Diturija

Në ka një gjë për të cilënë Shqipëtarëtë duhetë të kujdesenë me të teprë, ajo pa ndryshim është Diturija. Gjithë katundetë e gjithë pshatratë a dy tre pshatra t’afërta bashkë duhetë të kenë shkolla të para edhe qytetetë të kenë nga më shumë se një, pas madhëris’ së tyre. Gjithë djemt’ e vashatë që më 7 vjeç e gjer më 13 do të jenë të shtrënguarë të venë do-mos-do në shkollë, edhe ata prindërë që të mos dërgojnë fëmijënë në shkollë do të qërtohen’ e të shtrëngohenë t’i dërgojnë. Mësimi do të jetë pa nonjë pagesë, edhe të varferet do t’u epenë edhe fletoretë e karta etj. pa pagesë. Në mest të çdo nënëgastrë do të jetë një shkoll’ e dytë për djemt edhe një për vajzat. Në mest të çdo gastrë do të jenë veç shkollavet të dyta (ryshdije, σχολεῖον), edhe të treta (i’dadije, γυμνάσιον) për djem e për vajza veçan edhe shkolla për mjeshtëri pas vëndit a për bujqësi etj.

Në kryeqytett të Shqipërisë, përveç shkollavet të dyta e të treta do të jetë një gjithëmësime (dar-yl-fynun, πανεπιστήμειον), një shkollë ushtërije, një për metaletë, e për pyjetë, një për bujqësinë edhe shumë të tjera për dituri e për mjeshtëri të veçanta. Më pastaj edhe dy gjithëmësime duhetë të hapenë: një në Shqipëri të Sipërme e një në të Poshtërmet. Shkoll’ e anierisë duhetë të jetë mb’anë detit, tek të jen’ edhe aniat’ e luftësë, në Durrësë a në Ujët-të-Ftohtë (afrë Vlorësë).

Një këshillë diturije (akademie) duhetë të jetë në kryeqytett, e cila të kujdesetë për gjuhët’ e për livratë që duhenë etj. Një shtypëtore e qeverisë do të merretë me të shtypurë livratë që duhenë për shkollatë, edhe të nxjerrë fletore diturije të përkohëshme e çdo gjë që duhetë për të xgjuarë Shqipëtarëtë. Disa shoqërirëra do të bëhenë me ndihmit të ministris’ së diturisë për të shpënë përpara dheshkronjënë, istorinë, dhekërkonjënë (γεωλογία), metaletë e të tjera punëra të Shqipëris; edhe cilado nga këto do të nxjerrë një herë në muajt a më pakë një fletore të përkohçime; në të cilët të rrëfehetë gjithë ç’ka gjetur’ a çpikurë shoqërija.

Në kryeqytett të Shqipërisë do të jenë dy shkolla të mbëdha për gjuhërat; në njërët nga këto do të mësohenë gjuhërat’ e ra t’Evropësë: francishtja, gjermanishtja, italishtja, inglishtja, slavishtja, greqisht’ e re etj.; në tjatëret gjuhërat’ e vjetëra: Greqisht’ e vjetërë, latinishtja, arabishtja, persishtja, sanskrishtja etj. Cilado nga këto shkolla do të ketë një këshillë, e cila do të jetë e mbledhurë prej njerësh që dinë këto gjuhëra, edhe do të përpiqenë të shkruajn’ e të shtypinë livra mësimi etj. në këto gjuhë, edhe shtypëtore e qeverisë do të ketë shkronjat’ e gjithëve këtyre gjuhe për të shtypurë ato.

Një musie e përgjithçime do të jetë në kryeqytett për gjithë sa gjërëra të vjetëra, shtaturëra, fytyrëra, gurë të shkruarë etj. që do të gjendenë në Shqipëri e gjetkë, edhe qeveri e kësaj musie do të mihnj’ e të rrëmojë gjithë vëndet’ e qytetevet të vjetërë për të kërkuarë antikëra. Një tjatrë musie do të jetë për istori të naturtë, edhe këshill’ e kësaj do të bënjë kërkime nëpër të tërë Shqipërit për barëratë, drurëtë, metaletë, gjërërat’ e gjalla etj. të Shqipërisë, si edhe gjërërat’ e vjetëra të dhet[r]egonjësë e të njeritregonjësë. Cilado nga këto të dy këshilla të musievet do të nxjerrë një fletore një herë në muajt, në të cilat të shkrujnë kërkimet’ e gjendjet’ e tyre edhe shumë diturirëra prej ç’bëhenë n’Evropë e gjetkë për këto punëra. Një bibliothek’ e madhe do të bëhetë e të ketë brënda livra etj. të shkruara të nevojta e të vyera në gjithë gjuhët që munt të merrenë vesh në Shqipëri.

N’ata vënde të Shqipërisë që flitenë edhe të tjera gjuhë përveç Shqipesë, si bulgarisht, greqisht, vllahisht, ata që flasinë këto gjuhë do të mësojnë në shkollat të para gjuhën’ e tyre edhe shqipenë bashkë; shkollat’ e dyta e të lartëta do të jenë Shqip; po në dashçinë, munt të bëjnë edhe shkolla të mbëdha në gjuhet të tyre për vehte; po, pos ditnë të shkruajn’ e të këndojnë shqip, në nonjë punë të qeverisë s’hyjnë dot, as në këshillat mundinë të xgjidhenë si mise.

Pjesa e radhës
Punërat' e përgjithçime

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB