Pushka e Trathtarit
Rromanz historjak Shqypniet
perbâa prej Zef M. Harapit

Shkodër, 1914
* * *
Terri i natës kishte mlue dheen, e maar natyra kishte raa si n’pagjë: cingrimi i zogjve nuk u ndîjte mâa; puntorët bariit e fmia kishin hîi nder ksolla e shpia t’veta, kû, ndêjë rreth carânit, t’kândej me prigue kê tuj diftue punët e veta t’asajë ditë, at tjetrin kahë u ankote per grigjen e vet pse s’kishte kû me e kullotë e i duhej me u çue n’nadje heret per me gjetun kullosë mâa pertej: nji tjeter kuvêndte e kallxote çka kishte paa e ndîi; e fmia loshin e hahateshin shoq me shoq. Por nder kaq ndîhej nder vorre brîi atyne mureve t’rrênueme t’kishës s’Shasit nji dnesme e foort, por nen zâa, qi e percillte nji e fshâme, t’thuesh se po zhgulet bash prej loçkes s’zêmers.
Ato t’dnesme e t’fshâme i qitte nji nânë e mjerë ndêjun buzë vorrit t’djalit t’vet. Gurt e atii vorr i lmote kaleetas, t’thuesh se po i mêrr me t’mirë mos me ja prûu t’vshtirshme ndêjen e birit t’vet, qi… pushote aty mrêndë, kuer moti t’vrâhej, t’zhgrehej n’shii, t’flakohej n’vetimë zhgjetare e t’trumhasej prej bumbullimës trishtuese. Permallshem i lmote ata gur pse kta do t’ishin mloja e tii kuer acarimi i dimnit t’strukte gjinden te shpia e t’i mâte çark zjarmit, e bora e ngrîime t’veshte token.
Dikush u ndîe n’at kohë tuj kalue neper shkurre e lerânë; ju afrue e me zâa t’paak i tha: «Çou, o nanë, e t’kthejmë tu shpia, pse Leken t’onë kemi m’e dishrue deri saa t’na biin edhè nee dheu ftyrës». Kishte ardhë e bija me e pajtue.
Por zêmra e asajë nâne i ishte bâa si njajò varra e pezmetueme qi s’duron m’e prekë as me t’mirë; prandej ju çue peshë mâa fort e njehi njikto fjalë vajit: — «Nâna t’kaa rritë e t’kaa majtë… kaa mênduemun maar e mirë per tyy… me t’fejue e me t’martue… jo me t’kalbun dheu i zii… Ti, o biir, jee kênë shkopi i pleqniis… Qyqja nânë per loçken e vet!.. mundbjerrta un per tyy gjithmonë… t’paskam rritë per dhee t’zii… si s’t’â dhimët, o biir, e zeza nânë… Por edhè tî kee dashtë me kênë… por i Lumi s’desht me t’lânë… desht me m’falun mue n’hyyll t’lig… desht me m’lânun kercun t’shkretë: n’ruba t’njyeme, zêmren t’njyeme… Besa, Lekë, m’bjè t’fikët e t’pakët… kuer shef nâna shokët e tuu… t’tanë kendojn e t’tanë gezojn… t’gjith fejohen e martohen… e djali i êm kalbet!.. Mundzeza nana e yte… çka kaa pritë me paa me sŷy… Ah, o biir, tyy t’kjosha true… bjeri, tî, ktii burg me krahë… e merr ngrykë, biir, nânen t’ânde… del, shetit me shoqnii t’ânde… veshu e mathu porsi dhander… shko nder darsma, shko nder gosta… sikuer siillen te gjith t’riit… Mjaft, o Lekë, lae shkret veshë e mathë, armët e mushne… nânë e moter!.. E nusen t’ânde, o biir… m’â dashtë m’e kthye… e me i çue shêjin tu shpia… me i diftue se Leka i êm… tesh mâa… do t’martohet me dhee t’zii! Per loken t’ânde s’kaa pse vjen as natë as ditë e madhe… shpiis s’onë ja vûu ferra n’derë… votra ja mîhë me shaat… zjarmi i â shkimë me ujë… nder nee âsht fikë qiri i Shen Kollit… â bâa kulm e temel bashkë… Lokja e yte tesh veshë nji cung t’zii… me çakçiir e me xhurdii… armët e shkreta tesh t’i lên per brîi… Njaj cung mue t’ngrates, uh qyqja! tesh m’shkon mallin e Lekës s’êm… Mjera loke per djalë t’vet… — »
«Paash ket kishë Zojet, çou moj nânë mâa, pse po na i ndiill shêj t’keq Marashit t’vogel» i tha e bia qi kishte ardhë me e marrë, «edhè mue m’a hume jeten; i dekni me t’dekun e i gjalli me t’gjaall, kshtû e kaa vûe Zot’ ynë, e lêne mâa vajin, e t’shkojm me ngrânë nji kashore bukë, pse, qe besa, idhnimin qi na kaa zêmra s’na din askush veç Zoti n’Qiill; gjallnimi i ynë kaa per t’kênun buka e thaat e zbrueme me lot t’ona, t’vshtirat t’ona kan me na u sosun at ditë qi t’ndryhena mrendë n’ket vorr t’helmuem per zêmer t’ânde, o nânë, e mandej edhe per zêmer t’ême. Lott t’ona e gjamët t’ona e gjaku i Lekës s’onë kan me lypun gjygjë m’nji ditë, e shplaka e t’Naltit randoftë mîi robt e fis t’anmikut, mîi gjâan e gjaall: arët e zabelet i metshin djerre t’shkreta, anmik aj pastë gjith kêndin… Oh atê mos e lashtë dheu n’dhee per çka na kaa bâa!».
Nânë e bië u daane at natë prej atii vênd e dora-dora u dorgjen kahë shpia e u ndryene mrêndë.
Zef Harapi