Qëllim’ i vetëm i Shqipëtarëvet është të ruajnë Shqipërinë të mos copëtohetë prej të huajve, të mbajnë gjuhën’ e kombërin’ e tyre, t’u rrinë kundreq entrigavet t’armikëvet të tyre, e të ndalojnë të përhapurit’ e gjuhëvet e të mendimevet të Greqet e të Shqehet, të cilatë po i rëmojnë themeletë e po i nxjerrinë rënjëtë Shqipërisë e shqipëtarërisë.
Çdo gjë që munt t’i sjellë dëm këti qëllimi do të leftohetë keq prej çdo Shqipëtari të vërtetë edhe prej lidhjes’ së Shqipëtarëvet. Ato gjërëra që do t’i ndihinë këti qëllimi do të zihenë me të dy duartë prej atyre e do të bëhenë me hir a me pa-hir. M’e par’ e këtyre është gjuha; s’munt të ketë Shqipëri pa Shqipëtar, s’munt të ketë Shqipëtar pa gjuhë shqip, s’munt të ketë gjuhë shqip pa shkronja shqipe e pa shkolla në të cilat të mësohetë shqipja. P’andaj më parë nga të gjitha do të mbahetë gjuha, të shtrëngohetë qeveri e Tyrkut ta ngrerë ndalimnë q’i ka vënë gjuhësë shqip, e të lerë shkollatë shqip të hapenë e livrat’ e fletoretë shqipe të hyjnë e të shkelenë çpenguarë në Shqipëri. Çdo Shqipëtar të mësonjë më parë të shkruanj’ e të këndonjë shqip, pa pastaj gjuhëra të tjera.
E dyta është kisha; të shpëtohenë Shqipëtarëtë nga xgjedh’ e priftërís’ së Greqet, të Bullgarëvet e të Serbëvet, e të kenë kishën’ e tyre me priftër shqipëtarë e me ungjill shqip; se Krishti s’ish as Grek as Shqeh.
Po për të bërë këto, duhetë të qëndronjë qeveri e sotme, e të vihetë një qeveri mëmëdhetare, një qeveri që të punonjë pas nevojes’ e pas të drejtavet të Shqipëtarëvet. Një qeveri shqipëtare me sy hapurë, e jo qeveri e huaj e e verbërë, si kjo q’është sot. Të jetë një qeveri si duhetë, pa le të ketë ç’emënë të dojë.
Ky është qëllim’ i Shqipëtarëvet.
Sami Frashëri