè qi t’a kaa gjuejtun.

Malaziasi me t’dy djelmt e vet i duel m’pritë Lekës, por kaluene do dit e s’mujtne askund me e ndeshë. Atbotë daane me e ruejt n’katund t’vet.

Leka kishte dalë n’malë me grigjen e vet e ishte kênë habitshem tuj ja vûe veshin do pushkve, qi po bishin lerg; kuer qe paa pritë paa kujtue ndjeu se e gjuene me dyy pushkë nja mas nja, e tjetra shkrepi. U suell djali, e çka me paa! Tre vetë kishin ndêjê n’pritë me pushkë ngrehët. Leka, m’njiças hoq pushken prej krahit me kto fjalë: Ndimona Zot e Ora e fisit! e u hodh mas nji shkrepit. Nder t’dyja ânë u ndez pushka, e njêni nder ata djelm raa dekun per tokë; malaziasi e pat plumen n’lule t’ballit e met n’giûj, me pushkë n’shêj sikuer ishte kênë tuj qitë. Leka kujtote se te dy djelmt i kishte vraa e qitte m’nji n’malaziasin. Djali tjeter, qi rrite e qitte mshehët, me zâa t’ultë i tha t’et me u ruejt se po na vret i Shasjani. Por baba nuk ishte mâa i ksajë jetë; nji plumë edhè atii ja kishte hanger kryet. Djali malazias me pushkë n’dorë kaleetas i duel Lekës per mrapa. E Leka kuer e pau anmikun se dote me e vraa tinzisht, uli pushken n’prêhen e i foli: «bje tesh saa t’duesh!» E kje vraa.

Lajmin e zii ja prûne asajë nanë s’mjerë, e bashkë me lajm i erdh edhè Leka, aj lule djalit, n’krah t’shokve. Leken e vorruene brîi atyne mureve t’rrênueme t’kishës s’Shasit, kû, i ngrati, gjith saa herë bite aty pari, kish pasë zakon me u ndalun per me i kujtue me ndoj urat shpirtnat e t’parve e me çue mênden tu Aj, qi rrî natë e ditë mîi nee e âsht gadi me i shprazë hiret e bekimet e veta mîi gjith ata qi ndjekun fjalen e msimin e Tii.

Pjesa e radhës
Nye i III

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB