Cila ësht organizata që ka nevojë Shqipria për t’u vënë në gjëndje të xhvillojë burimet e vëndit dhe të lumtërojë? Ja një çeshtje për të cilën mbase prej shum kohe bëhet fjalë pa reusirtur t’i epet një zgjidhje e arsyeshme. Kujt mund t’i a ngarkojmë këtë fakt të vajtuëshmë?
Ka shumë vjet që Gibboni ka shkruar këto fjalë: «Brëndësia e Shqipris ësht më pak e njohur na brëndësia e Afrikës». Këjo a ësht një paradoks? Duke parë se ç’thuhet dhe ç’mendohet akoma për këtë vënd, jemi të shternguar të besojmë se Gibboni ishte në të drejtë dhe se situata s’ka ndruar aspak. Shqipria nuk ësht njohur, edhe për këtë shkak nuk ësht ditur as mundur t’i jepet një organizatë e pershtatëshme, praktike, që të mund të sjellë rezultate të cilat qeveria perandore ashtu dhe popullsitë kishin të drejtë të pritnin.
Në vend që të studjohej çeshtja në gjithsin e s’aj, gjithmonë janë marrë me detaje, me disa situata pjesore, bile me disa sende jo të vërteta. Duke mos ditur gjuhen e vendit, karakterin edhe traditat e popullit, gjith ata që janë okupuar me këtë çeshtje kanë qënë të shtërnguar t’u sillen raportave të së tjerëve, njoftimeve të njerzëve të pa ditur ose inkompetent; dhe kshu për ata ka qënë e pa mundëshme të bëjnë një mendim të kulluar, të prerë dhe të plotë mbi vëndin, mbi aftësitë dhe aspiratat e banorëve, mbi burimet natyrale të tokës dhe të dobinave të situatës së sotme.
Prandaj njeriu nuk duhet të çuditet n’ësht se vëndi ndodhet në kërleshje me nevojat, me aspiratat e veta, me pa miaftësin e mjeteve, me ngatërrimet e administratës, me mjerimin dhe me çguximin.
Në formimin e vilajeteve, faqeza kanë pasur vetëm një qëllim, të bashkuarit e qyteteve dhe të katundeve në numër të miaftuëshmë për të formuar grupe popullësish miaft të rëndësiëshme, pa u marë parasysh bashkngjinësia e grupeve, as dhe ndryshim i racave, i gjuhëve, i dokeve dhe i zakoneve të njerzve që formojnë ato qytete e katunde. U ndanë ata që duhej të ishin të bashkuar, dhe u vunë së bashku elemente të ndarë, të cilët duke qënë të shtytur prej parimeve të ndryshme, kanë lëftuar njeri-tjetrin dhe mbaruan duke asjetërsuar njeri tjetërin po në një kohë që asjetërsonin veprimin e qeveris dhe xhvillimin e burimeve botnor.
Kësi soj Shqipria u nda në tre vilajete: Shkodrë, Janinë dhe Manastir. Kohrat e fundit u bë një ndryshim i ri dhe u krijua vilajet i Kosovës, i përbërë prej sanxhakëve të Prishtinës, Novi-Pazarit, Pizrenit, Usqypit, Dibrës, Nishit e Sharqojit. Manastiri, nuk di se pse, u bashkua me Selaniknë.
Vilajet’ i Janinës u formua prej sanxhakut të Janinës, Prevezës, Gjinokastrës, Berat dhe Larisës. Me kët mënyrë, Nishi dhe Shar-qoj, vënde të banuara prej një shumicës Bullgare, dhe Novi Pazari i cili gjithmonë ka bërë pjesë të Bosnjes, u bashkuan me një provincë të Shqipris Epërme ashtu dhe Larisa, vënd i Thesalis u bashkua me Shqiprinë e poshtme.
Si mbas mendimit t’onë, ndarja e Shqipris në tre vilajete vet-vetiu miaftonte për të çkatruar plotsisht veprimin mirë bërës të unitetit administratif, pa e agravuar me një të përzier jetërgjinëse, si ajy që thamë më sipër.
Fjales së lashtë «divide et impera», ndaji për të mbretruar, i ka shkuar koha, se pse fryma e shekullit që shtyn në bashkim, ç’do gjë që prier për të çbashkuar, për veç nuk formon një element fuqie, më në fund nuk ësht veç se një fuqi rënuëse. S’ka nevojë tjetër veç se të themi që ja se ku janë efektet, të dukshme, pulzuëse, për të provuar vertetsinë e sendeve që thamë më parë.
Një eksperiencë e gjatë dhe e piklluëshme na ka treguar se që kur Shqipria u privua na forma administrative e vjetër e s’aj dhe u nda në tre provinca të qeverisura prej njerzve që nuk njohin vëndin, nuk dinë gjuhën dhe zakonet e banorëve, Shqipria ka humbur shumë nga fama, nga fuqia, nga pasuria dhe nga lumtëria e s’aj.
Ligjet e Tanzimatit dhe reformat të cilat shumë herë ësht dashur të vëhen në veprim, në vënd nuk’ kanë zënë rënjë, se pse veprim’ i një qeveritari ësht asjetërsuar prej veprimit t’atij q’e ka zëvëndësuar. Disa, duke pasur mendime prapanike, përkrahnin gabimet e kohës shkuar dhe rëndin e vjetër të sendeve; dhe të tjerët me gjith që donin të bënin sende të ra, por populli ato nuk i kuptonte.
Përjashtimet dhe privilegjet e banorëve të malevet vinin në kundreshtim me mënyrën me të cilën administroheshin popullësit e fushës.
Vëndet kufitar me Malin e Zi dhe me Sërbinë ishin të përjashtuar nga rekrutimi ushtarak; kur se të tjerët, i shtroheshin me forcë. Me këtë mënyrë, ku do kishte mungesë bashkimi, mungesë njëformësie, munges barasije administrative dhe prandaj konfusion në mjetet të autoritetit publik. Këtyre vështyrësinave t’u shtojmë dhe delegimin e marjes së një pasaporti për të vajtur nga një vilajet, te tjetri, të konsiderohen njerzit e nji qyteti Shqiptar si të huaj në një qytet Shqiptar tjetër, taksat, oktrova dhe kaq masa të tjera të cilat, pa qënë të dobishme për qeverin perandore, dukeshin sikur donin të sillnin një çarje e ndarje, bile një pabarasi të së drejtave dhe të detyrave në mes të njerzve po të një vëndi dhe një race.
Këto veshtyrësina, si mbas mendimit t’onë nuk mund të çduken deri sa do të vazhdohet të qeveriset Shqipria në tre trupa të ndarë, dhe me tri administrata të veçanta. Dyzet vjet mundime dhe fillesa të pa dobishme provojnë se, mendimi jonë ësht bazuar mbi eksperiencën dhe mbi fakte kundra të cilave fjalët dhe ipotezat nuk mund të lëftojnë.
Eksperienca të rea me nji kuptim separatist, besojmë se nuk do të bënte gjë tjetër veç se të ligështonte situatën, të shtonte çkurajimin dhe të thante burimin e gjallnis së vëndit.
Prandaj na duket se ësht n’interesën e gjithëve, me një interesë kryesore bashkim i Shqipris në një vilajet të vetem, me një organizim të fjeshtë, të përmbledhur dhe të fortë, duke i dhënë një pjesë të gjërë elementit të vëndit n’administratën publike dhe të inogurohet nën hijen e N. M. T. Sulltanit një periudhë bashkimi dhe vëllazërimi për gjith besimet dhe për gjith fetë.
Ësht bashkim’ i gjith nënshtetasve që bën fuqinë e një perandorije, garanton përparimin, lumtërinë dhe madhështin e s’aj; ndarja dhe përçarja, d. m. th., dobsia, mjerimi dhe dekadenca.
Duke pajuar Shqiprinë me një administratë bashkimtare me ligje baras për të gjithë në zbatimin e tyre, do t’i epet shpirt guximit në zemrën e popullit dhe si rezultat’ i parë pikës pari do të vihet në dorë sigurimi publik, respekti për autoritetet e kushtetuar dhe besimi i të gjithëve në kohën e ardhme.
Me këto tri elemente të rendit e të lumtëris publike, ësht e sigurtë se bujqsia nuk do të vonojë të marrë përpjestime ma të mbëdha; ushqim i kafshëve, kjo pasuni e parë e vëndit do të bëhet në një shkallë ma të gjërë, tregtia do të marë hapa më të sigurta dhe më të çpenguara, industria do t’i krijojë vendit burime të rea dhe arsimi publik do të mbarojë duke u përhapur ku do, duke sjellë me vehte, përparimin, qytetrimin dhe prandaj begatinë dhe mirëgjëndjen e përgjithshme.
Dhe me qënë se karakter’ i popullit Shqiptar ësht naltsisht luftëtar, Qeveria perandore mund t’i apë një organizim ushtarak të tillë si ajy i Svicrës, dhe kshu në fund të gjashtë deri në tet vjetë, Shqipria do të ndodhej në gjëndje që t’i jepte perandoris 200 batalione prej trupave t’organizuara mirë, të mësuar, të diciplinuar, besnikë dhe trima; 200 batalione që do të vriteshin të gjithë gjer te ushtari i fundit për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e perandoris dhe për të dëshmuar lidhjen e pa ndryshuëshme dhe të vazhdueshme që kanë ndaj personit të shenjtë të Suvranit të tyne.
Shënime mbi kaptinen XIII.
Me qënë se qëllim’ i auktorit me këtë veprë ka qënë një propagandë brënda dhe jashtë në përkrahje të autonomis Shqiptare, në këtë kaptinë vazhdon të tregojë gabimet e administratës, injorancën e nënpunsave të lartë dhe veshtyrësinat që rjedhin nga një ndarje e qarqeve administrative ndër vilajetet Shqiptare. Këto ikonveniente i përmbledh në disa pika:
1. — Auktori thotë se Shqipria në vend që të përmblidhej në një unitet administratif, pikës pari u nda në tre vilajete, masandaj u krijua dhe një i katërtë nën emrin Kosovë.
2. — Vilajet i Janinës për veç sanxhakeve të Gjinokastrës, Beratit dhe Prevezës, përfshin dhe Sanxhakun e Thesalis që ka për kryevend Larisën, sanxhak i cili ësht i banuar prej grekëve. Gjith ashtu dhe vilajet’ i Kosavës, për veç Prizrenit, Prishtinës dhe Ipekut, perfshinte dhe sanxhakun e Jeni Pazarit që banohej prej boshnakëve dhe prej sanxhakut të Nishit dhe të Shar-qojt që banohej prej Bullgarëve. Më në fund thotë autori dhe sanxhaku i Manastirit ju aneksua Selanikut.
Për të dhënë një kuptim të mirë brezit të ri mbi situatën administrative të vilajeteve Shqiptare e shohim të nevojshme që të japim disa shpjegime:
Para Tanzimatit Shqipria, si gjith vilajetet e tjera të Tyrqis, ndahej në disa unitete administrative, d. m. th., në vilajete, dhe këto në sanxhake dhe këto në krahina. Në qendrën e vilajeteve qendronte një «Ajalet-Valisi» dhe në qendrat e sanxhakeve një «sanxhak o bei» dhe nëpër krahina ndodhej një «muselim». Në kohra të vjetëra Shqipria ndahej në tri Ajalete: 1. — Janinë, 2. — Shkodrë, 3. — Ohri. Këjo ndarje dukej m’e arsyeshme, se Shqiprinë e ndante në tri copa: Jugë, Veri dhe Mes. Ajalet i Ohris që quhej Shqipri e mesme përfshinte dhe Durrsin, d. m. th. se shtrihej deri në Adriatik; gjith ashtu dhe Shkodra përfshinte Prizren, Jakovë dhe Ipek.
Pas Tanzimatit me qënë se Rusia kërkonte të ndante nga Tyrqia, popujt hristianë slavë, së pari në provinca autonome dhe pastaj në Shtete independente, Turqia për të humbur tragën e shumicave q’ishin prej një race, prej një gjuhe dhe prej një feje, mendoj që ndarjen e vilajeteve ta bënte me atë mënyrë që as në ndonjë vilajet të mos kishte shumicë Sllavë kristianë dhe kshtu shtërngohej që vilajeteve t’u epte një dasi edhe një gjërësi jashta nevojave gjeografike dhe ethnike. Bije fjala u krijua vilajet i Manastirit duke përfshirë dhe sanxhakun e Serfixhes popullsia e të cilit ishin Grekër me pakica turqësh dhe ng’an’ e Shqipris po ky vilajet përfshinte dhe krahinën e Ndroqit e cila ndodhet 10-12 qilometro larg Durrsit. Këjo gjë formonte një anomali gjeografike dhe ethnike edhe kshu në një vilajet përmblidheshin grupa Shqiptarësh, Bullgarë e Grekër të cilët s’mereshin vesh kurrë me njeri tjetërin. Për të shërbyer të këtilla qëllimeve anormale, vilajet i Shkodrës përfshinte vetëm sanxhakun e Durrsit dhe malsinat e Shkodrës, me një popullsi prej 200.000 frymë kur se vilajet’ i Manastirit kishte 1,250.000 frymë. Gjith ashtu dhe vilajet i Kosovës me gjith që kishte një shumicë popullsi Shqiptare, përfshinte dhe sanxhakët e Tashllixhes e të Senicës q’ishin Serbo-Boshnakë dhe sanxhaku i qendrës Ysqypi, duke përfshirë qarqet: Ishtip, Karatovë dhe Koçanë përfshinte një sasi të konsideruëshëm Bullgarë. Me këtë mënyrë dhe vilajet i Kosovës përmblidhte në një vënd tre elemente: Shqiptarë, Serb, dhe Bullgarë. Ky sistem administratif me të vërtetë paraqiste veshtyrësina të mbëdha se këta popuj të ndryshmë gjithmonë ndodheshin në konflikt me njeritjetërin.
Prandaj auktori çfaq mendimin se do të ish gjë e dobishme që vilajetet që përmblidhnin shumica të mbëdha Shqiptarësh të bashkoheshin me një vend. Ky bashkim do të lehtësonte administratën, popullësit prej një gjuhe e një gjaku do t’i afronte njëri me tjetërin, zakonet dhe nevojat e vëndit do të kuptoheshin më mirë dhe si përfundim gjëndja do të përmirësohej.
Auktori me këtë veprë bëhet interpret’ i qëllimeve që përfshinte parashtresa e lidhjes së Pizrenit për bashkimin e vilajeteve shqiptare në formë autonomije dhe konkludon tue thënë se Shqipria e bashkuar me këtë mënyrë do t’ish e zonja të qiste 200 batalione ushtarë t’organizuar, të diciplinuar dhe të shpirtësuar me ndjenja kombtare, do të formonin një fuqi e cila do të peshonte me rëndësin e s’aj në çeshtjet Ballkanike.
Midis burrave të shtetit të perandoris Ottomane. me gjith që të rallë, por ka pasur disa njers të mënçëm që kanë pasur këtë mendim: Si Ahmet Ejup Pasha dhe Gazi Ahmet Muhtar Pasha, dy gjeneralë të shquar të ish perandoris Ottomane.
Pashko Vasa