Vjersha e Vaso Pashë Shkodrësë

Vassa Pasha Shkodrani

Mori Shqipëni, e mjera Shqipëni,
Kush të ka qitun me krye në hi?
Ti ke pas ken nji zonj e rand,
Qi burrat e dheut të thirshin nan.
Ke pas shum të mira e shum begati,
E vajza të bukra e djem me trimni.
Gja e dhena shum e ara e bashtina,
Me armë të lara me pushka latina.
Me burra trima me gra të dlira,
Ti nër gjith shoqet ke kën ma e mira!

Por tani Shqipni, pa më thu si je;
Posi lis’ i naltë i rezum për dhe;[1]
Gjith bota vjen, me kambë të shklet;
E nji fjalë t’ëmblë, kurkush s’ta flet
Kur kriste pushka si shkepëtin moti,
Zogu i Shqiptarit gjithmon i zoti.
Ka pas ken për lufta e në luft ka vdek.
E dhuni për mrapa kurr nuk ka hek,

Kur ka pas lidh besën burri i Shqipnis,
I ka pas shti dridhën gjith Rumelis.
Ner lufta të rrepta gjithmon ka ra,
Me faqe të bardh gjithmon asht da,
Ene s’të ka met as fam as bes,
Vet e ke prish me faqe të zez.
Ju Shqiptar’ me vllazën jini tui vra,
E n’nj’ qint çeta jini shpërda.
Ca thon kena fe, ca thon kena din,
Njani thot jam turk, tjetri latin.
Do quhen grek, shqie disa të tjer,
Por jeni vllazën gjith mor të mjer,
Priftnit e hoxhët ju kan hutu,
Për me ju damun e me ju vorfënu.
Vjen njeri i huaj e ju ri në votër,
Për me ju turpnu me gru e me motër.
Për sa pare të shkreta qi do të fitoni,
Besën e të parve të gjith e haroni.
Ene bahi robt e njeriu të huj,
Qi nuk ka as gjuhën as gjakun tuj.

Qani ju shpata, qani ju dyfeqe,
Se u zu Shqipënija si zogu nër leqe.
Të qaj trimnija të qaj bashkë me ne,
Se ra Shqipënia me faqe në dhe.
Ene s’i ka metun as buk as mish,
As zjarm në votër as drit as pish.
As gjak nër faqe as ner nër shok,
Por asht rrëzumun asht bamun trok.

Mblidhuni ju vajza, mblidhuni ju gra,
Me ato sy të bukur që dini me qa.
Ene të vajtoni Shqipënin e mjer,
Qi ka met e shkret pa erz’ e pa ner.
Qi ka met e vej si grua pa burr,
Si nana qi nuk ka bamun fëmi kurr.
Kujt i ban zemra me lan me vdek,
Kët far trimneshet që sod asht mek.
Kët nan të dashme as po dot e lam,
Qi njeriu i huj t’a shkeli me kam?
Nuk, nuk, kët marri kërkush s’e do,
Kët faqe të zez kërkush s’e duro.
Para se të humi kështu Shqipënija,
Me pushk në dor le të vdes trimnija.
Çohni Shqiptar pri gjumit çohni,
Të gjith si vllazën n’nji bes shtërngohi.

Ene mos shikoni kisha e xhamija
Se feja e Shqiptarit’ asht Shqiptarija.
Që pri Tivarit deri në Prevez,
Gjith kund lishon dilli vap dhe rrez,
Asht toka jon të parët na i kan lan,
Kush mos të përkas se vdesim të tan.
Se vdesim si burrat qi vdiqën që motit,
Për mos me u turpënu para Zotit!


  1. N’at kohë kur ësht thënë vjersha. ↩︎

Pjesa e radhës
Parathanje

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB