Qeveri' e paskëtajme

Kjo qeveri që thamë është e nevojçime për Shqipëtarëtë si buka që hanë e si ujëtë që pinë. Pa një qeveri të këtillë Shqipëtarëtë s’mundinë të ngjallin’ e të përhapinë gjuhën’ e tyre e të mbajnë kombërinë.

Duhetë një orë më parë të ndahetë Shqipëria, e të dihetë që ku e gjer ku është. Të njihetë vëndi ynë për Shqipëri, ta njohë edhe Evropa Shqipëri. Shqipëtarëtë të ndritojn’ e të xbukurojnë gjuhën’ e tyre me shkronja e me dituri; të bashkohenë gjithë bashkë, e të tregohenë si një komb, i cili do të ketë të drejtatë që ka çdo komb mi faqet të dheut.

Atëherë edhe të bëhetë një trazim në Sinisit të Ballkanit, edhe të bjer’ e të humbasë Tyrqia, Shqipëria qëndron me vetëhe të saj; edhe nonjë njeri nukë do të mendohetë ç’do të bëhetë Shqipëria, as njeri do të kuxonjë të vërë ndër mënt rrëmbimn’ e një copë të Shqipërisë.

Kjo qeveri do të jetë sot për sot nënë Tyrqinë. Shqipëtarëtë që kanë pesë-qint vjet që po derdhinë gjak për këtë mbretëri, nukë do të duanë kurrë humbjen’ e saj, me gjithë që e shohënë se ajo po përpiqetë t’i humbasë e t’i përndanjë në mest t’armikëvet të saj edhe t’asaj. Shqipëtarëtë gjer më së-fundi do të derdhinë gjak për këtë mbretëri e do t’ja mbajnë besënë, si ja kanë mbajturë. Kur të kenë një qeveri kështu të mirë e të forcohenë si duhetë, edhe asaj Tyrqisë do të mundinë t’i ndihinë më tepr’ e më mirë. Po në qëndroftë Tyrqia e të ngulnjë këmbëtë në këtë udhë që ka zënë duke rrungullizurë në trapt të humbjesë, e të mos dojë shpëtimn’ e saj sindekur e ka zakon, atëherë Shqipëtarëtë shpëtojnë vetë vetëhenë, e nukë humbasin’ edhe ata bashkë me këtë të marrë, që po vret vetëhenë, duke pasurë në dorë të shpëtonjë, si e di gjithë bota.

Kështu, kjo qeveri do të jetë nënë Tyrqinë, po me një mendyrë që, në rëntë Tyrqia, të mos ta heqnj’ edhe atë pas, po të munjë Shqipëria, sikundrë q’është, të qëndronjë me vetëhe. Tyrqia, sa të jetë gjall, të mos munjë ta prishnj’ e ta gremisnjë Shqipërinë, si e ka bërë gjer më sot, edhe kur të shuhetë, të mos ta heqë me vetëhe në varrt.

Po qysh do ta marrë këtë farë qeverije Shqipëria; se e dimë që Tyrqia me dashuri e me mirësi s’ep gjë kurrë. Tyrqia nuk’ është një bari që do t’ushqenj’ e të ngjallnjë dhëntë që ka, që t’u marrë qumështit e leshtë; por është një ujk q’atë të mjerë dele q’e zë prej xvercu, s’e lëshon pa çarë, pa i ngrënë mishtë e pa i dërmuarë eshtënatë. Do më mirë Tyrqia ta humbasë Shqipërinë e ta ndanjë në mest t’armiqevet të saj, se sa t’i apë një qeveri të urtë e të mirë, e cila ta ndreqnj’ e ta xbukuronjë e ta bënjë një vënt të ndrituarë si gjithë bota. Kështu kanë bërë kudo, kështu kanë dhënë e kanë humburë kaqë vëndë, të cilëtë muntninë t’i shpëtoninë e t’i kishinë për jetë me një qeveri njerëzisht; se Tyrqitë thonë: kur të mos mundimë të vrasim’ e të presimë, të rahimë, të rjepimë, të vjedhimë, të djegim’ e të gremizimë si duamë, atëherë ç’i duam ata vëndë? më mirë t’i lemë fare edhe le t’i marrë kush të dojë. Me këtë mendim mbretëri e Tyrqisë nukë do edhe gjer më sot të bënjë ndrejtimet’ e Rumelis’ e t’Anadollit, për të cilat është zotuarë në kuvent të Berlinit një-zet e kaqë vjet më parë, edhe sado q’e shtrëngon Evropa, ajo s’bën as më të pakënë ndrejtim, po bëhetë gati për luftë, e cila do ta humbasë fare.

Pr’andaj edhe Shqipëtarëvet me hir Tyrqia s’u ka për të dhënë gjë. Shqipëtarëtë duhetë t’i marrënë ato që duanë me pa-hir; t’i kërkojnë me fjalë, po të ken’ edhe pushkënë plot. Nukë besojmë prapë të jet’ aq’ e çmendurë sa të zihetë në luftë me Shqipëtarëtë; shkuan’ ato kohë që shpintë Gegëtë kuntrë Toskëvet e Toskëtë kuntrë Gegëvet; sot jo vetëm Shqipëtarëtë po mbase edhe shumë Tyrq, edhe më teprë Tyrqit’ e Rumelisë, s’u bjenë Shqipëtarëvet. Nga Anadollakëtë Shqipëtarëtë s’trembenë fort. Po veç kësaj kur të mbërthehenë Shqipëtarëtë me Tyrqitë, të tjerëtë kombe të Sinisis’ së Balkanit mos do të vështojnë së-largu, e të mos ngrihen’ edhe ata të marrinë pjeset’ e tyre?

Nga këto mendime Tyrqitë do të mos u bjenë dot Shqipëtarëvet; edhe ca nga mbretërit’ e mbëdha, që s’duanë trazime në Sinisit të Balkanit, do të hyjnë në mest për të mos ndezurë zjari, e do ta shtrëngojnë Tyrqinë t’u apë Shqipëtarëvet, ato që duanë. Jo po në mos dasht’ as Tyrqia as Evropa t’u vënë vesh Shqipëtarëvet, atëherë këta munt t’i trembinë që jemi gati ta bëjmë fjalënë një me fqinjet’ e vegjëlë që kemi rrotull, e ta ndajmë Tyrqin’ e Evropesë në mest tënë, duke mbajturë na Shqipërinë, e duke len’ atyre vëndet’ e tjera. Si do që të jetë fjal’ e Shqipëtarëvet do të dëgjohetë, edhe të drejtat’ e tyre do t’u epenë.

Shqipëria anë mb’anë do të njihetë Shqipëri e do të ketë një qeveri të sajnë e me vetëhe. Kjo qeveri, sa të jetë Tyrqia n’Evropë, duamë të jetë nën’ atë; edhe po s’na goditi e të na dëbonjë vetë, kurrë nukë do të duamë të ndahemi fare soje. Po puna tregon që Tyrqia, me këtë udhë që ka zënë nukë rron dot edhe shumë kohë; pa le n’Evropë q’e ka jetënë fort të shkurtërë. Atëherë ç’do të bëhetë Shqipëria? Do të mbesë me vetëhe; mirë po qysh? ç’farë qeverije do të bënjë?

Pjesa e radhës
Krej i qeveris' së Shqipërisë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB