Krej i qeveris' së Shqipërisë

Të huajtë nga një herë edhe Shqipëtarëtë përherë mendohenë që, kur të mbesë Shqipëria me vetëhe të saj, kush do të bëhetë princ a mbret a ç’është për të quajturë krej i qeverisë. Në qoftë shqipëtar, thonë nonjë fëmijë në Shqipëri s’ësht’ aq’ e madhe e aq’ e njohurë prej gjithë Shqipëtarëve; pastaj, në qoftë Gegë, s’e duanë Toskëtë, në qoftë Toskë s’e duanë Gegëtë; në qoftë mysliman, s’e vështojnë me sy të mirë të krishtenëtë, në qoftë i krishtenë, s’u vjen mirë myslimanëvet. N’ardhtë një i huaj nga Evropa, do të vinjë me gjithë ballot’ e theatrot’ e të tjera zakone t’Evropesë, të cilatë jo vetëm myslimanëtë, po as të krishtenëtë në Shqipëri s’i duanë. N’ardhtë një princ a mbret mysliman i huaj, ay do të vinjë me një karvan hademe; gra, arrapë, qepe etj, të cilëtë Shqipëria s’ja ka kohënë t’i ushqenj’ e t’i mbanjë.

Po ç’i duhetë Shqipërisë një njeri në kryet të qeverisë? Një mbret a princ do të prishnjë shumë sa s’ja ka fuqinë vëndi ynë; do të na prishnjë edhe vetietë tona duke marrë ca nga na nënë sqetullë e duke ftohurë të tjerëtë.

Straboni dheshkronjës’ i madh, duke shkruarë për vëndit tënë, afro dy mijë vjet më parë thotë që: Maqedhonasitë, Illyrianëtë, e Epirotëtë (do-me-thënë gjithë Shqipëtarëtë), sado që çe ku kanë ca mbretërirëra, po qeveri e tyre e vërtetë është një farë këshillësh prej të parëvet, që këto këshilla i quajnë plakoni (do-me-thënë pleqesi), edhe këto qeverisin’ e gjykojnë n’ata vënde. Përse pra ta lemë na këtë zakon të bukurë të kaqë mijë vjeç sot, e të kërkojmë një njeri të huaj, që të na hajë gjymësen’ e të dhënavet të Shqipërisë, edhe të na prishnjë gjithë vetiat’ e bukura të kombit? Ç’na duhetë një i këtillë njeri. Na të mos heqimë dorë kurrë nga plakoni e Strabonit, nga pleqesia, të cilënë e kemi ruajturë edhe gjer më sot, se kurdo pleqesia urdhëron në Shqipëri. Pleqesija t’urdhëronjë e të mbretëronjë gjithënjë.

Pjesa e radhës
Të ndarët' e Shqipërisë

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB