Kaptina XI

Deri në vitin 1831, Shqipria qeverisej prej paris kombtare të vetë. Ç’do qytet me një farë llojë rëndësie kishte pashanë ose bejnë e vetë, i cili trashëgonte pushtetin nga etënit e tij: Port’ e Naltë sanksiononte këtë zakon dhe e konfirmonte duke persëritur emnimin në perkrahje të trashëgimtarit vijuës.

Shqipria ndahej në dy qeveri të mbëdha, Kryevendet e të cilavet ishin Shkodra dhe Janina. Pashaj i Shkodrës bashkonte gjith pashallarët e bejlerët e Shqipris së epërme, ashtu dhe pashaj i Janinës bashkonte pashallarët e bejlerët e Shqipris jugore.

Këta dy pashallarë, ishin si dy feodalë të mbëdhenj; me një fjalë kishin nen urdhrin e tyre pashallarët e qyteteve të tjera si dhe kryetarët e maleve që njihnin të gjith sipërmësin’ e tyre dhe u bindshin urdhrave të tyre.

Shum herë ësht dashur të përhapet në mendimin e përgjithshmë besimi se ndërmjet Gegëve dhe Toskëvet qysh nga kohët e lashta ndodhej një lloj mosmarëveshje, mbase dhe një armiqsi tradisionale. S’ka gjê më e pa saktë se këjo. Mos marëveshja që çfaqet ndonjë herë midis tyre duhet t’i ngarkohet, jo ndonjë ndjenje të popullësive; por rivaliteteve që kanë ngjarë midis pashallarëve të Shkodrës dhe t’atyre të Janinës. Këto rivalitete të gjitha kanë qënë personale dhe të shpirtsuara prej ambicjeve të familjes. Populli nga një herë ata i përkrahte; por në fund të zemrës së tij nuk i donte. Se pse kurdoherë që bëhej fjalë për të lëftuar për çeshtjen e perandoris, gegët dhe toskët vëllazëroheshin; dhe në mes të tyre nuk’ kish as një ndjenjë që përpiqej t’i ndante, por kish një zili fisnike të dalloheshin prej njeri tjetërit me trimëri, me besnikëri dhe me guxim. Gegët e toskët janë prej një familje; janë vëllezër që gjejnë struk nën një strehe dhe që ngrohen në një vatrë.

Gjer në kohën e treguar si më sipër, gjëndja e Shqipris ishte e shkelqyerë; vendi ish i bëgatëshmë, fatbardhë dhe i fuqishmë, fuqia ushtarake ishte nga mê të tmershmet. Në një kohë kur mbretrit më të fuqishmë të Evropës nuk mund të mblidhnin nen armë mê shumë se një qind mijë bura, Shqipria vetem, miaftonte për të nxjerë ushtërinë prej 60-80 mijë burra.

S’ësht nevoja t’a themi se ushtërit Shqiptare gjithmonë kanë qenë të dalluara me trimrinë dhe me zotsin e tyre ushtarake, ashtu dhe besnikërinë e me lidhjen e tyre te Sulltani. Pa vajtur në kohrat e vjetëra, gjejmë provën e pretandimeve t’ona në ngjarjet e rea: Javor, Plevna dhe Shipka ruajnë akoma tragat e trimëris të batalioneve Shqiptarë dhe flasin miaft lart për këmbë nguljen dhe për qëndrimin, ashtu dhe për përpjekjen e tmershme në sulmimet e tyre; ushtarët Rus dinë diçka në këtë pikë edhe qenë miaft bujarë për të njohur të drejtën. Gjith ashtu mund të themi, pa frikë përgënjeshtrimi, se janë Shqiptarët ata që kanë mbrojtur vetëm për vetëm dhe kurdoherë vendin e tyre kundra sulmimeve të fqinjëve të tyre, dhe që kanë ndihmuar për të mbrojtur në plotsimin e pushtetit të vetë zotnimin Ottoman në Rumeli.

Për veç kësaj, Shqipria perandoris Ottomane i ka dhënë më të mirët vezirët e mëdhenj edhe gjeneralët më trima. Qypurli Mehmet Pasha, Fazil Ahmet Pasha, Lutfi Pasha, Sinan Pasha, Bajraktar Mustafa Pasha edhe kaq burra Shteti e gjeneralë me vleftë të jashtzakonëshme të tjerë që kanë marë drejtimin e punëve ose kumanden e ushtëris në rethana të jashtëzakonëshme dhe me mirësjelljen e me guximin e tyre, kanë mundur armiqt’ e jashtmë, kanë kapërcyer vështyrësinat e brëndëshme dhe kanë ringjallur fuqin’ dhe pushtetin e perandoris të cilin sundim’ i keq, pa zotsia edhe korupsion i ministrave, në shumë raste e kanë shpënë perandorinë afër ngjirës.

Elementi Shqiptar gjithmonë ka qënë besnik në parimet e veta. Ka dashur dhe don Suvranin e tij, atdhen dhe traditat e veta dhe i don me gjith fuqin e shpirtit, me gjith energjin e karakterit të tij.

Për fat të keq, ndryshim i sistemit qeveritar të cilin burat e ngarkuar me sundimin e vëndit nuk’ kanë ditur ose nuk’ kanë mundur ta zëvëndësojnë volitësisht me një sistem të ri për të cilin ishin ngarkuar ta vënë në zbatim, ka sjellë trubullim në rotat qeveritare edhe ka shkaktuar një çqetsim në ndërgjegjen botore. Shqipria duke u xhveshur nga administrata e vjetër dhe duke u mos zbatuar format administrative dhe ligjet e rea q’ësht duhur të vehen në zbatim, duke u mos aplikuar rasionalisht prej qeveritarëve që kanë pasuar njeri tjetërin, u bë shenjë gjujtje e lakmive të ndeshkueshme, përtërimeve pa qëndrim dhe veprimeve të pa lidhura me njeri tjetrin: Ndergjegja e popullit u trubullua dhe ësht tronditur midis kujtimeve të kohës shkuar, çuditjeve të tashmë dhe të pa saktësive të kohës ardhme.

Ballë kësaj gjëndje të vajtuëshme, popullsia shqiptare filloj të mos ketë besim në nenpunsat e derguar prej Stambolli për t’a qeverisur; i ka quajtur si të huaj, se pse nuk dinin as gjuhën e popullit, as historin, as zakonet, as traditat, as dhe dëshirat e tij. Në kondita kaqë të pa përkrahëshme, autoritetet i tyre nuk ish dashur as pak; vuanin prej atij autoriteti si një gjë e nevojshme, pa u qarë, se pse dihej q’ajy autoritet buronte nga pushteti dhe nga vullneti i Sulltanit, person i shenjt i të cilit ësht objekt i dashuris dhe i adhurimit prej të gjithëve. Këto ndjenja rahin zemrat e Shqiptarëvet.

Për fat të keq, pashallarët e dërguar prej Stambolli për të qeverisur vendin nuk janë zgjedhur kurdoherë në mes të më të mirëve; shum prej atyne s’kanë pasur dashuri për Atdhe, as dhe për popull, dhe gjithmonë janë treguar nën rafshën e pozitës së tyre. Nuk’ kanë ditur të vleftësojnë as pushtetin që kanë pasur, as dhe disponimet me të cilat ishin shpirtsuar popujt. S’kanë ditur të sherbejnë as interesat e qeveris as që të sjellin lumtëri në popull. I janë shmëngur porosis së tyre.

Kësisoj konditat e Shqipris, për veç që nuk janë përmirësuar nën influencën e sistemit të ri q’ësht dashur të futet n’administratën, por janë ligsuar më keq dhe këjo, për shkak fort të qartë të këtij sistemi të papërsosur, të pa miaftuëshmë dhe që burat e ngarkuar për t’a vënë në veprim as dhe vetë nuk e kuptonin ose bënin sikur s’e kuptonin. Sipërvënja e një sistemi të papërsosur dhe pak i përshtatur gjëndjes së popullit të cilit duhet t’i shtonte zotimet e lumtëris, mbi një sistem më primitif, për fonksionim i të cilit fillonte që prej shekujsh dhe që kish hirë në zakonet publike, e bëri që të humbas aqpeshim’ i maqinës qeveritare, hodhi trubullimin në gjith degat e administratës dhe mbaroj duke tharë burimet e lumtëris publike. Tregtia pushoj për mungesë rrugash dhe sigurimi; bujqsia pësoj pengime të mbëdha ng’an e multezimëve; industrija mbeti pa punë, për mungesë inkurajimi dhe mbrojtje dhe arsimi publik s’bëri as më të voglin përparim për shkak mungese të stabilimentave shkollore, të përpjestuara me nevojat e vendit. Nga këjo rezultoj që begatin e vjetër e pasoj një mjerim i tanishmë; tregtia u anulua për mungesë veprimi dhe prej mos besimit; dëshpërimi dhe plogshtia zunë vendin e aktivitetit bujqësor dhe industruer; injoranca e vjetër e mushtuar prej virtyteve primitive, prej bulbëris dhe prej nderimit të dinjitetit personal, u zëvëndësua me një injorancë të thatë, të pandërgjegjët dhe bija e mjerimit.

Këto kondita të tristuëshme të cilat peshojnë mbi popullin, përgjithësisht, ësht e drejtë ta themi, dermojnë më shumë muslimanët se sa të krishterët; se pse sherbimi ushtarak, që ka qen kaq i rëndë këto vitrat e fundit, për shkak të luftave që kanë vazhduar njëra pas tjetëres, duke rënduar plotësisht për mbi të parët, i dhjetoj, dhe duke hequr nga punim’ i tokës krahët më të shëndoshë, shtoj mjerimin dhe privoj një shumicë të madhe familje nga përkrahësit e tyre, dhe prandaj nga gjith mjetet e jetesës.

Me gjith këtë Evropa që mori pjesë në fakt për hristianët nuk pati as një fjalë mëshire për muslimanët. Këjo ësht piklluëse!

Për veç kësaj me gjith tabllon e errët që do të vizatojë pena jonë për popullin Shqiptar, nuk duhet larguar nga sytë që shpirt’ i këti populli akoma ësht i math, zemra e tij akoma e nxehtë dhe që elementet e gjallëris, të madhështis dhe të lumtëris nuk i mungojnë. Fatkeqsit q’i kanë rënë mbi krye mbase e kanë hutuar, por nuk e kanë rëzuar për dhe; miafton që Qeveria Perandore ballë së cilës ësht thellësisht besnik, t’i zgjatij dorën atnore për t’i tundur mefshtësinë, ta ngrejë, ta ndihmojë të ecij në udhën e përparimit dhe të qytetrimit; dhe athere do të marë rrugën e mbarë.

Shënime mbi kaptinen XI.

Auktori në këtë kaptinë bën një përmbledhje mbi administratën e ma parëshme dhe administratën e më pastajme të Shqipris dhe tregon gjith ligësitë që rrjedhin nga një administrat’ e keqe, duke treguar nevojën e përmirësimit.

Para ç’do gjëje lypset të shënojmë se pas luftës Russo-Tyrke më 1877-78, në një kohë kur u shfaq reziku i parë për coptimin e Shqipris, u çfaqnë disa patriotë me një kulturë miaft të lartë si pas kohës dhe formuan një grup për të shpëtuar Shqiprinë nga reziqet q’i kërcënoheshin. Burrat që formonin këtë grup kanë qenë: Abdul Bej Frashëri, dy vëllezërit e tij Sami dhe Naim, auktor i këtij libri Vassa Pasha nga Shkodra, Hoxha Tahsin Çami, Daniel Oparaku, Kadi Shevki efendiu nga Gjinokastra, Naum Vretua nga Postenani, Nauk Veqilharxhi nga Vithkuqi dhe të tjerë burra në rendin e dytë pas kytyre. Këta burra, materialisht dhe moralisht, kanë qënë të lidhur dhe mbase shkaktarët e lëvizjes kombtare që në histori mori emrin: Lidhja e Prizrenit. Me qenë se asi kohet mendim’ i përgjithshmë i Shqiptarëve nuk ishte gati për një lëvizje separatiste ndaj perandoris Ottomane, këta burra e panë t’arsyeshme e të dobishme që në fazën e parë të çeshtjes kombtare të ndjekin vetëm qëllimin e autonomis duke bashkuar gjith vilajetet e Rumelis Oksidentale ku parazotnonte me shumicë elementi Shqiptar. Këjo politikë kombtare, si mbas kohës ish e arsyeshme, se pse ndarja krejtësisht nga Tyrqia asi kohet për veç që nuk ish e mundëshme, por do t’ishte dhe e dëmshëme, për arsye se shkalla kulturore dhe qytetnore e Shqipris ndodhej tepër e ulët dhe prandaj ish frika se mos bëhej viktim’ i anarshis. Fryma e autonomis, nën sovranitetin e Sulltanit të Stambollit, shpirtzon veprën e auktorit. Ç’do veprë duhet të çmohet si mbas kohës dhe rethanave që kanë pjellë atë veprë.

Auktori në qoftë se ësht treguar si partizan i perandoris Ottomane, këjo politikë i ësht diktuar nga rethanat e kohës. N’ate periudhë një autonomi e gjërë për Shqiprinë, me gjuhë zyrtare Shqipe, me një ushtëri kombtare, me një administratë vëndëse, duke mbledhur e bashkuar gjith krahinat shqiptare në një vend, do t’ishte shpëtim i Shqipris dhe sot në vënd të një Shqipris vogël prej një milion njerzish, do të kishim një Shqipri prej katër milionash. Sa do që athere popullsia Shqiptare e katër vilajeteve ku zotnonte elementi Arbnor, mund të çmohej deri në 1,800,000, por si efekt i administratës autonome që do të kishte vazhduar që nga 1878 deri në 1912 doemos do të ishte dyfishuar dhe kështu do të kishim një Shqipri të paktën me tre, katër milion njerzësh.

Brez’ i ri për të kuptuar shpirtin e objektit të kësaj kaptine, ka nevojë për disa shënime.

Shqipri e Jugës gjer më 1821 ishte sunduar prej Ali Pashë Tepelenës. Më 1822 Ali Pasha u dorzua dhe ju pre kryet edhe në vëndin e ti u emrua si Vali i Janinës Ismail Pasho Beu nga Janina q’ishte armiku i Ali Pashës dhe kish ndihmuar për rëzimin e tij. Por me qënë se ushtarët që kish përdorur Ali Pasha, kur më parë kush më vonë ishin kthyer me Sulltanin, krerët e kësaj ushtërie ushqenin një armiqsi kundra Ismail Pasho Beut. Për veç kësaj Ismail Pasho Beut në fillim të kryengritjes Greke nuk pati as një sukses, prandaj Porta e Naltë u shtërngua ta hiqte nga puna dhe në vëndin e tij emroj Ymer Virionë duke i dhënë dhe shkallën e Pashallëkut. Asi kohe valinjtë ishin dhe administratorë edhe kumandantët e ushtëris që mund të nxirte në kohen e luftës vilajet’ i tij.

Pas rënjes së Ali Pashës, gjith fuqia ushtarake që ndodhej në Epir, u muar me kryengritjen greke e cila vazhdoj gjer më 1830 deri sa u dha vendim i Londrës që njohu independencën Greke. Me 1931 passi u zbërthye çeshtja Greke, Port’ e Naltë dërgon në Manastir Sadriazem Reshit Mehmed Pashën për të shtruar Shqiprinë dhe për të suprimuar krejtësisht feodalizmën e këtij vendi.

Mustafa Pashë Bushati deri at-here kishte vazhduar të sundonte vilajetin e Shkodrës, por kur pa se Sadriazemi që kish ardhur në Manastir donte ta suprimonte, mblodhi një fuqi malsorësh dhe u nis prej Shkodre për ta lëftuar, duke kaluar nga Kosova ra në Perlep; Sadriazemi kishte me vehtëhe disa batalionë prej «Nizami-xheditit», të ushtris së re, t’organizuar pas prishjes së Jeniçerëvet; kishte disa bashibozukë edhe me qënë se u muar vesh me mitropolitët Grek të vendit, të cilët dëshëronin shtypjen e Shqiptarëve, me anën e këtyre mblodhi disa kapetanë Ortodoksë Shqiptarë dhe prej viseve të tjera, i dolli përpara Mustafa Pashës dhe mbas një lufte që ngjau në grykën e Babunës, Bushatlliu u prish dhe u kthye në Shkodrë. Sadriazemi pas si vrau me të pa besë Veli Benë dhe Aslanë Benë, nga Kara-Muratas, i Toskëris, mblodhi parësinë e Toskëris dhe të Shqipris, Mesme e i internoj në Konjë e në Qutahje të Anadollit, ju lëshua Mustafa Pashë Shkodrës dhe pas disa luftërave e rethimeve, Mustafa Pasha u dorëzua dhe ju dha fund sundimit të Bushatlive në Shkodrë.

Parësin e Toskëris, me qënë se e kish shtypur më parë Ali Pasha, Sadriazemi nuk hoqi ndonjë mundim për të shtruar Toskërinë. Pas operasionit të Sadriazemit, si në Gegëri ashtu dhe në Toskëri filloj një administratë e re kundra feodaleve. Më 1839 u çpallë reformat e mbëdha të Tyrqisë nen titullin «Tanzimati Hajrije».

Autori në këtë kaptinë kur bën fjalë për administratën e re dhe të vjetër, ka për qëllim administratën feodale të ma parëshme dhe administratën e re me bazë të santralizimit q’u fillua me veprimet e Sadriazemit si ç’u tha ma sipër dhe u plotsua me Tanzimatin 1839 s.

Autori bën një krahasim midis dy sistemeve sundimtar dhe më në fund sistemin e santralizimit e gjen më të dobët dhe më të dëmshme për Shqiprinë, nga shkaku i injorancës të nëpunsave dhe të korupsionit të tyre.

Ësht e vërtetë se sistem i administratës feodale në Shqipri ka kaluar dy faza: Faza e parë ka ardhur pas okupasionit ushtarak, në një kohë kur qeveria qendrore e Stambollit ka qënë e fortë dhe nuk lejonte me as një mënyrë qeveritarët e vëndit të tiranizonin popullin. Kadilerët e asaj periudhe ishin miaft të ditur në të drejtën e Sheriatit dhe njerz me karakter. Në vendimet e tyre që gjenden aty këtu konstatohet një drejtësi e reptë dhe një paanësi e lavdëruëshme në padinat e rjedhuna midis muslimanëve dhe të krishterëve. Por kur në qendrën e Stambollit filloj të çkatërrohet morali në pallat të Sulltanit dhe në mes të drejtonjësve të Shtetit, si do mos kur hyri çregullimi në oxhakun e Jeniçerëvet, fuqia politike dhe ushtarake e perandoris, dita ditës, po dobsohej. Me nj’anë këjo dobësi dhe me anë tjatër «rushveti» e bëri që nënpunësitë e naltë të provincave, ashtu dhe kadillëket të shiteshin me të holla; prandaj morali dhe karakter’ i nënpunsave ashtu dhe i gjyqtarëve, nder vilajete, filloj të tronditej dhe drejtësin e më parëshme e zevendësoj shpërdorimi; këjo ngjalli mos besimin në popull, prishi dhe qetsinë. Filluan të ngrenë krye hajdutëria. Dobsia e qeveris këtyre u jepte guxim dhe arritnë në një shkallë, sa qeveria qendrore shtërngohej të emnonte ata si administratorë dhe qeveritarë; me tjetër fjalë për të ndaluar cubëninë «hajdutllëkun», qeveria qendrore emnonte cubat sundimtarë.

Këjo faz’ e dytë e administratës perandore krijoj një rend tjetër feodalësh ose fisnikë të rinj të vendit. Me këtë mënyrë feodalizma ose fisnikëria u nda në dy kategori: Të vjetër e të rinj.

Ali Pasha në Toskëri me qënë se shtypi të dy klasat që thamë më sipër, krijoj një klas tjetër si mbas mëndësis së tij. Me gjith këtë deri në zbatimin e Tenzimatit «1839», Shqipria po thua se s’paguante gjë. Sundimtarët e vëndit, qofshin prej fisnikëve të vjetër qofshin prej të rinjve, ishin në shkallë që të mbanin një qetësi të plotë. Vetë ata edhe sikur të bënin ndonjë tirani, pak së paku ndalonin të tjerët. Populli, si muslimanët ashtu dhe të krishterët, parapëlqenin të kenë si sundimtar fisnikët e vjetër të cilët i nderonin tradisionalisht. Me një fjalë deri në datën e Tenzimatit Shqipria ekonomikisht ndodhej miaft mirë: Tokat punoheshin, blegtoria ish miaft’ ë fortë, gra burra, katundarë ose qytetarë, vishnin petkat e vëndit, këmisha prej lini ose prej mëndafshi, shajak të vëndit, opinga e kësulë të vëndit, petka të qindisur në vënd me fije mëndafshi ose ari, çarçafe e mafese prej mëndafshi, shtresa e mbulesa prej pambuku ose prej leshi të vëndit, në vënd të sheqerit përdorej më shumë mialti e pekmezi. Nga jasht hynte vetëm coh’ e Marsiljës ose e Venedikut, fijet e sërmit kafea dhe sheqeri edhe pak vaj-guri. Kur se Shqipria eksportonte bagëti të holla e të trash, diath’ e gjalpë, landë pyjesh, lesh e lëkurë, fshika mëndafshi, shqeme «Vallamidh» dhe kuaj nga Muzeqea, nga Zadrima, nga bregu i Matit dhe për gjithësisht nga rafshinat. Përveç këtyne hynte një para e madhe nga çifliqet që kishin Shqiptarët jashta, nga njerzit që ndodheshin në mërgim dhe nga rrogat e mercenerëve Shqiptarë që ndodheshin në shum vise të perandoris.

Nga Tanzimati e pastaj situata filloj të ndrojë krejt: Nënpunsit e mëdhenj ashtu dhe gjyqtarët vinin nga Stambolli, fuqia e armatosur e perandoris në Shqipri ishte fort e paktë, qetësia u prish krejt dhe vendi u varfërua, plaçkën e vendit e zëvëndësoj mall i Evropës, nga prishja e qetësis dhe nga mos besimi, bulqësia, blegtoria, tregtia dhe zejtari e vëndit u paksua.

Për këto arsye, auktori në këtë kaptinë parapëlen sistemin administratif të vjetër dhe kritikon sistemin e santralizimit që filloj të zbatohej në Shqipri pas Tanzimatit.

Pjesa e radhës
Kaptina XII

Lexoje gjithë librin offline: Shkarko e-book · EPUB